Mesha e krizmës në Katedralen “Zoja Ndihmëtare”

Mar 25 • Kisha në Kosovë

Me të Enjten e Madhe fillon Treditëshi Pashkor apo Treditëshi i shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur.

Tradicionalisht, sipas liturgjisë së shenjtë katolike, e enjtja e madhe fillon me meshën e krizmës, që shqip mund të thuhet edhe mesha e bagmit të shenjtë, sipas përdorimit tradicional që nga Meshari i Buzukut. Këtë meshë e kremton Ipeshkvi i Kishës lokale në bashkëkremtim me meshtarët, paradite në katedralen e Ipeshkvisë, gjatë së cilës ripërtërihen premtimet meshtarake nga të gjithë meshtarët dioqezan dhe shugurohen vajrat e shenjtë – për të sëmurë, për katekumen dhe krizma apo i përforcimit , të cilat përdorën nga të gjithë meshtarët gjatë vitit, deri në të enjten e madhe të vitit të ardhshëm.

Edhe sivjet, Kisha jonë në Kosovë, pati Meshën e Krizmës në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren, të kryesuar nga Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, me të gjithë meshtarët, me disa murgesha dhe besimtarë. 

Gjatë homelisë së tij Ipeshkvi u ndal në shpjegimin e meshtarisë ministeriale, rëndësinë që ka për Kishën dhe çdo besimtarë, bashkimin e Ipeshkvit me meshtarët, si formë e dukshme e të qenit një në Kryemeshtarin Krishtin, i cili e dhurojë pushtetin dishepujve të vet që ta bëjnë të pranishëm Atë në trajtën e bukës dhe verës eukaristike. Është ky viti i dhjetë – tha ipeshkvi – që bashkohemi në këtë Katedrale për të kremtuar këtë meshë. Duhet të falënderojmë Zotin për këtë dhuratë të punës së përbashkët në shërbim të Kishës, por të mos ndalim veprën tonë të shenjtë në dobi të shpirtërave që na janë besuar. Kisha ka nevojë për ne, për shërbesën tonë, por jo vetëm besimtarët tanë e ndjejë këtë nevojë, por të shkojnë edhe te delet e humbura, që, ashtu si vetë Jezusi, ta bashkojmë me grigjën.

Ishte një ditë e dëftimit të manifestimit të bashkësisë, Kishës, Trupit Mistik të Krishtit, një festë e meshtarisë ministeriale. Të jenë të gjithë së bashku meshtarët me ipeshkvin në kremtim eukaristik, së paku njëherë në vit, është vërtetë një festë, sepse meshtarët janë dëshmitarë dhe bashkëveprues të ministerit të krizmës shenjte, e cila si ilaç për shëlbim ndahet prej duarve të të shuguruarve – meshtarëve. Këtu shprehet edhe në formë të dukshme ai bashkim ministerial i meshtarëve dhe diakonëve me Ipeshkvin.

Po ky bashkim shpirtëror i pandashëm, mishërohet dhe bëhet prani në ndarjen e sakramenteve, në mënyrë të veçantë, kur bëhet shugurimi i vajrave të shenjtë:

Vaji i të sëmuarve: për lyerjen sakramentale të atyre që lëngojnë nga sëmundja, të cilët me mundimin e tyre marrin pjesë në mundimet shëlbimprurëse të Krishtit.  

Vaji i katekumenve: për lyerjen e atyre që do të pranojnë pagëzimin, për t’i përforcuar në shpirt e trup, që të mund ta mposhtin djallin dhe mëkatin, deri në marrjen e sakramentin e pagëzimit.

Vaji i krizmës: ky vaj është aq i rëndësishëm sa që edhe Mesha ka marrë emrin e tij. Përdorët në pagëzim, në krezmim dhe në sakramentin e urdhrit të shenjtë. Çdo besimtarë i cili është lyer me këtë vaj në pagëzim, shenjon të krishterët se janë pjesëmarrës të Misterit Pashkor të Krishtit, në varrim dhe në ringjallje.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »