Java e Madhe dhe kremtimi liturgjik i saj

Nga Don Agim Qerkini

 

Java e Madhe që fillon të Dielën e Larit, është e karakterizuar me kremtimet e mistereve të shëlbimit, të cilat Krishti i kreu gjatë ditëve të fundit të jetës së tij. Kjo kohë liturgjike, si vazhdim i përgatitjes më intensive për kremtimin e Pashkëve, duke na mundësuar përthellimin në misterin e Mundimeve të Krishtit, fillon me hyrjen kremtore-mesianike të tij në qytetin e Jerusalemit. Në tri ditët e para, liturgjia na ofron mundësinë e meditimit mbi figurën e Shërbëtorit të Zotit (Leximet e Isaisë profet), ndërsa pjesët e ungjillit na flasin për vizitën e Jezusit në shtëpinë e Lazrit, paralajmërimin e tradhtarit dhe përgatitja për Darkën e Mbrame. Pjesa tjetër e Javës së Madhe e përbërë nga Treditëshi i Shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur, është koha kulmore e kremtimit të mistereve të shëlbimit tonë.

 

Rëndësia dhe e veçanta e kremtimeve të javës së Madhe bën që besimtarët të marrin pjesë në ritet e shenjta me më shumë fe dhe dashuri, në krahasim me devocionet tjera popullore.

Koha e shenjtë e Kreshmëve e filluar të Mërkurën e Përhime është kohë e cila na thërret në pendesë, lutje dhe agjërim, duke na nxitur në kthim shpirtëror. Devocionet e shumta me rastin e kësaj kohe, kremtimi i Udhës së Kryqes, këndimi i këngëve liturgjike tradicionale përkatëse etj., e shtojnë, padyshim, tek të gjithë ne përthellimin në fe, veçmas në misteret e ngjarjes së Mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit.

Gjatë kësaj kohe sidomos theksohet largimi prej mëkateve, kthimi dhe përmirësimi i jetës shpirtërore. Lidhur me këtë na mëson edhe Shën Augustini kur thotë: “Këto ditë të shenjta të Kreshmëve na obligojnë që të flasim mbi dashurinë vëllazërore dhe t’i japim fund urrejtjes ndaj vëllezërve…”.

Këtë kohë të shenjtë e përmbyllë Java e Madhe e cila ka për qëllim të na udhëzoj në adhurimin dhe meditimin më të thellë të Mundimeve të Jezu Krishtit duke filluar me të dielën e Larit, e quajtur edhe si e Diela e Luleve.

 

  1. E DIELA E LARIT

E Diela e Larit ka kuptim të dyfishtë: atë të lavdisë dhe të vuajtjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, si pjesë përbërëse të misterit pashkvor. “Hosana të Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Mbreti i Izraelit: Hosana në lartësitë qiellore”(Mt 21, 9). Kjo është antifona që shënon fillimin e liturgjisë e së Dielës së Larit.

Emri i vjetër i kësaj të diele në liturgji ishte “dominica de passione Domini” (shek. IV-V), duke vënë theksin në Mundimin e Jezu Krishtit. Më vonë, kjo e diele do të quhet “Dominica palmarum” ose “Dominica in palmis”. Ky emërtim është ruajtur deri në ditët tona, vetëm se, me reformën e Koncilit II të Vatikanit, këto dy shprehje janë bashkuar për të shënuar një mister, atë të Pashkëve: “Dominica in palmis de passione Domini” – E diela e Larit e Mundimeve të Krishtit.

Në vendet ku nuk kishte palma kjo e diele është quajtur sipas lules që përdorej në atë vend, apo edhe të ndonjë ngjarjeje që karakterizonte atë ditë. Kështu bie fjala “Pascha florum” ose “Pascha floridum” (Emri i siujdhesës amerikane Floridës); Pastaj kjo e diel quhej edhe “Capitulavium”, (në Spanjë katekumenët pastronin kokën si përgatitje për pagëzim), pastaj “Pasha competentium” (Në Gali u jepej simboli i fesë të posa pagëzuarve), “Dominica indulgentiae” (Dita kur amnistoheshin të burgosurit), pra, gjithmonë e lidhur ngushtë me ndonjë ngjarje si përgatitje për kremtimin e pashkëve.

Sipas dëshmive të Egjerisë, rreth vitit 400 përkujtimi i hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem zhvillohej në këtë formë: pas dite, besimtarët bashkoheshin në Malin e Ullinjve për të kremtuar shërbesën e Fjalës, për të hyrë në mbrëmje me rrema palmash dhe ullinjsh në dorë drejt qytetit të Jerusalemit. Kah fundi i shek. VIII do të filloj të zhvillohen procesione më të organizuara, duke përdorur edhe elemente folkloristike dhe dramaturgjike në këtë ceremoni.

Liturgjia e kësaj të diele ndahet në dy pjesë. Bekimi i rrembave që vazhdon me procesion dhe përkujtimi i Mundimeve dhe vdekjes së Krishtit.

Ditët deri të Enjten e Madhe i përkasin kohës së Kreshmëve dhe karakterizohen nga ngjarjet e fundit të Jetës së Jezu Krishtit.

Në tri ditët e para të Javës së Madhe liturgjia na ofron mundësinë e meditimit mbi figurën e Shërbëtorit të Zotit, të cilin e përshkruan Isaia profet, që, qysh të krishterët e parë, e kanë identifikuar me figurën e Krishtit. Ndërsa, në pjesët e Ungjillit që lexojmë gjatë këtyre tri ditëve, del në pah tradhtari i Jezu Krishtit, Juda Iskariot. Këtë fakt do ta shpall vet Krishti me fjalët: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Njëri prej jush do të më tradhtojë” (Gjn 13,21).

Përkundër kësaj, nxënësit tjerë janë në prag të festës së Pashkëve dhe e pyesin Jezusin: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” (Lk 14,12b), duke mos ditur ende se kishte ardhur koha e lavdërimit të Birit të njeriut (khs. Gjn 13,31), që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!” (Mt 20,28).

 

2.      TREDITËSHI SHENJTË

Festën e Pashkëve në fillim Kisha e ka festuar vetëm një ditë edhe atë natën në mes të Shtunës së Madhe dhe të Dielës së Pashkëve. Më vonë (gjatë shek. IV) zhvillohet “Treditëshi i shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur.” Kremtimi liturgjik i këtyre tri ditëve fillon në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe deri të Dielën e Pashkëve.

 

2.1.   E ENJTJA E MADHE

Të Enjten e Madhe, në Darkën e Mbrame me apostuj, Jezu Krishti themelon sakramentin e Eukaristisë dhe të Meshtarisë.

“Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: ‘Merrni, hani: ky është trupi im!’ Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha: ‘Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im ‑ gjaku i Besëlidhjes ‑ që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. Unë po ju them: që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi ‑ një verë të re ‑ në Mbretërinë e Atit tim.’ Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve” (Mt 26, 26-30).

Sipas dëshmive të Egjerisë, në këtë ditë Eukaristia në Jerusalem kremtohej dy herë, edhe atë, e para pas dite për të përmbyllur kohën e Kreshmëve, pastaj, menjëherë tjetra për të përkujtuar themelimin e Eukaristisë. Kah mesi i shek. IV shumë kisha praktikonin këtë përvojë të kremtimit Eukaristik “Natale Calicis”.

Liturgjia e kësaj dite përfshinë kremtimin e Meshës së shugurimit të vajrave të cilën e prinë ipeshkvi në bashkëmeshim me meshtarë dhe rregulltarë të Kishës lokale, dhe më vonë atë të Darkës së Mbrame apo themelimit të Eukaristisë. Me këtë Meshë është e ndërlidhur edhe tradita e larjes së këmbëve apostujve (traditë e ashtuquajtur mandatum – urdhër), duke i përkujtuar fjalët e Krishtit i cili i mëson nxënësit e vet: “A e kuptoni çka ju bëra? Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju” Gjn 13,12b-15). Përmes këtij gjesti të Jezu Krishtit ndaj apostujve shprehet qartë porosia e tij që u jep nxënësve; urdhrin e dashurisë dhe të jenë gjithmonë në shërbim të njerëzve.

Gjatë kësaj meshe shugurohen hostjet edhe për të premten e Madhe. Ato zhvendosen nga vendi qendror i mëparshëm dhe ruhen në tabernakull në kapelë ose në ndonjë vend të përshtatshëm në kishë. Kjo simbolikë, mbi të gjitha i referohet lutjes së Krishtit në Gjetseman dhe natës të cilën ai e kalon para Këshillit të lartë (Sinedrit). Përqendrimi ynë në uratë gjatë kësaj nate, i bën shoqëri Krishtit, i cili, pas djersitjes gjak në Gjetseman, fillon t’i pësojë mundimet për shëlbimin tonë. “Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë”. Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezusit për ta vrarë. (Mt 26,57.59).

Pra, pas themelimit të Eukaristisë dhe meshtarisë, përqendrimi i vëmendjes zhvendoset tek misteri i flijimit të tij që pason pas kësaj nate, ai i kryqëzimit dhe vdekjes së tij. Më pas vazhdon zbulimi i lterit kryesor si shenjë zie e mbarë Kishës për vdekjen e Krishtit. Për të theksuar këtë, edhe tradita e Kishës parasheh që te “lavdia” të bien zilet dhe kumbonat, të cilat pastaj nuk përdoren më deri në intonimin solemn të “lavdisë” së vigjiljes së Pashkëve. Kështu, të premten dhe të shtunën  e Madhe, Kisha përkujton Mundimet dhe vdekjen e Krishtit në mal të Kalvarit.

 

2.2.E PREMTJA E MADHE

Shënimet e para për liturgjinë e të Premtes së Madhe i hasim në përshkrimet e Egjerisë, të cilat i kishte shkruar gjatë shtegtimit në Tokën e Shenjtë. Rreth vitit 400 të krishterët e Jerusalemit bashkoheshin në mëngjesin e kësaj dite për të adhuruar kryqin, ndërsa në mesdite për liturgjinë e shërbesës së fjalës që përmbyllej rreth orës tre. Leximet kryesisht përbënin pjesë nga Mundimet e Jezu Krishtit. Adhurimi i Kryqit bëhej vetëm aty ku kishte relike të Kryqit, kështu që, ky adhurim bëhej edhe në Romë pasi që perandoresha Helena kishte sjellë si dhuratë një relike të tillë në këtë qytet. Deri në shek. XI kremtimi i të Premtes së Madhe ka pasur zhvillime të cilat kanë rezultuar me pjesë të cilat janë ekzistuese edhe sot: Shërbesa e fjalës; Adhurimi i Kryqit dhe Kungimi.

Kjo ditë për të krishterët në gjithë botën është ditë agjërimi. Kisha porositë që ky agjërim të mbahet deri në Vigjiljen e Pashkëve.

Kremtimi i liturgjisë së kësaj dite fillon me prostratio (shtrirja në heshtje e meshtarit në tokë para lterit), ndërsa të gjithë besimtarët bien në gjunjë. Pastaj, në shërbesën e fjalës vëmendja është e përqendruar tek leximi i Mundimeve të Krishtit.

“Kryqi, dru dhimbjesh e vuajtjesh, lter gjaku e flije zen vendin e parë në ritet fetare”… Kështu, “me adhurimin e Kryqit besimtarët ndjekin shpirtërisht tragjedinë e Golgotës, të paraqitun aq gjallë e aq thekshëm në Ungjillin e Shën Gjonit” (Meshari i të kremteve, At D. Gjeçaj, Romë 1966).

Pas leximit të Mundimeve të Krishtit mbahet një homili e shkurtër dhe vazhdohet me Orationes solemnes (lutjet e gjithmbarshme). Më pas bëhet adhurimi i Kryqit për të përfunduar me pjesën e tretë që është kungimi.

Sot, më mirë se kurrë, e kuptojmë se të kungohesh me Korpin e Krishtit d. t. th. të marrësh pjesë në Flijimin e tij – të dish t`i pranosh edhe vuajtjet nga dashuria për të afërmin.

 

2.3. E SHTUNA E MADHE

Në këtë ditë nuk ka kremtim të Eukaristisë e as të shërbesës së fjalës, por me mendje e zemër lutemi duke përkujtuar Krishtin në varr i cili pret momentin e ngjalljes së vet të lavdishme.

2.3.1.      Vigjilja e Pashkëve – Nata e Shenjtë

Triduum Paschale pjesën qendrore e ka në Vigjiljen e Pashkëve. Shën Augustini për këtë natë shkruan kështu: Nata e Pashkëve është “Nata e shenjtë, nata nënë e të gjitha netëve të krishterimit”.

Në këtë Vigjilje, Kisha pret me vigjilencë ringjalljen e Krishtit. I gjithë kremtimi duhet të mbahet natën, kështu që fillon pasi të bie nata ose duhet të përfundoj para agimit të së dielës.

Vigjilja e Pashkëve sot përmban këto katër pjesë:

  • Shërbesa e Dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës.
  • Shërbesa e Fjalës: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet.
  • Shërbesa e Pagëzimit: Sakrament ky përmes së cilit kalojmë nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe
  • Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me Korpin e Krishtit të ngjallur.

Nga përmbajtja e liturgjisë e natës së shenjtë, e cila është më e pasura për nga ritet, po veçojmë disa prej momenteve dhe simbolikës që e karakterizojnë atë, me qëllim që ta njohim dhe përjetojmë më mirë këtë kremtim solemn.

Shërbesa e Dritës fillon me bekimin e zjarrit, prej të cilit ndizet qiriu i pashkëve. Zjarri është simbolikë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun e Pashkëve gdhendet kryqi mbi të cilin vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vendosen katër numrat e vitit vijues, pastaj mund të vihen pesë kokrrat e kemit po ashtu në formë kryqi. Prej zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve, që simbolizon Krishtin e Ngjallur.

Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë diakoni, ose kur nuk ka diakon, vetë meshtari, duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te lteri: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin.

Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmban pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet; d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika e bletëve.

Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon shërbesa e fjalës.

Për shërbesën e Fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mund të reduktohen në më së paku dy, por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë).

Pas leximit të fundit të BV dhe lutjes meshtari intonon “lavdinë”…, bien kambanat, ndërsa vijon lutja dhe leximi i letrës nga BR. Kur kjo përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe homilia.

Në shërbesën e Pagëzimit nëse ka katekumenë (të rritur për pagëzim) bëhet paraqitja e tyre si dhe e nunave, e nëse nuk ka asnjë për pagëzim ftohet bashkësia në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. Luten litanitë e të gjithë shenjtërve dhe bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit. Lihet Besojma.

Shërbesa Eukaristike është shërbesa qendrore e këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: Me Krishtin kalojmë nga vdekja në jetë. Mesha vazhdon si rëndomë me prefacion dhe lutjet përkatëse.

 

E DIELA E PASHKËVE

Meqë kremtimet e vigjiljes së Pashkëve mbaheshin gati deri në mëngjes dhe përmbylleshin me kremtimin Eukaristik, në kohët e mëhershme nuk është kremtuar Mesha në mëngjesin e së dielës së Pashkëve. Vetëm pasi Vigjilja e Pashkëve fillon të kremtohet më herët atëherë edhe mesha e paradites e së dielës së Pashkëve do të fillojë të shndërrohet në Meshën solemne të Pashkëve.

Ky kremtim solemn do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së Pashkëve, prej të dielës së Ringjalljes deri të dielën e Rrëshajëve (50 ditë), duke kremtuar në lavdërim dhe gëzim si të ishte një ditë e vetme feste, për më tepër si e “diela e madhe”.

Janë këto ditë në të cilat në mënyrë të veçantë këndohet “aleluja” duke kremtuar ngadhënjimin e Krishtit mbi vdekjen./drita.info

Shpëndaje: