“Ti di gjithçka o Zot, ti e di që të dua”

Apr 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Pashkëve

Leximi parë: Vap 5,27-32.40-41

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.” Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.” I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.
Fjala e Zotit

Psalmi 30

Ref:Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
———————————————————–

O Zot, Hyji im,
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
————————————————————
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
————————————————————
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare.
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!
———————————————————————-

Leximi dytë: Zb 3,11-14

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”
Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan.
Fjala e Zotit
Aleluja!
U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi njerëzit në mëshirën e vet.
Aleluja!

Ungjilli Gjn 21, 1-19

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij. U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!”. Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri. Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyun. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”
Fjala e Zotit

POROSIA

Në leximin e parë, dëgjojmë se si krerët e judenjëve, me çdo kusht dëshironin të heshtnin apostujt dhe mos të përmendet emri i Krishtit, por apostujt në krye me Pjetrin thoshin që këtë Jezus që ju e kryqëzuat, Hyji e ngjalli nga të vdekurit dhe ai kërkohet kthimi, pendimi që Hyji kërkon e që të pranojmë faljen dhe shëlbimin tonë. Historia dhe fati i Kishës, përsëritet deri në ditët tona, duke dashur që rryma, filozofi dhe religjione të ndryshme të bëjnë të heshtë predikimi mbi Jezusin, Zot.
Por, duke e pasur parasysh se vetë Shpirti i Hyjit vepron në Kishë, i njëjti Shpirt vepron nëpër shërbyesit e saj që të përhapet Lajmi i Gëzueshëm.
Janë ata që më shumë do t’ i nënshtrohen vullnetit të Hyjit, se sa të njerëzve, duke u angazhuar dhe duke u flijuar për Krishtin.

Leximi i dytë i zbuleses, na paraqet Krishtin si qengj, i cili flijohet, e që do të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”
Atij i qoftë lavdi në shekujt e shekujve- amen- përfundon shën Gjoni këtë pjesë të Zbuleses.
Krishti, është qengj që flijohet dhe gjaku i derdhur i tij na pastron prej fajeve tona. Krishti është qengj që flijohet dhe neve na bënë të pajtohemi me Atin. Krishti është qengj që na mundëson bashkimin me Hyjin.

Ditët e Pashkëve, të Ringjalljes, na qortojnë në të vërteten e madhe. Jezusi u përkujdes për ne duke vdekur e duke u ngjallur. Ai, na shëron dhe na ringjallë nëpërmes sakramentit të rrëfimit; na ushqen me korpin dhe gjakun e vet. I kryqëzuari dhe i vuajturi në kryq, fitoi mbi errësirën, mëkatin dhe vdekjen. Ky dëshiron të jetë i pranishëm në jetën tonë, në familje tona, në zemra tona. Jezusi sikurse e pyeti Pjetrin na pyet edhe neve: A me do? Prandaj të pyesim sa dhe si e duam Krishtin?
Tri pyetje të Jezusit janë simbolik e tri mohimeve që i bëri Pjetri ndaj Jezusit, dhe tani, kjo dashuri që tregon, është një satisaksion për falje, për përmirësim të gabimit që kishte bërë Pjetri duke thënë që nuk e njeh Jezusi.
Ne, duhet të jemi në shërbim të së mirës, dhe e mira e pambaruar është Zoti.
Prandaj, për shkëmbim të kësaj dashurie që do të kemi për të, na mbush me hire, duke ja hapur zemrën e duke e pranuar si Zot dhe Shëlbues. Ne, duhet të jemi besimtarë që besojmë, shpresojmë dhe e duam Zotin dhe lejojmë që Ai të bëhet Rruga, e Vërteta dhe Jeta.
Dëgjojmë se si apostujt ishin të lumtur nëse përjetonin ndonjë sharje, fyerje, apo rrahje për Krishtin.
Të krishterët gjithmonë kanë qenë të persekutuar: të salvuar, të burgosur, të rrahur, të vrarë, të munduar dhe të martirizuar, por në ta është parë forca që ju ka dhënë Zoti, duke e kuptuar jetën tokësore si kalim dhe kurrsesi si ndalesë e fundit, e në këtë kalim me shumë vuajtje për t’ u takuar me Zotin në amshim. Në amshim që na siguroi Jezusi me vdekje dhe me ngjallje.
Me të drejtë, thotë Jezusi: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd e unë do t’ ju ç’ lodhë. Mësoni nga unë që jam zemër butë dhe i përvujtë dhe do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj”.
Jeta na sjell vështirësi, lodhje, dëshpërim dhe pa siguri. Por ata që shpresojnë, luten dhe besojnë në Zotin nuk do të dështojnë.
Prandaj vëllezër e motra, ta dëshmojmë edhe ne Jezusin e Ringjallur dhe mos të pushojmë kurrë të harrojmë atë që Ai bëri dhe bënë për ne, por me Jezusin bashkërisht në ditë të mira dhe të vështira ta ndërtojmë të ardhmen tonë, e ardhmja është lumturia e pasosur. Amen.

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, duke u ushqyer me fjalën e Zotit, t’ i drejtojmë lutjet tona, Hyjit Atit tonë të gjithëpushtetshëm që premtimet e tija të plotësohen në ne dhe në botën mbarë. Të themi së bashku:

Për dashurinë që ke ndaj nesh, na dëgjo, o Zot!

– Për Kishën që e dërgove në botë, që gjithmonë të jetë e dëgjueshme dhe sipas vullnetit tënd të kryej detyrën që ia ke dhënë, të lutemi:

– Për të gjithë ata që kanë pranuar Jezusin për Shëbues, që me jetë dhe veprimtari të dëshmojnë përkatësinë e tyre fetare, të lutem:
– Për të gjithë ata që kanë pushtet që të angazhohen për të mirën e përbashkët, të lutemi:

– Për të gjithë ata që vuajnë e në veçanti ata që vuajnë për Krishtin, që t’ i forcosh dhe ndihmosh me fuqinë tënde të ngadhënjejnë mbi të keqen, të lutemi:

– Për ne këtu të bashkuar në emrin tënd, që të mund të njohim shenjat e afërsisë sate dhe të dashurisë në jetën e përditshme, të lutemi:

– Për vëllezërit dhe motrat tona të vdekura, që për mirësinë tënde t’ u jesh i mëshirshëm dhe t’ i pranosh në mbretërinë qiellore, të lutem:

O Hyj i amshuar, ti Në Jezu Krishtin na e zbulove misterin e dashurisë sate. Na dhuro Shpirtin tënd që duke marrë pjesë në këto mistere në mes veti të dallojmë fytyrën e Birit tënd, që me Ty jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »