Zotëria im dhe Hyji im

Apr 2 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela II e Pashkëve – E diela e Mëshirës Hyjnore

Leximi i parë: (5, 12-16)

Lexim prej Veprave të Apostujve

Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremin e Salomonit. Prej tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithate populli u jepte nderim. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i qitnin në tregje të sëmurit dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e asish që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 118 (117)

Ref: I kemi medituar, o Zot, veprat e tua të mrekullueshme.
————————————————————————————
Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
———————————————————
Le të thotë tani shtëpia e Aronit,
e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,
e përjetshme është dashuria e tij!
———————————————————
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
———————————————————–
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,
deh, o Zot, ma jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
————————————————————-

 

Leximi i dytë: (Zb 1, 9-11,12-13.17-19)

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Dielë pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: “Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojau shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!”  U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandana të artë dhe në midis të shandanave dikënd si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës. Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Mbrami, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e vdekjes dhe të nëntokës! Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathtën time dhe lidhur me shtatë shandanat e artë: sthtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shan-danat janë shtatë kishat.”

Fjala e Zotit

Aleluja!
“Pse po më sheh, o Tomë, po beson.
Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 20, 19-31)

Leximi i Ungjillit shenjtë sipas Gjonit

Në mbrëmjen e po asaj dite  të parën ditë të javës  ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve  ai që quhet Binjak  nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vrajën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.
Fjala e Zotit

 

POROSIA 

Sot në mbarë Kishën kremtohet e Diela e Mëshirës Hyjnore, e themeluar nga Papa Shën Gjon Pali II. Kjo ditë e diele na fton të meditojmë mbi dy argumente të rëndësishme, thelbësore për jetën tonë shpirtërore: meditojmë mbi mëshirën që na dhuron Zoti. Pastaj, për paqen dhe mirësinë që duhet të mbretëroj në zemrat tona, që të mund të bëhemi dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit.
Së pari, Papa Françesku kur flet për kohën tonë dhe njerëzimin, thekson se kemi nevojë për mëshirën e Zotit. Kjo për faktin se njerëzit janë të plagosur dhe bartin plagë të rënda. Nuk dinë si t’i shërojnë ato, pastaj, mungon përvoja konkrete e mëshirës. Kështu, ai na mëson dhe na fton që ta kemi një shpirt urate, të mbështetemi në fuqinë e Zotit i cili na falë përherë, pa na kërkuar llogari për fajet tona. Zoti pret prej nesh të bashkëpunojmë me Të, dhe t’i luftojmë mëkatet dhe shprehitë tona të këqija.
Ati i Shenjtë, që në fillim të Vitit të Mëshirës na fton që ta sodisim misterin e mëshirës, sepse është “burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshirë: është fjala që zbulon misterin e Trinisë së Shenjtë. Mëshirë: është veprimi i fundit dhe më i madhi me të cilin Hyji na del përpara. Mëshirë: është ligji themelor që banon në zemrën e çdo personi kur shikon me sy të sinqertë vëllain që e takon gjatë jetës. Mëshirë: është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë.” Zoti kërkon që t’ia hapim zemrën tonë duke i besuar edhe më shumë, ashtu do t’i lejojmë që ta shndërrojë jetën tonë.
Së dyti, në Ungjillin e sotshëm, fjalët e para të cilat Krishti ua drejton nxënësve të vet janë: “Paqja me ju!” Këto fjalë na i drejton edhe neve, duke na dëshiruar paqen e vërtet dhe gëzimin e plotë. Këtë paqe Krishti na dhuron për Pashkë. Le të angazhohemi ta ruajmë atë duke bërë një jetë të virtytshme.
Pra, sot i hasim në ungjill gjërat që i japin shkëlqim jetës sonë shpirtërore. Ato bëjnë që kjo e diel të jetë e “bardhë”. E para është ngushëllimi dhe shpresa që na jep Zoti duke themeluar sakramentin e rrëfimit, përmes së cilit e arrijmë paqen shpirtërore; e dyta, shohim Tomën apostull dhe mësojmë nga përvoja e tij me Jezusin. Pas vdekjes së Krishtit, të gjithë apostujt ishin të habitur e të frikësuar. Ato tri ditë pritjeje, për ta ishin ditë dyshimesh të mëdha. Por, Krishti nuk i ka braktisur. Ai vjen në mesin e tyre dhe ua kthen gëzimin në zemra.
Në jetën e përditshme, shpeshherë identifikohemi me Tomën. Në kryqe e vështirësi të jetës, ndoshta shtrojmë pyetjet: pse mua, o Zot, a nuk mund të ishte ndryshe, ku je, kur tash kam nevojë për ty?! A nuk janë këto momente dyshimesh e frike? Prandaj, e kuptojmë vështirësinë e besimit të tij. Ajo që na bën të kemi shpresë është vendosmëria e apostullit, edhe pse dyshon, ai nuk largohet nga kjo “Kishë e vogël” nxënësish. Vazhdon të presë e të shpresojë, e në këtë pritje, ajo që i mbanë të bashkuar është Zoja e Bekuar – Nëna e Kishës. Dhe tani, pas tetë ditësh, Krishti vjen sërish në mesin e tyre, vjen me mëshirën e vet tejet të madhe. I drejtohet Tomës së pari me shikimin e ëmbël, dhe sikur i thotë: Tomë, e di që ke vuajtur shumë, edhe unë kam vuajtur shumë. Eja, shihi duart e mia, ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim. Pra, gjithmonë është Zoti ai që ndërmerr iniciativën të na kthej vetëbesimin, sigurinë, dhe paqen e vërtetë. Mëshira e Zotit i kthen zemrat e njerëzve dhe i mbushë me dashurinë e tij. Në këtë Toma përgjigjet: “Zotëria im dhe Hyji im!”.
Edhe ne na fton Krishti, të jemi besimtarë të bindur, dhe, duke qenë nxënësit e tij, të mundë të bëhemi edhe apostuj të vërtetë.
Sot, ungjilltari na paraqet Krishtin në kushte te reja, na e paraqet të Ringjallur, si atë të cilit i është dhënë “çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mt 28, 18). Pastaj, këtë pushtet ia beson Kishës, para së gjithash pushtetin të falë mëkatet. “Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju. Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Për këtë arsye, nëse ndërgjegjja jonë na padit, le të rrëfehemi në përvujtëri, për të rifilluar një jetë të re, dhe që të mund ta përjetojmë me zemër të bardhë momentin e mrekullueshëm të Kungimit të shenjtë. “Magister adest: Mësuesi është këtu!” (Gjn 11, 28). “Lum ata që nuk panë e besojnë!” Amen!

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, t’ia drejtojmë lutjet tona, Hyjit Atit tonë të mëshirshëm, duke kërkuar që të naforcojë në fe dhe të na shnderitë me driten e vet, kështu që ta njohim Jezusin e Ringjallur në jetën e përditshme. Të themi së bashku:

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!

– Që Kisha jote, si bashkësi e besimtarëve detyren e shpalljes së Lajmit të mirë ta kryej me guxim dhe gëzim, të lutemi:

– Që barinjtë e Kishës sate, t’ i mbushesh me driten dhe fuqinë e Shpirtit shenjtë dhe të jenë ndertues të bashkësisë së vërtetë të besimtarëve, të lutemi:

– Që të gjithë ata që angazhohen për drejtësi dhe paqe në botë t’ ua dhurosh urtinë dhe të bekosh punën e tyre, të lutemi:

– Që të gjithë ata që janë larë në këto Pashkë në gurrën e Pagëzimit t’ u ndihmosh të qëndrojnë besnik dhe dëshmitar të fesë, të lutemi:

– Që të gjithë neve këtu të bashkuar në emrin tënd të na ndihmosh të ripërtëritemi në fe dhe të qëndrojmë gjithmonë në praninë tënde, të lutemi:

– Që të vdekurve tanë, t’ua falesh mëkatet dhe t’ i pranosh në mbretërinë qiellore, të lutemi:

O Zot, Hyj, ti në Birin tënd të dashur, e deftove misterin e jetës hyjnore. Na udhëhiq po të lutemi me Shpirtin tënd të shenjtë dhe na ndihmo që githmonë dhe gjithkund të dëshmojmë mëshirën dhe dashurinë tënde për të gjithë njerëzit. Këtë po të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Përgatiti: Don Agim Qerkini

Shpërndaje

Comments are closed.

« »