Inaugurimi i Shkollës së Vjetër Katolike në Prizren

Apr 7 • Kisha në Kosovë

Nga Don Shan Zefi

Kam kënaqësinë dhe nderin që sot, me rastin inaugurimit të kësaj Shkolle historike për Prizrenin dhe Kosovën, ta përshëndes Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin, Ipeshkvin e Kosovës;
Ambasadorin e Bashkimit Europian Samuel Žbogar me bashkëpunëtorët e tij;
Z. Xhavit Dakaj, pronarin dhe kryesin e punimeve “Alba Construction”;
Përfaqësuesit e firmave, nënkontraktuesit;
Vëllezërit meshtarë dhe Motrat e nderit;
Patër Axel Bödefeld, Drejtorin e “Loyola”;
Besimtarët dhe qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës.

 

Të nderuar pjesëmarrës,
Sot, në emër të Kishës Katolike, dëshiroj gjithashtu të shpreh ndenjen e mirënjohjes dhe të falënderimit ndaj Bashkësinë Europiane, që përfaqësohet nga z. Zbogar, e cila e financoi restaurimin komplet të kësaj shkolle, si monument i rëndësishëm, jo vetëm i arsimit, por edhe si objekt i rrallë arkitektonik i Prizrenit.

Falënderimi ynë shkon edhe për Komunën e Prizrenit historik, për udhëheqësit e saj, në krye me Dr. Ramadan Muja, për të gjitha partitë e kësaj komune, duke përfshirë edhe ato të minoriteteve, pasiqë kishin votuar unanimisht për kthimin (dhënien në shfrytëzim për 99 vjet)) e objekteve të nacionalizuara pas viteve ’45. Pra, faleminderit Europë, faleminderit Prizren, që na ndihmuat në realizimin e ëndrrës sonë, për një shkollë të karakterit privat-publik për të gjithë qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës. Pra, e hapur për të gjithë dhe pa dallim kombi a feje, ashtu siç ishte ajo edhe para 75 viteve, nga dolën personalitete të shquara të Kosovës, e kjo traditë po vazhdon edhe hapjen tashmë të Gjimnazit “Loyola” në Prizren, i njohur nga e gjithë Kosova dhe rajoni.
Kjo shkollë e bukur, që sot po inaugurohet në ambientin e Kompleksit të Kishës Katolike, do të jetë bërthama e parë e ALG-së-Loyola, pasi që tashmë e kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit mes Ipeshkvisë së Kosovës, Kongregatës së Motrave Engjëllore të Shën Palit dhe Loyol-së dhe pritet që më 1 shtator të këtij viti të rifilloj mësimi me rreth 270 nxënës, pa llogaritur personelin e shkollës dhe mësimdhënësit, mandej prej vitit në vit, ky numër do të rritet sipas planeve që i kemi vërë përpara.

 

Të nderuar pjesëmarrës,
Rrethanat e vështira politike, shoqërore, kulturore…, në të cilat u gjenden shqiptarët nëpër shekuj, e bënë, siç thuhet, të veten edhe në këtë lëmë, por nga ana tjetër, kurrë nuk u shua dëshira e as përpjekjet e individëve, sidomos të atyre brenda Kishës Katolike, që ta ruajnë gjuhën e të Parëve, qoftë edhe përsa një fije të hollë të së kaluarës edhe ne lëmin e arsimit apo të kulturës në përgjithësi.

Në mesin e qendrave të arsimit ka qenë edhe Prizreni historik, i njohur në antikitet si Theranda, Prekopoli, Prisdriana, Prisrianensis, Prizreni etj, por i njohur për ne, shqiptarët, edhe më At Pal Hasin nga Prizreni, i njuhur për Letrat shqipe, si më vonë edhe Imzot Pjetër Mazreku, Imzot Andre Bogdani, Imzot Pjetër Bogdani e deri tek Motrat e Nderit që mbajtën (hapen) Shkollën e Parë Shqipe të Vashave në Prizren në vitin 1892, siç shkruhet përmes relacioneve kishtare dhe, jo vetëm të atyre, por edhe në ato diplomatike, të udhëpërshkruesve, i mblidhnin rreth vetes edhe fëmijët dhe ua mësonin dituritë fillestare. Kështu punohej rëndom nëpër kisha dhe kuvende, ku ishin të pranishëm priftërinjtë e, shpeshherë edhe nën qiellin e hapur.

Nëse ende mungojnë burimet e sigurta për Prizrenin, në kuptimin se a ka pasur shkolla në shekullin XVII-të apo edhe më herët, atëherë mund të thuhet se kjo nuk na mungon në shekullin XVIII-të e më vonë. Në fakt sipas një relacioni që e dërgon në Romë Selisë së Shenjtë, Imzot Dario Bucciarelli, në vitin 1872, mësojmë se në këtë vend (Prizren) ka vepruar shkolla katolike për fëmijë, madje edhe për ata të vendeve të afërta (rrethinës), duke pohuar se kjo shkollë e vjetër është restauruar në vitin 1866, ndërsa kjo vërtetohet nga Imzot Urban Bogdani, ku thotë të njëjtën gjë, mandej të gravuara në një pllakë të madhe mermeri që në atë kohë ishte vendosur në ditën e restaurimit të shkollës së vjetër (1856) dhe këtë e ruamë si relikt i shenjtë në katedralen tonë. Shpresoj se ky lloj “relekti” për arsimin shqiptar të vendoset në këtë vit 2016, ku koincidon 160 gjegjësisht 180- vjetorin e Shkollës Shqipe në oborrin e këtij Tempulli të shenjtë.

Fati i kësaj shkolle, si dhe shumë të tjerave nëpër famullitë e Kosovës, u erdhi fundi në kohën e midis dy luftërave botërore, ku më anë të masave administrative u ndaluan krejtësisht e, më vonë, dhunshëm u përvesuan.
Ne këtë ditë inauguruese, që mrekullisht po koincidon me përpjekjet e Kishës Katolike, Bashkimit Europian dhe të Kuvendit Komunal të Prizrenit, që, pikërisht, në këtë vend të shenjtë, të rifillojë edhe njëherë kompleksi shkollor e publik, për një arsim sa më cilësor e pa kurrfarë diskriminime gjinore apo etnike. Ndaj le të jetë ky urimi ynë i sinqertë që Prizrenit dhe Kishës Katolike t’i kthehet vendi i merituar i arsimit dhe kulturës në përgjithësi.
Po ndahemi me shpresë se në vitin tjetër të bashkohemi serish me përfundimin e tërë kompleksit shkollor që do të duhej të përfundojë më 1. shtator 2017. Zoti na ndihmoftë dhe urime!

Fjala e Don Shan Zefit, Presidenti i Shkollës Fillore “Loyola” në Prizren, me rastin e inaugurimit të shkollës, 6 prill 2016.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »