Duke vështruar, pritur dhe medituar për atë çfarë ndodhi…

Mar 26 • Meditimi i ditës

26 mars 2016 – E SHTUNA E SHENJTE, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e Vigjiljes së Pashkëve)

 

Prania e Hyjit

 

Do të ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë sesi jam realisht.

Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 27,57-66

 

57 Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. 58 Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. 59 Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër 60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi.

61 Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin përballë varrit.

 62 Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes ‑ u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati 63 dhe i thanë:

“Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’

64 Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.”

65 “Rojën e keni! ‑ u përgjigj Pilati ‑ Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.”

66 Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– E vështroj Pilatin dhe Jozefin nga Arimateja të pranishëm pranë trupit të vdekur. Pilati e dinte se Jezusi është i pafajshëm, mirëpo nga frika për pozitën personale e dorëzoi në vdekje. Jozefi nga Arimateja besonte në Jezusin dhe shpresonte si nxënës i tij. Pilati dëshiron ta heq qafe trupin. Jozefi e merr me respekt të madh. E shikoj sesi e vendos trupin me dashuri dhe kujdes të madh në varr që e kishte përgatitur për vete.

– Jozefi shkon ndërsa unë rri me Marinë Magdalenë dhe Marinë tjetër, duke vështruar, pritur dhe medituar për atë çfarë ndodhi ditët e kaluara.

 

Bashkëbisedimi

 

Nganjëherë nuk di çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit o Zot që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »