Shën Jozefi: Rojtar i kujdesshëm dhe besnik

Mar 18 • Këndvështrime

Parimi i përgjithshëm për të gjitha hiret e veçanta që mund t’i dhurohen ndonjë krijese me mend, është që kur begenia hyjnore e zgjedh dikë për një hir të veçantë ose për një gjendje shumë fisnike, ia dhuron njeriut të zgjedhur të gjitha dhuntitë e nevojshme për shërbesën e tij. Kuptohet se këto dhunti i sjellin nder të zgjedhurit. Ja, pra, çka ndodhi sidomos në të madhin shën Jozef, i cili qe mbajtur si ati i Zotit tonë Jezu Krishtit dhe qe fati i vërtetë i Mbretëreshës së botës dhe Zojës së engjëjve. Ai qe zgjedhur prej Atit të amshuar si kujdestar besnik dhe rojtar të visareve të tija kryesore, siç janë Biri i tij dhe Nusja e tij, dhe e kreu këtë porosi me më të madhen përkujdesje. Për këtë arsye, Zoti i thotë: Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd (khs. Mt 25, 21).

Po ta vendosësh shën Jozefin përballë mbarë Kishës së Krishtit, ai del njeri i zgjedhur dhe i veçantë, me anë të të cilit dhe nën të cilin Krishti hyri në botë në mënyrë të rregullt dhe të ndershme. Nëse, pra, gjithë Kisha shenjte i ka borxh Virgjërës Mari, sepse në saje të saj u çmua e denjë për ta pranuar Krishtin, kështu, pas saj, e ka për detyrë t’i shprehë Jozefit mirënjohje dhe nderim të posaçëm.

Ai e shënon përfundimin e Besëlidhjes së Vjetër dhe në të patriarkët e mëdhenj dhe profetët e fitojnë frytin e premtuar. Vërtet, vetëm ai pati mundësi ta gëzojë praninë fizike të atij i cili u qe premtuar nga begenia hyjnore.

Me siguri, Krishti nuk ia mohoi në qiell atë afërsi, atë nder dhe atë denjësi aq të lartë që ia shprehu ndërsa jetonte midis njerëzish, sikurse biri ndaj atit të vet, madje e çoi në më të lartën përkryerje.

Pra, nuk është pa arsye nëse Zoti shton: “Hyr në gëzimin e Zotërisë tënd”. Megjithëse është gëzimi i lumturisë së amshuar që hyn në zemrën e njeriut, Zotit i pëlqeu të thotë: “Hyr në gëzim”, për të treguar në mënyrë mistike se ai gëzim nuk është vetëm brenda tij, por e rrethon dhe i ngjishet nga çdo anë dhe e mbulon porsi oqean i pafund.

Pra, le të të bjerë ndër mend për ne, o Jozef i lum, dhe ndërmjetëso tek ai që qe quajtur biri yt me lutjen tënde të fuqishme; e na nxirr edhe ndihmën e së lumes Virgjërës Mari, fatit tënd, që është Nëna e atij i cili bashkë me Atin dhe me Shpirtin Shenjt jeton e mbretëron në shekujt e pafund. Amen. (Nga “Fjalimet” e Shën Bernardit nga Siena, meshtar).

jozefi

Truporja e Shën Jozefit në kishën e Shën Jozefit në Nazaret

Shpërndaje

Comments are closed.

« »