Për të shërbyer apo/dhe për të qenë shërbyer

Mar 24 • Meditimi i ditës

24 mars 2016 – E ENJTJA E SHENJTË, Momenti i Shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 12,1-8.11-14; Ps 115; 1 Kor 11,23-26; Gjn 13,1-15)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më shpien në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe kuptimin e pranisë sate.

 

Liria

 

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 13, 1-15

 

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha:

“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”

7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”

8 Pjetri iu përgjigj:

“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”

“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”

9 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”

10 Jezusi i tha:

“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha:

“A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?



Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Shkrimtar i Ungjillit është i habitur për shkak të asaj çfarë kishte bërë Jezusi duke ua larë këmbët dishepujve. Kjo ishte puna e skllevërve. Shkrimtari është duke u përpjekur të nxjerrë në pah se kush është Jezusi – prej nga ka ardhur dhe kah po shkon.

– Gjoni ungjilltar na sjell atë çka është në qendër të eukaristisë: nuk e jep përshkrimin e shndërrimit të bukës dhe verës, por shikimin në zemrën e Jezusit që shërben.

Me përvujtëri do të falënderoj që mund t`u shërbej të tjerëve. Do të lus që edhe veprat e mia të vogla të shërbimit të mund të jenë për të mirën e botës dhe për më të madhen lavdi të Zotit.

– Pjetri e ka çmuar më shumë pavarësinë e tij duke e refuzuar, pa u trembur, veprën “e panevojshme” të shërbimit të përvuajtur të Jezusit.

Më ndihmo, o Zot, që me zemërgjerësi të lejoj që të jem i/e shërbyer dhe që të njoh në ata që kujdesen për mua. Do të marrë pjesë në meshën e Darkës së Zotërisë.

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »