Ngjallja e Krishtit – shndërrimi i historisë njerëzore

Mar 27 • Meditimi i ditës

27 mars 2016 – PASHKËT – NGJALLJA E ZOTIT, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 10,34a.37-43; Ps 117; Kol 3,1-4 ose 1 Kor 5,6-8; Gjn 20,1-9)

 

Prania e Hyjit

 

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam realisht.

Si është duke kaluar dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e ke kaluar në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 20, 1-9

 

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. 6 Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 9 Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.

  

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – “Është dita e parë e javës.” Maria Magdalenë është dëshmitarja e parë e ngjarjes, që shënjon jo vetëm fillimin e javës së re por edhe shndërrimin e historisë njerëzore. E pra ende është “errësirë” dhe ajo nuk e kupton çfarë ka ndodhur.

Ndalem para këtij misteri.

– Pjetri dhe nxënësi tjetër, që besnikërisht kishte qëndruar pranë kryqit, po vraponin për te varri. Ky nxënësi tjetër “pa dhe besoi”. Pjetri, vepra e fundit e të cilit kishte qenë mohimi i Jezusit, ende nuk beson.

Çka më pengon që të besoj më fort?

– Kur Jezusi e ngjalli Lazrin u desh ta çlironin nga pëlhurat që i kishte mbi veti. Pëlhurat e Jezusit ishin të paluara dhe të vendosura anash – provë e pushtetit të tij mbi vdekjen.

Qëndroj në hyrje të varrit dhe shikoj varrin e zbrazur.

A e kuptoj dallimin në mes ringjalljes së Lazrit dhe të Jezusit?

 

 Bashkëbisedimi

 

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »