Sa i besoj premtimit të Hyjit?

Mar 17 • Meditimi i ditës

17 mars 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Zan 17,3-9; Ps 104; Gjn 8,51-59)

 

Prania e Hyjit

 

Tashti të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesat e mia

dhe kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do

e shpështjell ditën që po mbaron,

duke filluar prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, nga çasti në çast.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 8, 51-59

 

51 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
ai që e zbaton fjalën time,
askurrë s’do ta shohë vdekjen”
52 [Atëherë] judenjtë i thanë:
“Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’ 53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”
54 Jezusi u përgjigj:
“Nëse unë e lavdëroj vetveten,
lavdi im është asgjë;
ka kush më lavdëron im Atë,
për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,
55 por ju nuk e njohët,
përkundrazi unë e njoh.
Po t’ju thoja se nuk e njoh,
do të isha gënjeshtar si ju.
Por unë e njoh
dhe e mbaj fjalën e tij.
56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt
nga dëshira për ta parë Ditën time.
E pa dhe u gëzua.”
57 Atëherë judenjtë i thanë:
“Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”
58 Jezusi u përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
përpara se të ishte Abrahami,
UNË JAM!”
59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?



Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jeta e Abrahamit ishte fillimi i historisë së shpëtimit. Në moshën e tij të vjetër ai iu përgjigj thirrjes së Zotit për t`u nisur në një udhëtim të pasigurt në Tokën e Premtuar. Ai besonte në premtimin që Hyji ia kishte dhënë. Katër mijë vjet më vonë, edhe ne jemi të thirrur si një popull shtegtar, kurse premtimi i është dhënë secilit prej nesh.

– “Kushdo që e mban fjalën time, ai kurrë nuk do ta shijojë vdekjen.” O Zot, a besoj përnjëmend në këto fjalë? Bëj që edhe unë ta dëgjoj fjalën tënde dhe ta zbatoj atë. Edhe unë duhet të jem “mbajtës i fjalës”.

 

Bashkëbisedim

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »