A mos sundoj mbi të tjerët?

Apr 8 • Meditimi i ditës

8 prill 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 5,34-42; Ps 26; Gjn 6,1-15)

 

Prania e Hyjit

 

Gjëja që përpiqem të bëjë këtu është që ta lë kohën më një anë

dhe të përqendrohem në jetën time, në atë trupore – në kohë, dhe në atë shpirtërore.

Provoj ta imagjinoj Jezusin sesi është ulur afër meje

dhe lus me të për gjithçka që është duke më ndodhë në jetë.

Mundohem ta kuptoj se në mundësi të panumërta

Jezusi hyn në rrethana të përditshme të jetës sime.

E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.

Shtypja, ngarkesa dhe detyrime të ndryshme shpesh herë e shtyjnë këtë vetëdije për praninë e Zotit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëj diçka.

Tash për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur kundruall asaj çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që të harroj në brengat e mia,

që të jem i/e hapur kundruall asaj çka Zoti kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vetvete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Në qoftë se vetëm diçka nga kjo ekziston në mua,

a mund të provoj t`i largoj këto brengosje që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej ç`dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn, 6, 1-15

 

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:

“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10 Jezusi u tha:

“Thuajuni njerëzve të ulen.”

Në atë vend kishte shumë bar.

U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

  

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ku do ta vendosja veten në këtë skenë të mrekullueshme? Në turmë? Në shoqëri me Filipin dhe Andrenë? Me djalin i cili rrezikon të humbasë drekën e vet? A ofroj atë pak që kam? A i shtrij duart e zbrazëta për të marrë pak peshk dhe bukë? A ndihmoj për të pastruar pas drekës? A e kuptoj çfarë ka ndodhur? A jam duke shkuar së bashku me Jezusin ndërsa largohen “në mal”?

– Jezus, ti nuk dëshiron të jesh “mbret”. Ëndërron një bashkësi në të cilën të gjithë do të jenë të barabartë. Nuk dëshiron të sundojë askush. Ma zbulo se në ç`mënyrë sundoj mbi të tjerët. A mendoj se jam më i/e mirë se të tjerët? A mund ta pranoj kur gaboj? Mos lejo që “ta luaj mbretin.”

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.

Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »