Imzot Lazër Mjeda – prelat dhe bari i mirë në shërbim të popullit

Apr 7 • Recension

(Don Nue Ballabani (ed.), Imzot Lazër Mjeda – mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar, Prishtinë-St. Gallen 2011, f. 550.)

Nga Zef Ahmeti

Më 14 mars 2009, në Zagreb mbahet simpoziumi ndërkombëtar mbi jetën dhe veprën e Imzot Lazër Mjedës, i organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, i cili në atë kohë drejtohej nga Don Ndue Ballabani, në bashkëpunim me Këshillin e Pakicave Kombëtare – asaj shqiptare në qytetin e Zagrebit dhe Unionin e Bashkësisë Shqiptare në Kroaci.

Në këtë simpozium, ku morën pjesë ligjërues të ndryshëm, u ndriçuan aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së Imzot L. Mjedës, i cili veproi në një periudhë përplot trazira, kthesa politike, në një kohë kur po shembej përfundimisht Perandoria Osmane por edhe ajo Austro-Hungareze, ndërsa në Ballkanin e trazuar, po ngiteshin shtetet kombëtare të reja.

Në vitin 2011 Fondacioni “Imzot Lazër Mjeda“ në bashkëpunim me “Albanisches Institut në St. Gallen (Zvicër) botuan punimet shkencore të simpoziumit. Këto punime nxjerrin në dritë kontributin e këtij prelati kishtar jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e ngjarjeve të kombit shqiptar. Nga ajo që thuhet aty del se kemi të bëjmë me një personalitet shqiptar kishtar të një rëndësie të veçantë, të një diplomati që vepronte duke komunikuar me fuqitë perëndimore në shërbim të mbrojtjes së kombit shqiptar.

 

Kush është Lazër Mjeda?

Ai lindi në Shkodër me 6 mars 1869. Me 28 tetor 1875, ende pa i mbushur 7 vite, niset për në seminar për t`u aftësuar në detyrën si meshtar. Ai më 10 gusht 1891 shugurohet për meshtar. Famullia e parë ku punoi ishte ajo e Planit në Dioqezën e Pultit. Me 10 shtator 1990 Don Lazër Mjeda emërohet ipeshkëv i Sapës, ndërsa shugurohet ipeshkëv me 20 janar 1901. Fillimisht ai vepronte si ipeshkëv i Zadrimës. Me 16 korrik 1905 emërohet ndihmës-ipeshkëv i Shkodrës, kurse me 14 maj 1909 Selia e Shenjtë ia beson udhëheqjen e Ipeshkvisë së Prizrenit. Nga Prizreni do të kaloj përsëri në Shkodër me 5 shtator 1921, tash si argjipeshkëv i Shkodrës dhe metropolit, ku do të veproj gjerë në vdekje. 

Veprimtaria e këtij prelati kishtar shqiptar ishte mjaft e dendur që i dha shumë popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Me veprën dhe angazhimin e tij në sfera të ndryshme ka lënë shenja të pashlyeshme gjithandej ku veproi.

Një jetë plot sfida

Lazër Mjeda jetoi dhe veproi në rrethana tejet të vështira e vendimtare për popullin shqiptar dhe Kishën Katolike në Shqipëri e Kosovë, e megjithatë ka lënë trashëgimi të pasur për të ardhmen e duke i shërbyer popullit dhe kishës me dinjitet deri në vdekje.  Sfidat e Imzot Mjedës ishin të natyrës organizative kishtare e sidomos politike, sepse fati i popullit shqiptarë lidhej ngushtë edhe me vet funksionin e tij. Në këtë kontekst ai kishte lakuriqur politikën serbe-malazeze që ishte praktikuar në atë kohë në dëm të popullit dhe territorit shqiptar. Ai ka lënë gjurmë në histori si mbrojtës dinjitoz e i vërtetë i interesave shqiptare me anë të korrespodencave të tija me Perëndimin. Ai kishte paraqitur gjendjen e vështirë të popullit shqiptar përball mizorive dhe politikave shqetësuese kundër shqiptarëve nga serbët.

Nëse bëjmë një përpjekje të numërojmë disa pika kryesore të rëndësishme të punës së tij, mund të thuhet se ai do të lë gjurmë si mbrojtës i interesave shqiptare me korrespodencat e tija që e kishte sidomos me Austro-Hungarinë dhe Selinë e Shenjtë, me anë të së cilave do të paraqet shkeljen mizore të të drejtave të popullit të vet. Pastaj: 

1. Imzot Lazër Mjeda do të lë një bazë të qëndrueshme administrative kishtare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

2. Do ta sfidoj politikën serbe duke e njoftuar Selinë e Shenjtë dhe vendet Perëndimore për të gjitha veprimet politike, mashtrimet, manipulimet, vrasjet, përndjekjet e kërcënimet ndaj popullit shqiptar sa do të bëhet edhe vet subjekt i sulmuar nga politika serbe.

3. Në kontekstin politik ai do të dalë krah shqiptarëve sidomos në vitet 1912/1914, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në Konferencën e Londrës. Pa ndihmën e Mjedës Ismail Qemali (1844-1919), që kishte mbetur i ngujuar në Vjenë, nuk do t`ia kishte dalë të vinte me kohë, që me 28nëntor 1912 ta shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, pasi që ai e kishte poseduar një dëshmi për financimin e udhëtimit, porse asnjë bankë nuk ia kishte pranuar. Kështu që Mjeda do të kujdesej për Qemalin të organizoj në bashkëpunim me qeverinë austriake një anije për në Vlorë.

4. Mjeda do të jetë edhe një përkrahësh i përkushtuar edhe i kulturës shqiptare.

Në përgjithësi mund të thuhet se Imzot Mjedës nuk i është dhënë vendi i merituar në historiografinë shqiptare, e sidomos kontributit të tij në mbrojtje të shqiptarëve dhe kundër aneksimit të një pjese të tokave shqiptare (Kosovë, Maqedoni) nga Serbia.

Libri në fjalë është një simbolikë respekti ndaj këtij personaliteti. Në këtë vepër janë të publikuara punimet e: Mark Sopit (Imzot Lazër Mjeda (1869-1935) shembull i bariut të mirë dhe atdhedashës), Markus Peters (Imzot Lazër Mjeda riorganizator i shkëlqyeshëm i Kishës Katolike në Shqipëri), Albert Ramaj (Lazër Mjeda në argjipeshkvinë Shkup-Prizren mes 1909-1921), Zef Ahmeti (Konkordati mes Serbisë dhe Vatikanit dhe roli i Imzot Lazër Mjedës), Jahja Drançolli (Roli i Kishës Katolike në Kosovë gjatë kohës së Lazër Mjedës), Robert Elsie (Lazër Mjeda dhe raporti i tij i vitit 1913 për invazionin serb në Kosovë dhe Maqedoni), Gjon Berisha (Të dhëna nga Imzot Lazër Mjeda mbi gjenocidin e ushtrive të Aleancës Ballkanike në Kosovë gjatë viteve 1912-1913), Muhamet Qerimi (Veprimtaria atdhetare dhe kulturore e imzot Lazër Mjedës), Nikë Ukgjini (Lazër Mjeda sipas dorëshkrimeve arkivore të Kryedioqezës së Shkodrës), Fritz Radovani (Imzot Lazër Mjeda në faqet e gazetës „Ora e Maleve“), Tefë Topalli (Jehona e vdekjes së imzot Lazër Mjedës në shtypin fetar të kohës), Tonin Çobani (Lazër Mjeda kodifikuesi i parë shqiptar i Kanunit të Lekë Dukagjinit) etj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »