Kaloi në amshim Prof. Dr. Zef Mirdita (1936-2016)

Apr 4 • Histori

Sot, më 4 prill 2016, në Zagreb, profesori dhe akademiku Zef Mirdita, ka kaluar në amshim. Ky lajm i hidhur e ka pikëllu botën akademike dhe kulturore shqiptare, e jo vetëm, pasi Prof. Mirdita njihet si ndër historianët më të mëdhenj që i ka pasur shkenca shqiptare. Ai do të mbetet i paharruar për shkrimet dhe librat e tij historik me kompetencë për Antikitetin, Dardaninë, historinë e vllehëve dhe krishterimin ndër shqiptarë.

 

Kush ishte Prof. Zef Mirdita?

Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb. Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke. Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën “Dardanci i Dardanija u antici” (Dardanët dhe Dardania në Antikë). Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë. Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike. Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani. Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës. Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë. Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”. Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin Vlasi – starobalkansko stanovništvo od povijesne pojave do danas (Vllehët – popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot). Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër. Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj, po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare (Društvo hrvatsko-albanskog prijateljstva), ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë (Savjet za nacionalne manjine pri Vladi Republike Hrvatske). Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve (Hrvatska akademija znanosti i umjetnosti) për librin Vlasi u historiografiji (Vllehët në historiografi), i cili u shpall libër i vitit 2004. Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »