Roli i dialogut ndërfetar në shërimin e plagëve nga e kaluara

Apr 1 • Opinion

Më 19 mars 2016, në Prizren është mbajtur takimi ndërfetar i organizuar nga Nisma kosovare për dialog ndërfetar (IIID). Kisha Katolike ka marrë pjesë me përfaqësuesin e saj Don Mikel Sopi, përgjegjës për ekumenizëm dhe dialog ndërfetar. Teksti i mëposhtëm është ligjërata e tij në këtë takim.

 

Nga Don Mikel Sopi

Parimi bazë biblik: Atë që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëni edhe ju për ata (Mt 7,12) dhe anasjelltas, e përshkon filozofinë dhe moralin tonë në raport me të tjerët; parim ky që përmban edhe platformën e dialogut ndërfetar.

Dialogu ndërfetar dhe ndërnacional, në kohën dhe shoqërinë tonë, paraqet një imperativ për zhvillim të gjithanshëm dhe për mirëqenie shoqërore. Nocioni “tolerancë”, si shprehje teknike për t’i karakterizuar raportet ndërfetare apo ndërkultutore, në kuptimin e tij burimor, nënkupton durimin e njërës palë ndaj tjetrës, apo me zhargonin e popullit do të thotë “me e durue tjetrin për hatër”.

Mirëpo në kontekstin tonë dhe në realitetin tonë historik, tolerancën dhe dialogun ndërfetar duhet shpjeguar nga një perspektivë tjetër.

  1. Perspektiva historike

Në kontekstin historik, më i saktë se nocionet “dialog“ dhe “tolerancë”, është togfjalëshi “bashkëjetesë vëllazërore”. Kuptimi që ngërthen ky togfjalësh gjen arsyetim të plotë në faktet historike: në jetën harmonike vëllazërore, por edhe në luftërat dhe në rezistencat e përbashkëta shumëshekullore ndaj pushtuesve.

“Plagët“dhe ndryshmet e shumta të trashëguara nga e kaluara, që për pasojë kemi jostabilitetin politik, ngecjen e përgjithshme politiko-shoqërore, një sinkretizëm kulturoro-shoqëror si dhe mozaikun e larmishëm fetar; kishin çmim të konsiderueshëm për shoqëritë e këtyre trevave.

Në këto hapësira nuk kishte ligje dhe sisteme shtetërore që nxisnin paqe dhe dialog; përkundrazi, shekuj të tërë kanë dominuar ideologji, që në forma të ndryshme (në vend të dialogut dhe harmonisë) kanë mbjell urrejtje dhe përçarje. Ato sisteme, populli i ka përjetuar si të huaja, të imponuara dhe të dëmshme, gjë që e ka shtyrë atë në vetorganizim, në solidaritet dhe në bashkëjetesë konstruktive vëllazërore.

Në këtë rast, historia nuk mund të jetë vetëm një periudhë e përmbyllur, por para së gjithash ajo është një proces që edhe më tej sfidon. E kaluara nuk mund të ndryshohet, por ne mund të mësojmë nga ajo.

Nga përvoja e mirë e bashkëjetesës ndërfetare në të kaluar, edhe sot, krerët dhe eksponentët fetarë duhet nxjerr platforma dhe planprograme që të punojnë për unifikimin e popullit, duke i kontribuar prosperitetit të përgjithshëm shoqërorë.

Në emër të fesë, çdo njeri – pa dallim gjinie, race, kombi apo feje – mund ta shikojmë vetëm si vepër të çmuar dhe të dashur të Hyjit. Nëse Hyji na krijoi të gjithëve, ne jemi vëllezër të barabartë që duhet respektuar dhe dashur njëri-tjetrin.

  1. Aktualiteti bashkëkohor

Ne tani ndodhemi para atij momentit historik, që politikani amerikan Samuel Phillips Huntington e quan kohë e cilësuar nga nevoja për ripërcaktim qytetërimor. Nga kjo perspektivë, dialogu i sinqertë ndërfetar është domosdoshmëri e kohës sonë. Marrëdhëniet e mira (marrë e japë) ndërfetare e pasurojnë mozaikun kombëtar dhe shoqëror, kurse raportet konstruktive ndërnacionale e përforcojnë këtë mozaik në aspektin e mirëqenies shoqërore.

Megjithatë, duhet kujtuar se për shërimin apo lehtësimin e plagëve nuk mjafton vetëm religjioni. Mundësitë për zbutjen e plagëve janë të ndryshme. Po i sjellë disa përvoja dhe të dhëna të Kishës Katolike në Kosovë. Nga rreth 50 qendra pastorale sa kemi në territorin e Kosovës ku personeli i Kishës vepron nga aspekti pedagogjik shpirtëror deri tek ai shoqëror dhe shëndetësor, në mënyrë ma konkrete dhe me programe të shumta profesionale për zbutjen e plagëve, vepron organizata e Kishës Katolike, Caritas Kosova.

Në realizimin e projekteve për zbutjen e plagëve, përmes programeve dhe trajnimeve të ndryshme, nga 501 të punësuar sa janë të kyçur në këto projekte, 463 apo 92,4% janë të besimit islam, 31 të punësuar, apo 6,2 % janë të besimit katolik dhe 7 të punësuar ose 1,4 % janë të besimit ortodoks. Kurse në aspektin gjinor, 327 të punësuar, apo 65% janë femra dhe 174 të punësuar, apo 35 % janë të gjinisë mashkullore.

Në këtë rast vlen të përmenden edhe projektet me të burgosur për ri-integrimin e tyre në shoqëri. Me bashkëpunim të mirë edhe me faktorët përkatës shtetërorë, janë duke u zhvilluar trajnime e kurse të ndryshme, si në profesionin e floktarisë, të rrobaqepësi, programe sociale, kulturore, sportive, etj. Aktivitete këto që nga ekspertët janë cilësuar si psikoterapi për të burgosurit, duke ndikuar në mënyrë direkte në rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Këto të dhëna janë vazhdimësi e shumë argumenteve tjera që flasin: si për nevojën e madhe të angazhimit tonë të mirëfilltë për zbutjen e plagëve, ashtu edhe për nevojën e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor në realizimin e të mirës së përbashkët gjithëshoqërore.

Me një rast, një gazetar e pat pyetur Nënë Terezën: Kush është përgjegjës që gjendja në botë nuk është më e mirë?Ajo u përgjigj: Unë dhe ti! Jam i bindur se secili nga ne mund të bëjë më shumë që të ketë besimtarë më të devotshëm dhe qytetarë më të vyeshëm dhe më të ndjeshëm për drejtësi, paqe dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »