Papa  Shën Gjon Pali II dhe e Lumja Nënë Tereza

Apr 9 • Opinion

 

Nga Don Lush Gjergji

Njerëzit e mëdhenj të Zotit fill njihen dhe bashkëpunojnë me njëri – tjetrin, sepse janë të Zotit dhe të Popullit; kanë një burim dhe frymëzim të përbashkët: ZOTIN DASHURI dhe VËLLAUN NJERI.

Ja vetëm disa pika të përbashkëta dhe bashkëpunimi mes Papës  Shën Gjon Pali II dhe Nënës Tereze.

Nëna Tereze, para se ta pranonte Shpërblimin Nobel për Paqe, ndër të tjera u këshillua  edhe me Papën Gjon Pali II, i cili i pati thënë kështu: “Pranoje këtë Shpërblim dhe nderim të madh në emër të Zotit dhe të varfërve të mbarë botës, të cilëve Ti kaq shumë iu ndihmon dhe u shërben” (nga rrëfimi gojor i Nënës Tereze, shënuar në ditarin tim).

Fjala e parë e Nënës Tereze, në aeroportin e Oslos ishte: “E pranoj këtë Shpërblim në emër të Zotit dhe të varfërve të botës…”

Pas pranimit të Çmimit Nobel për Paqe (Oslo 10 dhjetor 1979), Nëna Tereze e vizitoi në Romë Papën Gjon Pali II. Pas urimit dhe bisedimit të përzemërt me të, Nëna Tereze i tha Papës: “Kam vendosur të tërhiqem nga jeta botërore (publike). Do t’iu kthehem të varfërve dhe të gërbulurve…”.

Papa, pasi e dëgjoi me vëmendje dhe me dashuri, i tha: ”Kurrsesi, sepse Ti je dëshmitarja më bindëse e Ungjillit dhe e Dashurisë së Zotit për çdo njeri. Të lutëm që të shkosh kudo që të thërrasin nëpër botë…”.

Dhe Nëna Tereze aty për aty e ndërroi mendimin, qëndrimin dhe vendimin e saj. Duke komentuar këtë, më tha: “Nuk pata tjetër zgjidhje. Fjala e Papës për mua është urdhër, është vullneti i Zotit” (nga ditari im).

Së bashku me Papën Gjon Pali II,  Nëna Tereze ishte shtegtarja e paqes dhe e dashurisë në mbarë botën, duke tejkaluar të gjithë kufijtë, ndarjet, përçartjet, dallimet, për ta dëshmuar fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë.

Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II e  ftoi Nënën Tereze në Romë dhe ia dhuroi çelësin e shtëpisë për fëmijë dhe nëna të braktisura.

Papa Gjon Pali II, s’ u ndal me kaq, sepse dëshironte ta kishte Nënën Tereze sa më afër, në Vatikan. Mu për këtë vendosi t’ia dhurojë një shtëpi strehimore në Vatikan, pranë Sallës së Audiencave “Pali VI”, si mirënjohje dhe përkrahje personale. Kjo shtëpi quhet “Dono di Maria” (Dhurata e Marisë), dhe është një ndër qendrat e rëndësishme të “Misionareve të Dashurisë” në botë.

Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Indi, ishin së bashku si “dueti” i fesë dhe i dashurisë së krishterë. Gjatë kthimit në Vatikan, gazetari italian Renato FARINA ndër të tjera e pyeti Papën: “Si keni qëndruar kaq shumë gjatë këtyre ditëve të vizitës në Indi? Ne si gazetarë ishim të lodhur duke përcjell vizitën Tuaj. Ku është burimi i gjithë kësaj fuqie?”.

Papa u përgjigj me buzëqeshje kështu: “Kjo nuk është vepra ime, por e Zotit… Kjo vizitë baritore ishte më e lehta, sepse afër meje, me mua ishte Nëna Tereze e Kalkutës. Mjaftonte që me gisht ta tregoja atë, dhe të gjithë e kuptonin shumë mirë dhe me pak fjalë porosinë e Krishtit, të Kishës Katolike, të krishterimit. Ajo është dëshmitarja burimore e jetës dhe e fesë së krishterë”.

Më 13 janar 1989, së bashku me Imzot Nikë Prelën dhe me shumë ipeshkvij nga ish-Jugosllavia, bashkëmeshuam me Papën Gjon Palin II. Pas meshës vijoi takimi dhe biseda me të.

Unë, me atë rast, ia dhurova dy libra të mia në gjuhën italiane kushtuar Nënës Tereze:

Madre Teresa, prima biografia completa, Jaca Book, Milano, 1983;

 Madre Teresa e le sue radici, EMI-PIEMME, 1987, me këtë përkushtim: “Papës Gjon Palit II, Mikut të madh të Nënës Tereze dhe të Popullit Shqiptar: “SHENJTËRI, këtë monografi e kemi botuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, ku janë të pranishëm më se 175 autorë shqiptarë: poezi, prozë, pikturë, skulpturë dhe muzikë (katolikë, ortodoksë dhe myslimanë)”.

Papa më tha: “Mirë, tejet mirë, sepse ajo është  shqiptare. Keni bërë shumë mirë që e keni botuar një libër kaq të pasur dhe tejet të bukur. Ajo ka lindur në Shkup. Por me prejardhje ishte nga Prizreni, shqiptare, ZEMRA E POPULLIT TUAJ, E MBARË KISHËS. KËSHTU KULTIVOHET DIALOGU, BASHKËPUNIMI DHE BASHKËJETESA MES POPUJVE DHE FEVE. URIME DHE VETËM PËRPARA!”.

Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II Shqipërisë, në Shkodër, ai për Nënën Tereze tha kështu: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë.

 Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

Papa në Tiranë për Nënën Tereze tha: “E si mos ta kujtojmë tani, një bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Motrën Tereza të Kalkutës, nënë e shumë të varfërve ndër më të varfëritë në botë? Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së papërmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”.

Me rastin e “kthimit në Shtëpinë e Atit” – vdekjes së Nënës Tereze, (5 shtator 1997), Papa Gjon Pali II tha: “Në këtë moment të lutjes më rri në zemër, që të kujtoj motrën tonë nga Kalkuta, Nënë Terezën, e cila para dy ditësh i dha fund jetës së vet të gjatë në tokë. Unë pata rastin ta takoj shpesh, dhe në kujtesën time rri figura saj e vogël plot jetë në shërbim të më të varfërve ndër të varfër, e cila ishte e përmbushur nga një forcë e brendshme e pashtershme: forca e dashurisë së Krishtit…Duke e gjurmuar Ungjillin, u bë për çdo njeri “samaritani i mirë”…Përderisa po ia besojmë Hyjit shpirtin e ngritur të kësaj rregulltarje të përshpirtshme dhe besimtare, e lusim Virgjërën Mari që t’u jap ngushëllim bashkëmotrave të saj dhe të gjithëve që e njohën dhe e deshën”.

Papa Gjon Pali II lejoi përjashtimin kanonik dhe përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze, dhe atë e lidhi me dy ngjarje tejet të rëndësishme: 25 vjetorin e Pontifikatit të tij në Selinë e Shën Pjetrit dhe Ditën Botërore të Misioneve. Në meshën e lumturimit të saj, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (19 tetor 2003), ai ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme, të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes. Ikona e samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithkund për ta shërbyer Krishtin ndër të varfër ndër më të varfër. As  konfliktet dhe luftërat nuk e kanë ndalur atë. Herë pas here vinte tek unë dhe më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore… Me ndjenja të thella jemi këtu për ta përkujtuar sot Nënën Tereze, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës dhe të mbarë botës… Jeta e saj ishte e thadruar në dashuri si shpallje e guximshme e Ungjillit…”

Duhet përmendur që sipas dëshirës dhe kërkesës së Papës Gjon Pali II janë përkthyer dhe botuar tre libra të Don Lush Gjergjit në polakishte, me tirazh milionësh:

 Madre della carita’(Matka Teresa), 1994; Vivere, Amare, Testimoniare, /Zyc’, Kochac’, Sëiadczuc’/, 1999; dhe  për lumturimin e Nënës Tereze L’amore in azione (Matka Teresz, Milosc  czynach), 2003.

Këto vepra, autori ia ka paraqitur dhe dhuruar Papës personalisht, së bashku me botuesin italian VELAR nga Bergamo,  dhe botuesin polak Etërit Pallotinë nga Varsava.

Kulmi ishte ky: Papa i  kërkoi këto botime në gjuhën polake dhe në gjuhët tjera: italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht…për t’ua dhuruar delegacioneve më të larta kishtare dhe shtetërore gjatë vitit Jubilar 2000.

Më këtë, dëshmoi edhe njëherë nderimin dhe dashurinë ndaj së Lumes Nënës Tereze, si dhe ndaj Kishës dhe popullit tonë.

Dhe në fund ta përmendi edhe këtë: Papa Gjon Pali II, ishte Miku i madh i Nënës Tereze, nëpërmjet saj edhe i Popullit Shqiptar. Qysh prej fillimit të Pontifikatit  në Selinë e Shën Pjetrit (16 tetor 1978),  deri të ndërrimi i jetës (2 prill 2005), për festa të mëdha si Kërshëndellat dhe Pashkët, Shën Pjetri, kur jepet  Bekimi Apostolik “Urbi et Orbi” (Qytetit dhe Botës), gjithmonë ka folur dhe uruar edhe në gjuhën shqipe, bile ndër gjuhët më të para.

 Edhe kjo, si dhe  e tërë jeta dhe veprat e tija, dëshmojnë se na kishte në zemër.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »