Pranimi (sipërfaqësor) i Jezusit

Mar 15 • Meditimi i ditës

15 mars 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nr 21,4-9; Ps 101; Gjn 8,21-30)

 

Prania e Hyjit

 

Ia përkujtoj vetes se gjatë kohës së qëndrimit tim këtu ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

 

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndIej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

 

E lexoj pjesën e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet diçka.

 

Gjn 8, 21-30

 

21 Jezusi u tha përsëri:

“Unë po shkoj

e ju do të më kërkoni

dhe do të vdisni në mëkatin tuaj.

Ku unë shkoj,

ju s’mund të vini.”

22 Atëherë judenjtë thanë:

“A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“

23 E Jezusi u tha:

“Ju jeni prej këtu poshtë

kurse unë jam prej së Larti.

Ju jeni prej kësaj bote

kurse unë nuk jam prej kësaj bote.

24 Prandaj edhe ju thashë:

‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’

Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM

do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Atëherë ata i thanë:

“Kush je ti?”

“Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit?

26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj;

porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë

dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.”

27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.

28 Atëherë Jezusi u tha:

“Kur ta ngritni Birin e njeriut,

atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM

dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë,

por flas ashtu si më mësoi Ati.

29 Ai që më dërgoi, është me mua

e nuk më la vetëm,

sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.”

30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Njerëzit që e dëgjonin porosinë e Jezusit, shpeshherë e pranonin atë vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Kur nuk donin ta pranonin në një nivel më të thellë atëherë domethënia i shtrembërohej.

Kështu është edhe me lutjen tonë: jemi të ftuar ta pranojmë Fjalën e Zotit në zemër dhe të ngrihemi mbi sipërfaqësoren – pasi ajo ka një domethënie të rëndësishme – dhe të vijmë deri te një kuptim më i thellë.

– Të mos lëshuarit pe, ngurtësia e madhe e zemrës çon deri te dënimi/perjashtimi i Jezusit.

Do ta lus Zotin që të hedh dritë në mendimet e mia të ngurta.

 

 Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »