Hyji “për” ne

Apr 6 • Meditimi i ditës

6 prill 2016, E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 5,17-26; Ps 33; Gjn 3,16-21)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe pa rënë në sy.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

 

Lutja në vijim na ndihmon që të vihemi në dispozicion të Hyjit. Shën Injaci e përshkruan këtë “Lutje përgatitore” si kërkim të më jepet hiri që të gjitha qëllimet, veprat dhe aktivitetet e mia të jenë vetëm e vetëm të rregulluara në shërbim dhe lavdi të Madhërisë së tij Hyjnore (Ushtrimet shpirtërore, nr. 46).

Mund të provosh me këto fjalë:

O Zot, dëshiroj që kësaj radhe të përgatitem mirë.

Dëshiroj të jem plotësisht i/e gatshëm/e, i/e ndjeshëm/e dhe i/e vërë në dispozicion për ty.

Të lutem, më ndihmo që t`i sqaroj dhe t`i pastroj qëllimet e mia.

Në mua ekzistojnë aq shumë dëshira kontradiktore.

I lejoj vetes që të ngarkohem me sendet që nuk janë të vlefshme dhe që prishen.

E di që nëse ta dorëzoj zemrën time, çkado që të bëj, do ta ndjek zemrën time të re.

Dhe gjithçka që kam bërë sot, gjithçka që do të bëj sot,

të gjitha takimet, përsiatjet – madje edhe frustrimet dhe ndjenjat e mia,

veçanërisht në këtë kohë të lutjes, në tërë jetën time, mund t`i dorëzoj në duart e tua.

O Zot, jam i yti/e jotja. Bëj me mua çfarë të duash. Amen.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Gjn 3, 16-21

 

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

18 Kush beson në të,

nuk dënohet,

ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,

pse nuk besoi

në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

19 E gjykimi është ky:

Drita erdhi në botë,

por njerëzit më tepër deshën

errësirën se dritën,

sepse veprat i kishin të këqija.

20 Vërtet, kushdo që bën të keqen,

e urren dritën dhe nuk del në dritë

që të mos i zbulohen veprat e tij,

21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,

ai del në dritë

që të dalë ballafaqe

se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Është thënë se nëse do të humbnin të gjithë ungjijtë, dhe të mbetej vetëm rreshti i parë i këtij pasazhi, do të kishim pasur mjaft për të mbijetuar. “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet!” Ky është thelbi i ungjillit, dhe për këtë duhet të jemi përjetësishtmirënjohës.

– Një tjetër mënyrë për të përmbledhur Besëlidhjen e Re është fjala “për”. Hyji është plotësisht “për” ne dhe na kërkon të jemi plotësisht “për”të, dhe njëri “për” tjetrin.

 

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo është ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »