Gëzimi, shenjë e sigurt e pranisë së Zotit

Mar 28 • Meditimi i ditës

28 mars 2016 – E hëna e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 2,14.22-32; Ps 15; Mt 28,8-15)

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithçkaje që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, me besim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mt 28, 8-15

 

8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha:

“Ju falem!”

Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.

10 Atëherë Jezusi u tha:

“Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”

11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë:

“Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. 14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.”

15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Thuhet që gëzimi është shenjë e sigurt e pranisë së Zotit. Gratë e kanë provuar një gëzim të papërshkrueshëm.

Kur e provoj këtë moment çlirues dhe kreativ në jetë mund të jem i/e sigurt se Jezusi i ringjallur është duke vepruar në mua.

– Gratë e kishin marrë lajmin e varrit të zbrazët ndërsa tash po e shihnin sesi “po ju del përpara”.

Çfarë ndiejnë ato tani?

Ato e përqafojnë, bien në gjunjë dhe e adhurojnë.

– Gratë e kanë prurë lajmin e gëzueshëm për takimin shndërrues ndërsa rojtarët ua kanë prurë “lajmin e keq” eprorëve të tyre që trupi ishte zhdukur.

Lajmi i vetëm i rëndësishëm në fund është që Jezusi është ngjallur. A jam edhe unë prurës i dritës, mbartës i lajmit të gëzueshëm, reflektim i ringjalljes në jetët e të tjerëve?

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »