Pashkët në Kosovë

Mar 28 • Kisha në Kosovë

 

Festa e Pashkëve ka filluar në Vigjiljen, përkatësisht me Meshën e Vigjiljes, e cila u kremtua solemnisht në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë. Kremtimi i kësaj nate është kumti thelbësor i jetës së krishterë: Krishti është ringjallur. Ky lajm përsëritet me shekuj dhe përbën fuqinë e ecjes, dinamikën e rritjes dhe shpresën e çdo të krishteri e bashkësie të krishterë, sepse me Ngjalljen e Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishtit mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

 

***

 

Me lajmin e gëzueshëm: Krishti u ngjall, vërtetë  u ngjall, aleluja, aleluja, të gjithë katolikët e Kosovës kanë festuar Pashkën – Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Festa e Pashkëve ka filluar në Vigjiljen, përkatësisht me Meshën e Vigjiljes, e cila u kremtua solemnisht në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë. Kremtimi i kësaj nate është kumti thelbësor i jetës së krishterë: Krishti është ringjallur. Ky lajm përsëritet me shekuj dhe përbën fuqinë e ecjes, dinamikën e rritjes dhe shpresën e çdo të krishteri e bashkësie të krishterë, sepse me Ngjalljen e Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, i priu kremtimit të kësaj meshe, të pasur me ritet te shumta: nga zjarri, qiriu i Pashkës, shërbesa e fjalës, shërbesa e pagëzimit, eukaristia. Të gjitha këto të përcjella me këngë të mrekullueshme nga kori i katedrales. Gjatë kësaj meshe u pagëzua një e rritur dhe u krezmuan 9 ushtarë të KFOR-it portugez.

Pasi një hyrje teologjike të fesë pashkvore, Imzot Dodë Gjergji, theksoj bashkimin e të të pagëzuarve me këtë njëmendësi pashkvore, që e jeton për çdo ditë, pasi ai është i shortuar në këtë pashkë dhe e ka fituar një identitet të ri: “Të mbushur me këtë dashuri dhe paqe, nëpërmjet sakramenteve të Kishës, i bashkëngjitemi misterit të Pashkëve të Jezusit, ku në ne vdes njeriu i vjetër, me prirjet e veta të këqija, dhe rilindë njeriu i ri, i cili, është i bindur se urrejtja dhe lakmia, hakmarrja dhe e keqja, janë kryqëzuar së bashku me Krishtin në Kryq. Ndërsa, paqja, dashuria, gëzimi dhe shpresa, na dhurohen nëpër të Ringjallurin.” Sepse ky shortim pashkvor në njeriun, ka për pasojë “përpjekjen tonë për të promovuar bashkëjetesën në paqe; për të bashkënda dhuratat e jetës dhe gjërat e krijuara prej Zotit, dhe për të qenë bashkëpërgjegjës për të ardhmen e familjeve tona, për të përmirësuar cilësinë e  paqes e për të lartësuar vlerën e pajtimit. Në mënyrë që në vendin tonë  të  mbrohet e drejta e secilit dhe të mos i cenohet lira askujt.” – tha Ipeshkvi – duke i ftuar të gjithë njerëzit vullnetmirë, në të cilët padukshëm vepron hiri, për ta pranuar ftesën e të Ringjallurit, me qëllimin për ta shndërruar shoqërinë tonë në një bashkëjetesë në paqe dhe dashuri, në një qytetërim dashurie. Nëse kjo ftesë e të Ringjallurit bëhet një vademekum i yni dhe frymëzim për jetën shoqërore, atëherë do të dimë edhe t’i hetojmë të këqijat që mbijnë rreth nesh, por edhe në botë, e të cilat, e dëmtojnë, e ndalojnë dhe e vrasin farën e mirë të këtij qytetërimi. Ato janë, sipas Imzot Dodë Gjergjit: “polarizimi i predikimeve brenda bashkësive fetare, përçarja brenda shoqërisë dhe konfrontiminmes grupimeve politike, e, mbi të gjitha, fenomeni shqetësues e akteve terroriste, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim; akte këto që po marrin jetë të pafajshme, të cilat, tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhembjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë, mbjellin frikë dhe pasiguri. Se urrejtja ka marrë përmasa që tejkalojnë të keqen e njeriut, dëshmon edhe fakti se t’bijtë e së keqes, nuk ngopeshin me vrasjen e motrave të Nënë Terezës në Jemen, por priftin e tyre e mbanin pengë për ta kryqëzuar, pikërisht të Premten e Madhe, në ditën kur e kryqëzuan Jezusin në Kalvar.”

Përkundër kësaj të keqeje që marshon në rrugët e qytetërimit tonë, e do me e shua dritën e këtij qytetërimi, Imzot Doda tha se “shembulli i Krishtit na mahnitë dhe na dhuron fuqinë t’i mbetemi besnik aftësisë për të falur dhe zotësisë për t’u mbrojtur, që të mos na përfshijë urrejtja.”

Këtë shembull edhe Kisha e jonë në Kosovë mundohet ta mishëron në jetën e të bijve e bijave të veta “nëpërmjet larmisë së detyrave, karizmave dhe shërbesave, si një mishërim i mesazhit peshkor të paqes, i ofrohet çdo njeriu në vendin tonë me dashuri, drejtësi dhe solidaritet, dhe e fton atë që:

1)Të jetë bashkëpunues në krijimin e një ambienti më të qetë, ku mund të takohen dhe konfrontohen idetë dhe ambiciet e individëve – apo grupeve shoqërore,  me respekt dhe qytetari, dhe të mos ketë më hapësirë për fryrje, përbuzje e konflikt.

2)Të kontribuojë në ndërtimin e shtetit laik dhe të një shoqërie multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria s’kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmojnë atë që të ketë të gjitha liritë dhe mundësit e barabarta me qytetarët tjerë. Kurse besimtarët e feve të ndryshme, do të dinë të njohin virtytet e njëri-tjetrit, dhe do t’i vejnë ato në shërbim të të gjithëve: në dobi të së mirës së përbashkët. Vetëm kështu respektohet shoqëria laike dhe multireligjioze me krejt natyrën e saj.

3) e ftojmë po ashtu çdo njeri, të mos ketë frikë nga dashuria, të mos ndihet i përbuzur nga paqja e pajtimi dhe mos ta kërkojë shpresën në vdekje e as fitoren në urrejtje. Por, të hapë zemrën dhe mendjen për t’i krijuar hapësirë dashurisë dhe t’i ofrojnë dhuntitë e shpirtit e të mirat e përkohshme çdo njeriu, sidomos atyre që vuajnë, atyre që janë të nëpërkëmbur e të përbuzur, të sëmurëve e gjithë të tjerëve që kanë nevojë. Vetëm kështu, do të arrijmë të kemi gëzimin e përkryer dhe kënaqësinë e brendshme që na prinë në një jetë të lumtur.”

Duke shprehur thekshëm fenë e Kishës, e duke e rikujtuar historinë e popullit tonë që gjatë historisë është renditur për të mirën dhe me guxim ka ripërtërirë qytetërimin e vet, Ipeshkvi e kreu pretkun e tij me fjalë shprese, që Krishti i Ringjallur do të ndryshojë zemrat e njeriut dhe do t’i përtërijë me dashuri.

E gjithë ky kremtim shprese dhe dashurie, u transmetua drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), i cili ka mundësuar të sjell kumtin e ringjalljes tek të gjithë besimtarët që jetojnë në diasporë, që janë një numër i madhe, por edhe të atyre që për shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur të marrin pjesë në meshë.

Për shumë mot Pashkët!

 

Teksti: Rev. Drita

Fotografitë: Adnan Ruhani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »