PAPËT DHE NËNA TEREZE: Papa PIU XII dhe e Lumja Nëna Tereze

Mar 16 • Opinion

 Nga Don Lush Gjergji

Nëna Tereze, ishte e njohur, çmuar dhe nderuar, por edhe e përkrahur nga  Papët,  pa të cilët, ajo sigurisht nuk do të ishte Misionarja me e njohur e shekullit XX, Nëna e botës së mjerimit dhe të vuajtjes, “Samaritanja” e ditëve tona në mbarë botën.

Papa Piu XII, ishte i njohur me qëndrim të vendosur që Kisha Katolike s’kishte më nevojë për themelime rregulltare të reja, por për shpirt dhe frymëzim të Zotit në jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Megjithatë përjashtim ishte “rasti” i Nënës Tereze. Ajo i kishte shkruar Papës Piu XII kështu: “Zoti më ka thirrur që t’i braktisja të gjitha për t’ia dhuruar vetveten Atij në shërbim të më të varfërve që askush nuk i donte”.

Nëna Tereze, kishte lutur dhe kërkuar së pari që  të dilte prej “Motrave të Loretos”, sipas urdhrit dhe kërkesës së Zotit. Këtë ia kishte lejuar Papa Piu XII më 12 gusht 1948. Me këtë  njëkohësisht  fillonte jetën dhe veprimtarinë e re, por edhe të mbeste murgeshë,  nën autoritetin e arqipeshkëvit të Kalkutës.

Në vitin 1950 Papa Piu XII e kishte autorizuar edhe zyrtarisht themelimin e rendit të ri të “Misionareve të Dashurisë”, që ishte edhe nisja e mbarë dhe e bekuar e këtij rregullit të ri të motrave.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »