Miq “të panjohur”

Mar 23 • Meditimi i ditës

23 prill 2016 – E Mërkura e Javës së Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 50,4-9a; Ps 68; Mt 26,14-25)

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

 Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit avash, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo shprehje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 26,14-25

 

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

 17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:

“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

18 Ai u tha:

“Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë, Zotëri?”

23 Ai iu përgjigj:

“Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:

“A mos jam unë, Mësues?”

“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

 –  Thuhet se secili prej nesh e ka “çmimin e vet”. Juda vendosi që ta tradhtojë Jezusin me çmimin e një skllavi. Por “çmimi” jonë s`është e thënë patjetër të jetë në para. Mund të jetë karriera jonë, suksesi, pozita shoqërore, pushteti, ndikimi, rehatia e jetës, të mësuarit, dhe shumë gjëra të tjera. Me çfarë do mund ta tradhtoja Zotin tim?

–  Ne priremi të mendojmë se miqtë e Jezusit janë vetëm ata që janë të përmendur me emra në Ungjill ose ata që kanë udhëtuar me të. Por ai gjithashtu kishte miq të tjerë, siç ishte ai që e mirëpriti për Pashkë, dhe emri i tij mbeti pa u shënuar – i panjohur. Pra, kështu është edhe sot. Jezusi ka shumë miq që nuk i dimë dhe mund të gjenden në vende të papritura. Ne, bashkësia e “Momentit të shenjtë”, jemi në mesin e tyre.

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »