Festa e Shën Jozefit në Stubëll

Mar 23 • Kisha në Kosovë

Të shtunën, më 19 mars, me solemnitet të madh u kremtua festa e pajtorit të Stubllës, Shën Jozefi. Dita e Shën Jozefit na doli me diell, ditë e bukur ku edhe moti simbolikisht na tregoi ngadhënjimin e diellit të ri, pas një dimri të gjatë me borë. Qysh në orët e mëngjesit filloi populli të tubohej në Kishën e Shën Jozefit. Kremtimi i meshë së parë për festë ishte në orën 8:00 të mëngjesit, kurse në orën 9:00 shtegtarët kroatë nga Janjeva dhe Letnica, patën meshën në gjuhën e tyre të udhëhequr nga famullitari i Janjevës, Don Mato Paliqi.

Meshën kremtore të festës e udhëheqi At Aurel Gjerkaj, Ministër Provencial i Françeskanëve në Shqipëri në bashkëmeshim me meshtarë të tjerë.

Në pretkun e rastit At Aureli na foli për figurën e Shën Jozefit, i cili ishte rojës e besnik i Virgjërës Mari dhe i Jezu Krishtit. “Figura e Shën Jozefit duhet të jetë shëmbull i dëgjimit dhe i jetës sonë. Familja jonë duhet të bëj më shumë në rrugën drejt Zotit, sepse duke e ndërtuar një familje të vogël të shëndosh, ne ndërtojmë një bashkësi të krishterë të shëndoshë. Ne nuk kemi nevojë ta kemi “numrin” e Zotit për ta thirrur Atë dhe për të biseduar me Të, sepse Zoti na ka dërguar vet “numrin” e Tij kahmoti, dhe ai numër janë njerëzit, pra vëllezërit e motrat përreth nesh” – tha At Aureli.

Të përmendim se festës së Shën Jozefit i ka parapri treditëshi përgatitor, i begatuar me përshpirtëri dhe meshë. Për të qenë sa më i pasur shpirtërisht kjo përgatitje ishin thirr meshtarë të kryesonin meshën e të mbanin homeli rreth figurës, përshpirtërisë dhe ndjekjes së këtij shenjti të rëndësishëm për fenë tonë të krishterë.

Në ditën e parë ishte i ftuar Don Kristë Gjergji, famullitar i Shenjtërores në Letnicë, në ditën e dytë

Don Kastriot Gjoni, administrator i famullisë së Peshterit dhe përgjegjës i Zyrës për Katekumenë, kurse në ditën e tretë Don Marjan Marku, meshtarë i inkardinuar në Dioqezën e San Gallen të Zvicrës.

Shën Jozefi, lutu për ne!

Për Dritën: Anton Gjergji, Stubëll

Shpërndaje

Comments are closed.

« »