Arti i hapave të vegjël

Mar 22 • Kulturë

Nga Antoine de Saint-Exupery

Nuk po të lutem, O Zot, për mrekulli dhe parashikime,
po për të gjetur forcë në jetën e përditshme.
Ma mëso artin e hapave të vegjël.
Më bëj të sigurt në kohë kërkim-faljesh.
Ma ndriço mendjen që të di të dalloj ç’është më e rëndësishmja e çka më pak e rëndësishme.
Të lutem, më jep forcën e arsyes që t’i zgjedh/ pëlqej vetëpërmbajtjen dhe maturinë,
që gjatë jetës të mos rrëshqas, por që me arsye ta shquaj rendin e ditës, të vërej dritën dhe majat,
që herë pas here të gjej kohë për të bukurën, artin dhe kulturën.
Më lejo që të kem vetëdijen për ta kuptuar mirë se ëndrrat për të ardhmen nuk të çojnë larg.
Më ndihmo që të veproj mirë e drejtpërdrejtas,
që çastin e tashëm ta rinjoh si më të rëndësishmin.
Më ruaj nga qëndrimi naiv se në jetë çdo gjë mund të tejkalohet.
Më jep dhuntinë e njohjes së qartë të kuptoj se vështirësitë dhe dështimet janë përcjellës të përhershëm të jetës
– krahas të cilave rritemi dhe arrijmë pjekurinë.
Ma përkujto se zemra shpeshherë e turbullon arsyen.
Në çastin e duhur më dërgo miq, të cilët do të ma thoshin me aq durim të vërtetën.
Gjithmonë do t’iu lëshoj udhë njerëzve dhe Ty që të më flisni.
Të vërtetën nuk mund t’ia themi vetvetes, ajo na thuhet.
Ti e di se sa na duhet miqësia.
Të lutem, na e krijo mundësinë që të jemi të denjë për këtë dhuratë kaq të bukur,
kaq të kërkuar dhe kaq të ndjeshme.
Më dhuro kaq imagjinatë, që, në çastin e duhur e në adresë të duhur të dërgoj shërbimin postar
të një pakoje të vogël të mirësisë,
me një letër përcjellëse ose edhe pa të.
Krijoje nga unë njeriun që do të hapë thellë vazhdën bri anijes,
që t’i prekë sadopak edhe ata që janë “poshtë”.
Më liro nga frika në mos po e lënkam mënjanë jetën.
Mos ma dhuro atë që e dëshiroj, po atë që më duhet.
Më mëso artin e hapave të vegjël.

Përktheu nga frëngjishtja : Prend Buzhala

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »