Në heshjte fitojmë urtinë dhe forcën për të vepruar

Mar 21 • Meditimi i ditës

21 mars 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 42,1-7; Ps 26; Gjn 12,1-11)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

E marr me mend se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira në mënyrë që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 12, 1-11

 

1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri. 3 Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit. 4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.

7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 8 Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.”

9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin, 11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Te vizita dhe darka e mëparshme e Jezusit me Lazrin, Marta ishte ankuar që motra e saj Maria nuk e ndihmonte. Jezusi e patë përgëzuar Marinë për dëgjimin. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe tani. Marta vazhdon të shërbejë, kurse Maria e bën një gjest dramatik dashurie. Jezusi e përgëzon përsëri për dashurinë e saj.

– Në jetën time duhet të ketë kohë për veprim dhe kohë për Të arrihet një ekuilibër ndërmjet kësaj nuk është e lehtë. Megjithatë, në heshtje fitojmë urtinë dhe forcën për të vepruar.

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »