Erdhi ndër ju mbretëria e Hyjit (Lk 11, 20)

Mar 16 • Këndvështrime

 

Nga Veneranda Qerimi

Fjala për ta jetuar e këtij muaji është marrë nga Ungjilli sipas Lukës: « Erdhi ndër ju mbretëria e Hyjit » (Lk 11, 20): “Njëherë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. Po qe se djalli është i ndarë në vetvete – pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit – si do të qëndrojë mbretëria e tij? Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj.  Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!”

Ndërsa Atë Ciardina shkruan: « Erdhi ndër ju mbretëria e Hyjit » (Lk 11, 20)

Këtë po prisnin hebrenjtë e kohës së tij. E Jezusi filloi që ta shpallte sa po nisi të përshkonte fshatrat dhe qytetet: “U afrua mbretëria e Hyjit” (Lk. 10,9). Dhe menjëherë pas: “U afrua Mbretëria e Hyjit”; thoshte “Mbretëria e Hyjit është mes jush” (Lk 17,21). Nëpër Jezusin, Hyji vetë po vinte në mesin e popullit të vet dhe po rimerrte në dorë me vendosmëri dhe fuqi historinë, për ta çuar atë në cakun e vet. Mrekullitë që Jezusi bënte ishin shenja e saj.

Në pjesën e Ungjillit, nga ku është marrë Fjala për ta jetuar, Ai sapo ka shëruar një memec duke e çliruar prej djallit që e mbante rob. Është prova që Jezusi ka ardhur për të mposhtur të keqen, çdo të keqe, dhe për të vendosur më në fund mbretërinë e Hyjit.

Kjo shprehje, “mbretëria e Hyjit”, në gjuhën e popullit hebre tregonte Hyjin që vepron në dobi të Izraelit, që e çliron prej çdo forme skllavërie dhe prej çdo të keqeje, e udhëheq drejt drejtësisë dhe paqes, e mbush me gëzim dhe me të mira; atë Hyj që Jezusi e zbulon si “atin” e mëshirshëm, të dashur dhe plot dhembshuri, të ndjeshëm ndaj nevojave dhe vuajtjeve të secilit prej bijve të tij.

Edhe ne kemi nevojë ta dëgjojmë shpalljen e Jezusit: “Erdhi ndër ju mbretëria e Hyjit”.

Duke vështruar përreth nesh shpesh kemi përshtypjen se bota është e sunduar nga e keqja, se njerëzit e dhunshëm dhe të shthurur kanë epërsi. Shpesh ndihemi në mëshirën e forcave kundërshtare, ngjarjeve kërcënuese, që na kalojnë para. Ndihemi të pafuqishëm përballë luftrave dhe fatkeqësive natyrore, katastrofave dhe ndryshimeve klimaterike, emigracioneve dhe krizave ekonomike dhe financiare.

Pikërisht këtu gjen vend shpallja e Jezusit, që na thërret të besojmë se Ai, qysh tash, po e mposht të keqen dhe po vendos një botë të re.

25 vjet më parë, në muajin mars, duke folur para mijëra të rinjve, Kjara Lubik ua besonte atyre ëndrrën e saj: “Ta bëjmë botën më të mirë, thuajse një familje, thuajse si një atdhe të vetëm, një botë solidare, madje një botë të bashkuar”. Atëherë, sikurse sot, kjo duket një utopi. Por që ëndrra të bëhej realitet, ajo u bënte thirrje që ta jetonin dashurinë e ndërsjelltë, me sigurinë se, duke vepruar në këtë mënyrë, do ta kishin në mesin e tyre “vetë Krishtin, të Gjithëpushtetshmin. Dhe nga Ai mund të shpresoni çdo gjë”.

Po, Ai është mbretëria e Hyjit.

Detyra jonë? Të përpiqemi që Ai të jetë gjithnjë në mesin tonë. Atëherë, vazhdonte Kjara, “do të jetë Ai vetë që do të veprojë bashkë me ju në Vendet tuaja, sepse ai, në një farë mënyrë, do të kthehet në botë, në të gjitha vendet ku ju ndodheni, duke u bërë i pranishëm prej dashurisë suaj të ndërsjelltë, prej bashkimit tuaj. Dhe ai do ta ndriçojë gjithë punën tuaj, do t’ju udhëheqë, do t’ju mbështesë, do të jetë forca juaj, zelli juaj, gëzimi juaj. Në saje të tij bota përreth jush do të kthehet tek harmonia, çdo ndarje do të fshihet. (…) pra, do të ketë dashuri mes jush dhe dashuri e mbjellë në shumë skaje të tokës mes individëve, mes grupeve, mes kombeve, me të gjitha mjetet, që të bëhet realitet pushtimi prej dashurisë, për të cilin flasim herë pas here, dhe të konkretizohet, edhe në saje të ndihmesës suaj, qytetërimi i dashurisë që të gjithë e presim. Për këtë jeni të grishur. Dhe do të shikoni gjëra të mëdha”[1]. Fabio Ciardi

[1]Festivali IV ndërkombëtari “Të rinjtë për një botë të bashkuar” (Genfest), Romë (Palaeur) 31 mars 1990, CN, 34, [1990], 7, fq. 34-39.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »