Mëshira dhe drejtësia

Mar 31 • Këndvështrime

 

Papa Françesku

Shkrimi i shenjtë na paraqet Hyjin si mëshirë e pakufi, por edhe si një drejtësi e përsosur. Si të pajtohen mes veti këto dy gjëra? Si të artikulohet njëmendësia e mëshirës me kërkesën e drejtësisë? Do të mund të dukeshin si njëmendësi/realitete që e kundërshtojnë njëra-tjetrën; në realitet s’është ashtu, sepse pikërisht mëshira e Hyjit e plotëson drejtësinë e vërtetë. Por për cilën drejtësi e kemi fjalën?

Nëse do të mendojmë për mbarështimin ligjor të drejtësisë, shohim se ai që mbahet viktimë e abuzimit i drejtohet gjykatësit në gjyq dhe e kërkon drejtësinë. Këtu kemi të bëjmë me një drejtësi retributive (ndëshkuese), e cila ngërthen një dënim për fajtorin, sipas parimit që secilit duhet t’i jepet ajo që i detyrohet. Si e thotë libri i Fjalëve të Urta: “I qëndrueshmi në drejtësi shkon drejt jetës, kurse kush e ndjek të keqen, vrapon në vdekje.” (11, 19). Por edhe Jezusi flet për të në shëmbëlltyrën e vejushës, e cila shkonte shpesh te gjykatësi dhe i kërkonte: “Më mbro prej kundërshtarit tim!” (Lk 18, 3).

Kjo rrugë, megjithatë, nuk na shpie akoma te drejtësia e vërtetë, sepse nuk e mund të keqen realisht, por thjeshtë i vë fre. Porse, vetëm duke ju përgjigjur me të mirën, arrihet fitorja e vërtetë mbi të keqen.

Ja, kjo është një mënyre tjerë për ta arrit drejtësinë, që Bibla na paraqet si rrugë e artë për ta bërë. Kemi të bëjmë me një procedurë që nuk kalon nëpër gjykatë, por parasheh që viktima t’i drejtohet drejtpërdrejt ndërgjegjes së fajtorit për ta ftuar në kthim, pendim, duke e ndihmuar të kuptojë se po e bënë të keqen. Në këtë mënyrë, duke u përballuar dhe pranuar gabimin e vet, ai mund të pranoj faljen që pala e dëmtuar ia ofron. E kjo është e bukur: përmes fuqisë së bindjes për atë që është e keqe, zemra hapet për të pranuar faljen, që i ofrohet. E kjo është mënyra për të zgjidhur kundërvëniet në gjirin e familjes, në marrëdhëniet ndërmjet mes bashkëshortëve apo prindërve e fëmijëve, ku i fyeri e do fajtorin dhe dëshiron ta shpëtojë marrëdhënien, që e lidh me tjetrin. Mos e këputni këtë lidhje, këtë marrëdhënie.

Natyrisht, kjo është rrugë e vështirë. Kërkon që kush pësoi padrejtësi, të jetë gati për të falur e të dëshirojë shëlbimin dhe të mirën e njeriut, që e pati fyer. E drejtësia mund të ngadhënjejë vetëm kështu, sepse fajtori pranon të keqen e bërë e nuk e bën më, e kështu e keqja zhduket e ai, që ishte i padrejtë, bëhet i drejtë, sepse u fal e iu zgjat dora, në përpjekjen për të gjetur udhën, udhën e së mirës. E pikërisht këtu hyn falja, mëshira.

Kështu Hyji vepron me mëkatarët. Zoti e ofron vazhdimisht faljen e tij dhe na ndihmon/aftëson për ta pranuar atë dhe të vetëdijesohemi për të keqen tonë, për të na liruar. Sepse Hyji nuk e do  dënimin tonë, por shëlbimin tonë. Zoti nuk e do dënimin e askujt. Secili prej jush mund të më bëjë pyetjen: ‘Po, o atë, dënimi i Pilatit ishte i merituar? Thua e donte vetë Zoti? Jo, Zoti dëshironte ta shpëtonte Pilatin, e edhe Judën, të gjithë! Ai, Zoti i mëshirës, dëshiron t’i shpëtojë të gjithë. Problemi është që të lejohet të hyjë në zemër. Të gjitha fjalët e profetëve janë një grishje e zjarrtë e plotë dashuri për kthimin tonë. Ja çfarë thotë Zoti nëpërmjet Ezekielit profet: “Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit – është fjala e Zotit Hyj – e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?” (18, 23; khs. 33, 11). Kjo i pëlqen Hyjit.  

Kjo është zemra e Hyjit. Një zemër e Atit e cila dëshiron që bijtë e tij të jetojnë në të mirën dhe në drejtësinë, që të mund të jetojnë në plotësi e të jenë të lumtur. Një zemër e Atit që i tejkalon konceptet tona të vogla të drejtësisë, me qëllim që të na hap horizontin e pakufi të mëshirës së tij. Një zemër e Atit e cila s’na trajton sipas mëkateve tona e s’na shpaguan sipas mëkateve tona, ashtu siç e thotë Psalmisti (103, 9-10). Është një zemër e Atit që do të donim ta takonim kur të shkojnë më rrëfyestore. Ai do të na thotë diçka që ndoshta do ta kuptojmë më mirë të keqen, por në rrëfyestore të gjithë shkojmë për të kërkuar një atë, një atë, që të na ndihmojë, në emër të Zotit. E, prej këndej, të jesh rrëfyes, është përgjegjësi  tepër e madhe, tepër, sepse ai bir e ajo bijë, që vjen tek ti,  kërkon vetëm e vetëm të gjejë një atë. E ti, prift, që je aty, në rrëfyestore, ti je aty në emër të Atit, që e bën drejtësinë me mëshirën e tij të pambaruar.

(Teksti i plotë i katekezës nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 3 shkurt 2016.

Përkthimi: Rev. Drita)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »