Kur të qan zemra për diçka a për dikë

Mar 29 • Meditimi i ditës

29 mars 2016 – E marta e Pashkëve – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 2,36-41; Ps 32; Gjn 20,11-18)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment

dhe e kujtoj dashurinë dhe hirin të cilin Hyji e derdh mbi mua,

sesi më krijon në shëmbëllesën, imazhin e tij, sesi më bënë tempullin e tij …

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo që lirinë e dhënë nga ti, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Gjn 20,11-18

 

11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë:

“Pse po qan, moj burrneshë?”

Ajo u përgjigj:

“E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”

14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha:

“Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?”

Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha:

“Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”

16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi.

Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”

18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime për pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – „Grua, pse po qan?“ e ka pyetur engjëlli. Përse qanë Maria? Për shkak të humbjes personale apo për shkak të gjithë asaj që kishte pësuar miku i saj?

Çka kërkoj unë nga raporti im me Jezusin?

– Jezusi ka thënë që delet e tija e njohin zërin e tij dhe e njeh secilën me emër. Maria e njeh Jezusin kur ia përmend emrin e saj.

A mund ta dëgjoj Jezusin sesi ma përmend emrin tim?

Çfarë përvoje kam nga ky takim i çmueshëm?

 

Bashkëbisedimi

 

I/e vetëdijshëm/e se jam gjithnjë në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo rri ulur pranë meje,

dhe flas me të për të gjitha çfarë kam në mendje, çfarë mbaj në zemër,

si shoku shokut.

  

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »