Inaugurimi i Shkollës Fillore “Loyola” Prizren

Apr 7 • Kisha në Kosovë

Ideja për një shkollë fillore në Prizren, në kompleksin e Kishës Katolike, është krijuar vite më parë, mirëpo deri me sot nuk është arritur të realizohet për shumë arsye e rrethana, si ato juridike, ekonomike etj. Ideja është krijuar si nevojë e kohës dhe kërkesë e prindërve të fëmijëve. Pas ndërtimit dhe funksionimit të kopshtit të fëmijëve “Nëna Kabrini”, që prej vitit 2002, të udhëhequr nga Motrat Engjëllore të Shën Palit, në bazë të suksesit që ka treguar në formimin dhe edukimin e fëmijëve. Kalimi i këtyre fëmijëve nga kopshti në shkollat publike ka qenë gjithmonë i vështirë; nuk e kanë gjetur të njëjtën cilësi, ngrohtësi dhe kushte strukturore. Kjo gjë i ka nxitur prindërit të shprehin brengat e tyre dhe dëshirën për një institucion edukativo-arsimor të mëtutjeshëm, pikërisht për të mirën dhe edukimin e fëmijëve të tyre. 

Përveç kopshtit, në Prizren në vitin 2005 u hap Gjimnazi Klasik “ Loyola” nga Etërit Jezuit. Institucion madhështor dhe cilësor, që ka dëshmuar cilësi të lartë në formimin intelektual dhe human të të rinjve nga Prizreni dhe vende të ndryshme të Kosovës. Pra Prizrenit i mungonte pikërisht hallka lidhëse nga kopshti në Gjimnaz, pra një shkollë fillore 5 vjeçare.
Ipeshkvia e Kosovës, duke e parë këtë mangësi zingjirore të edukimit dhe formimit të fëmijëve, ka vendosur të marrë të gjitha masat për ta realizuar këtë projekt
Kështu, falë Zotit dhe njerëzve vullnetmirë që punuan me përkushtim rreth këtij projekti, arritëm të ringjallim në qytetin e Prizrenit vatrën e arsimit të dikurshëm, me rihapjen e objektit në vendin e “gjimnazit të dikurshëm (1929) me famë në Prizren dhe Kosovë, sikur u kthye prapa në kohë, kur kjo Shkollë e Kishës Katolike ishte marrë me dhunë (nacionalizuar) menjëherë pas Luftës së II Botëore (1945), mirëpo, sot, u kthye prapë në shkëlqimin e saj të natyrshme, ndoshta dhe me shumë, pasi që përpara kemi nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit që të menaxhohet nga ALG-ja- “LOYOLA GYMNASIUM” dhe me Motrat Eengjëllore të Prizrenit (Romës). Zoti e bekoftë Arsimin e Kosovës dhe te gjithë ata – EU që na ndihmuan në realizimin e këtij projekti të mrekullueshëm, i cili, megjithatë, nuk ka përfunduar si kompleks. Ka shumë për t’u bërë, por gjithçka është e mundur për Zotin dhe për ata që besojnë në të”, u shpreh Don Shan Zefi, në fjalën përshëndetëse të inaugurimit, i cili e mbajti në emër të Ipeshkvisë.
Pra, kjo shkollë do ua hap dyert fëmijëve praj vitit të ardhshëm akademik 2016-2017. Do të menaxhohet në bashkëpunim në mes të Ipeshkvisë, që e përfaqëson Dr. Don Shan Zefi, president i Shkollës, Drejtori Gjeneral i Gjimnazit Loyiola Pater Alex Bödefeld dhe Motër Lindita Spaqi, drejtoreshë e Shkollës Fillore “Loyola”, e cila përfaqëson Kongregatën e Motrave Engjëllore.
Falënderojmë Zotin, donatorët, njerëzit që punuan në këtë drejtim, njerëzit e gatshëm për bashkëpunim. Urojmë që kjo shkollë të jetë vërtetë vatër e edukimit human integral, një vatër arsimimi e kulture për brezat e ardhshme të vendit tonë. 

Për Dritën: M. Lindita Spaqi

Fotografitë: Lekë Laçi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »