Jozefi, person i dhimbshur dhe i kujdesshëm

Mar 19 • Meditimi i ditës

19 mars 2016 – E shtunë, Shën Jozefi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2 Sam 7,4-5a.12-14a.16; Ps 88; Rom 4,13.16-18.22; Lk 2,41-51a ose Mt 1,16.18-21.24a)

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Zoti është këtu i pranishëm,
ai i jep gjallëri jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.

Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës që po kalon,
ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në fjalë që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 1,16.18-21.24a

 

16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,

prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht.

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– E vështroj Jozefin si personin e dhembshur që është i kujdesshëm dhe nuk dëshiron ta lëndojë Marinë, prandaj me kujdes i dëgjon ëndrrat e tija. Me siguri ekzistojnë situata që duhet t`i shmang dhe të krijoj kushte në mënyrë që të bëhem më i/e ndjeshëm/e ndaj lëvizjeve të Shpirtit të Zotit.

– Jozefi nuk kishte alternativa të shumta përveç të besonte në intuitën e vet duke njohur në të gishtin e Zotit.

Do të reflektoj se ku në jetë kam fituar hire pse kam pasur besim në Zotin.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.
Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »