Meshtari: një dhuratë e Jezusit për njeriun

Mar 23 • Këndvështrime

 

Nga Veneranda Qerimi

Të dielave, në rendin e ditës, kam takimin më të rëndësishëm të javës, që pavarësisht angazhimeve të përditshmërisë, nuk ndryshon. Përkundrazi bëhet edhe më i thellë e më i bukur! Shkoj të takoj Jezusin, Jezusin Eukaristik. Në fakt, e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur nëse Ai vetë nuk do ta kishte paramenduar këtë gjë, kur nën trupin e njeriut gjendej akoma mbi tokë. Ai, vet deshi që të qëndronte i gjallë në mesin tonë… Prandaj vendosi që të bëhej “skllav” i fjalëve njerëzore, vendosi që ne njerëzve të na e dhuronte një pushtet të tillë.

“Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt. U tha:“Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj, sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.”Atëherë mori gotën, falenderoi e tha:“Merreni e ndajeni mes jush! Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të pi më fryt hardhie derisa të vijë Mbretëria e Hyjit.” Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: “Ky është trupi im që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju. ” (Lk 22. 14-20)

Atëherë këto fjalë Jezusi jua ka thënë apostujve, ndërsa sot këto fjalë na i drejton çdo ditë nëpërmjet të zgjedhurve të Tij, Meshtarëve. Në atë mbrëmje në të cilën Ai gjendej para agonisë së tij, këtyre burrave jua dha pushtetin që ata ta bënin atë të pranishëm në Bukën dhe Verën: ta bënin të gjallë me mish e gjak. 

E, pra, Meshtaria është një sakrament që ka lindur dhe buron prej zemrës së vetë Jezusit që në Eukaristi bëhet Zemra e tij. Ai i zgjedh, i rrit, i udhëheqë në vështirësitë e jetës, i forcon e i mbështet meshtarët, shpesh edhe duke qenë aq i gjallë në duart e tyre, i “braktisë” për t‘i bërë më të fortë. 

Të jesh Meshtar i Jezusit, është dhurata më e madhe që një njeriut mundet t’i bëhet – që mund t’i bëhet Atij edhe njerëzimit. Bota pa ta, do të ishte shumë e varfër, nuk do e kishte kurrë kuptimin e saj. Siç thoshte Shën Gjon Maria Vianey: 100 vjet pa meshtarë dhe njerëzit do përfundojnë duke adhuruar kafshët. Ata, lënë gjithçka, braktisin Nënë e Babë, vëllezërit, motrat, shoqërinë, vendin… vetveten për të qenë krejt të Krishtit, të Krishtit në shërbim të njerëzve. Sa pak i vlerësojmë! Tepër pak, sepse kur ne mendojmë mbi personin e meshtarit ndalemi të meditojmë mbi gjera sipërfaqësore, të cilat kurrsesi nuk e mbushin dhe nuk i japin kuptim jetës. Shpesh dëgjojmë të thuhet ose edhe ne vetë e shprehim: ata jetojnë si mbretër. Ndërsa unë do thosha, cili mbret mund të krahasohet me një meshtar?! Në radhë të parë, sepse mbretërit vetëm urdhërojnë, e këtë e bëjnë vetëm me njerëz. Ndërsa meshtarët i thonë Hyjit eja nga qielli e Ai vjen, bekoje vëllain, motrën, të sëmurin, nevojtarin… e Hyji e bën. Por urdhërojnë edhe shumë njerëz të cilët falë fjalëve dhe forcës së një meshtari ndërrojnë jetë… Sigurisht atë shprehje njerëzit e përdorin për të shprehur tjetër gjë por unë do thosha… nëse një meshtar jep gjithçka që të këtë një kishë (ndërtesë fizike) famullitare të bukur, një shtëpi të bukur, një vend të bukur ku ai e çon një pjesë të vogël të kohës (sepse pjesën më të madhe e kalojnë mes njerëzve) çfarë të keqeje ka? Vallë, kur pas disa viteve Zoti do e thërras në një vend tjetër a do i marrin këto të mira me vete? Jo, Kisha është e jona, ne do vazhdojmë ta takojmë Jezusin aty, edhe Famullia është e jona sepse përsëri ne aty do e kërkojmë meshtarin tjetër. Aty do shkojmë të kalojmë (nëse duam) orë të bukura në shoqëri të një miku, i cili nuk do i përçojë “thesaret” e tua tek dikush tjetër, siç do bënin miqtë e tjerë. Tek e fundit në ambientet e atij vendi, prindërit e tu janë përgatitur për tu martuar, janë përgatitur për të të pagëzuar, ti je përgatitur për sakramentet e tjera, je rrëfyer, je përgatitur për Kungim, Krezmim dhe për sakramentin e kurorës. E pra nuk qenka shtëpia e meshtarit. Tek e fundit sa herë i duhet atij, ta lërë shtëpinë shpesh edhe rehatinë e pushimit për të vrapuar në shpëtimin e shpirtrave. Sa herë duhet që ai të vije na bekojë, mua, ty, familjet dhe shtëpitë tona! Por ne prapë nuk mjaftohemi, sepse na duket se famullitari, meshtari ynë është “trendy“ sepse e ka makinën e mirë, ka celular të modelit të fundit, vishet me rroba të mira… Pse, po të mos i kishte të gjitha këto, si do të mund të vinte ai për të na vizituar në familje, ose kush do e mbrojë atë nëse natën pa makinë do i duhej të shkojë të vajojë një të sëmurë, a do mund të shkonte?! Vallë a duhet lënë që vetë Krishti të zbresë mbi një trup të veshur keq, a është e denjë për Hyjin një gjë e tillë? Unë do thosha, jo. E pra, nuk duhet t’i peshojmë të gjitha gjërat me peshoren tonë, sepse mund të jetë shumë e kufizuar. Të kemi meshtarë në botë vlen shumë më shumë se të gjitha këto vogëlsira që ne i shohim, vlen shumë më shumë…

Ne, si popull, e kemi provuar çfarë do të thotë të synosh “ta vrasësh Krishtin”, e kemi provuar dhimbjen e humbjes së meshtarëve, e kemi provuar çfarë do të thotë t’ia besh qejfin vetes, duke i mbytur ata qe e sjellin Hyjin mbi tokë. Sa nga ne, jemi pagëzuar fshehurazi: a nuk do të thotë kjo që ai meshtar ka qenë i gatshëm të japë jetën për të shpëtuar shpirtrat tanë. Oh, sa e falënderoj dhe e bekoj Zotin për ujin e derdhur mbi kokën time nga duart e meshtarit ditën e pagëzimit tim. Si do isha bërë e Jezusit nëse ai meshtar nuk do ma kishte bërë këtë hir? E falënderoj Jezusin për derën e hapur që familje të ndryshme e kanë mbajtur gjithmonë të hapur ndaj meshtarëve, gjatë errësirës komuniste dhe pas sajë. Ndjej se ata janë pjesë e familjes tonë dhe ne jemi të tillë si rezultat i bekimeve të tyre. Si fëmijë, mbaj mend se ardhja e meshtarit në familje apo edhe në fshat ishte arsye feste. Ai ishte njëri prej nesh edhe pse ndoshta ishte lindur dhe rritur në një kulture krejt tjetër. Ata janë vëllezërit tanë, ashtu sikurse nga ana e gjakut janë bijtë, vëllezërit, axhallarët, daja, kushërinjtë… e disave, në Gjakun e Atij Jezusi që shndërrohet në duart e tyre, me më shumë arsye janë edhe tanët. 

Në vend që të flasim keq për ta, le të lutemi, në vend që t’i refuzojmë, le ta falënderojmë Zotin, e ta lusim që të mos na privojë prej tyre. Ndryshe ku do e takonim Jezusin e gjallë? Kujt do mund t’ia hapnim zemrën për brengat tona? Kush do të mund të na pajtonte me Hyjin? Kush do mund të na e qetësojë shpirtin në orët e stuhisë? Kush do mund të kremtonte Meshë për ne? E pra askush, sepse ata janë të vetmit, dhe janë të tillë për mua, për ty! Jo për vete! Meshtaria është dhuratë që Jezusi jua bën atyre për shërbimin tonë, për të na forcuar, për të mos na lënë vetëm në rrugën e shëlbimit dhe lypset që, as ne mos t’i lëmë vetëm në rrugën e zyre të shërbimit. Duhet ta lusim Zotin për ta, nuk është detyrë e familjarëve të gjakut që ata i përkasin, por është detyrë e jona, sepse ata na përkasin ne. E nëse takojmë dikë që nuk është në lartësinë e duhur, nuk duhet ta fajësojmë atë assesi por vetveten që nuk jemi lutur aq sa duhet. 

“Po të kishim fe të mjaftueshme, do të shikonim Hyjin të fshehur në meshtarin, sikurse një dritë pas xhamit apo sikurse verën e bashkuar me ujë”, thoshte i përvuajti Shën Gjon Maria Vianey.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »