Çfarë do të thotë për ty të jesh ‘fëmijë’ i Jezusit?

Mar 22 • Meditimi i ditës

22 mars 2016 – E Marta e Javës së Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,1-6, Ps 70; Gjn 13,21-33.36-38)

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejt me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

E lexoj pjesë leximin e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë

dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet diçka.

 

Gjn 13,21-33.36-38

 

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

njëri prej jush do të më tradhtojë.”

22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti:

“Zotëri, cili është?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”

Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.

Atëherë Jezusi i tha:

“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”

28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.

30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:

“Tani u lavdërua Biri i njeriut!

Edhe Hyji u lavdërua në të!

32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]

edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.

Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!

33 Fëmijëzit e mi!

Edhe pak kohë jam me ju!

Do të më kërkoni,

por, siç u thashë judenjve,

tani po ju them edhe juve:

‘ku unë po shkoj,

ju nuk mund të vini.’

36 Simon Pjetri i tha:

“Zotëri, ku mendon të shkosh?”

Jezusi [iu] përgjigj:

“Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”

38 Jezusi u përgjigj:

“Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Shkrimtari i Ungjillit i ka vënë re dy gjëra që i janë ngulitur përgjithmonë në mendjen e tij: ndryshimin në fytyrën e Judës, kur “Satani hyri në të” dhe errësirën në të cilën hyn kur e le sallën.

– Grupin e të rriturve rreth vetes së tij Jezusi e quan “fëmijëzit e mi”. Edhe pse ai e dinte se, përveç Gjonit, të gjithë do ta braktisin, megjithatë i quan “fëmijëzit e mi”. Çfarë do të thotë të jesh ‘fëmijë’ i Jezusit – çfarë do të thotë kjo për ty?

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

 Përmbyllje

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »