I ngjallur, jo fantazmë

Mar 31 • Meditimi i ditës

31 mars 2016 – E Enjtja e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 3,11-26; Ps 8; Lk 24,35-48)

 

Prania e Hyjit

 

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
E marr me mend praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë afër meje në dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikojë në të ekzistuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 24, 35-48

 

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha:

“Paqja me ju!”

37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha:

“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”

40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:

“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”

42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“

45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha:

“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Në marrëdhënien tonë me Jezusin jemi në tundim të mendojmë për të si për ndonjë fantazmë. E pra, nxënësve të vet u flet se ka trup dhe gjak si ne. E di mirë se prej çfarë jemi të përbërë. Me ne ndanë gjithçka që mund të provojmë dhe na ofron pjesëmarrjen në përvojën që ai ka duke përfshirë edhe ngjalljen.

 Jezusi u ka thënë nxënësve që ai është me ta kur mblidhen së bashku në emër të tij.

Prania e tij sjell paqe dhe largon frikën.

A i lejoj që të ma dhurojë paqen e tij?

A di ta njoh frikën si kundërshti?

– Ngjallja e tij i thyen të gjitha pengesat, largon të gjitha ndasitë: ato në ne, në mes nesh dhe njerëzve të tjerë, në mes nesh dhe Hyjit. Nxënësit e tij të vërtetë janë ambasadorët e pajtimit në çdo kohë.

Me kë duhet të pajtohem?

A jam për të tjerët burim pajtimi apo ndasie?

A e ndjejnë të tjerët fuqinë e ringjalljes së tij në takim me mua?

Kthehu te Fjala, vështroje atë dhe lejoji asaj të të ndryshojë.

  

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »