Zemërplasur – zemërzjarrtë

Mar 30 • Meditimi i ditës

30 mars 2016, E mërkura e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 3,1-10; Ps 104; Lk 24,13-35)

 

Prania e Hyjit

 

Mendoj një çast për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.

Krijuesi i gjithësisë, i diellit dhe hënës, i tokës,

i çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, i gjithçkaje që është:

Hyji është në çdo rrahje time të zemrës. Ai është në mua, tani.

 

Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të dashurisë me plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 24,13-35

 

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti:

“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”

Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:

“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”

19 Ai i pyeti:

“Po çka?”

Ata iu përgjigjën:

“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”

25 Ai u tha:

“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”

27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë:

“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”

Dhe hyri që të rrijë me ta.

30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:

“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:

“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Nxënësit e zhgënjyer e pyesin të huajin që po ecte me ta a thua është i vetmi që nuk e dinte „çfarë ka ndodhur ditëve të fundit“. Në fakt ai është i vetmi që përnjëmend e dinte. E pra, si çdo këshilltar i mirë i lë që t`i shprehin ndjenjat e tyre dhe ta rrëfejnë historinë e tyre.

Në lutje Zoti më thërret që ta bëjë të njëjtën gjë.

– Nxënësit „morën në thua“, të paaftë ta njohin në dritën e fjalës së Zotit çfarë kishte ndodhur. Jezusi është i pranishëm në fjalën e tij duke më shoqëruar në përvojat e jetës, duke u dhënë kuptim.

A e kërkoj? A mund ta njoh?

– Shenja dhe masa e pranisë së tij ka qenë zemra e tyre që ndizej ndërsa po u fliste.

A e kërkoj këtë shenjë në veprat dhe jetën time, që të di se si Jezusi është me mua?

Kthehu te Fjala, vështroje atë dhe lejoji asaj që të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin sesi rri apo është ulur pranë meje,

i drejtohem dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »