Amoris laetitia: nxitje apostolike post-sinodale mbi dashurinë në familje e Papa Françeskut

Apr 10 • Kisha në botë

Një sintezë zyrtare nga  Selia e Shenjtë

Amoris laetitia (AL – Gëzimi i dashurisë) është nxitje apostolike pas-sinodale mbi “dashurinë në familje”, që është shpallur jo rastësisht më 19 mars, Kremtja e Shën Jozefit, që përmbledh rezultatet e dy Sinodave mbi familjen, që i ka ftuar Papa Françesku në vitin 2014 dhe 2015.  Kumtesat  përfundimtare e të cilëve citohen shumë, së bashku me mësimet e Paraardhësve dhe katekezat e shumta mbi familjen nga vetë Papa Françesku. Megjithatë, si ka ndodhur për dokumente tjera të magjisterit, Papa përfiton edhe nga kontributet të Konferencave të ndryshme ipeshkvore në botë (Kenya, Australia, Argjentina…), dhe të citimeve të njohura si Martin Luther King ose Erich Fromm. Është e posaçme një citim nga filmi “Dreka e Babettit”, që e përkujton Papa për ta shpjeguar kuptimin e dhurimit falas.

 

Hyrje (1-7)

Nxitja apostolike bie në sy për gjerësi dhe hollësi. Ajo ndahet në nëntë kapituj dhe mbi 300 paragrafë. Hapet me shtatë paragrafë hyrës që theksojnë vetëdijen e tematikës së ndërlikuar dhe thellësinë që kërkon. Thuhet që ndërhyrjet e Etërve të Sinodit kanë krijuar një “shumëfaqësh të çmuar” (AL 4) që duhet të ruhet. Në këtë kuptim Papa shkruan që “të gjitha diskutimet doktrinore, morale o baritore, nuk duhet  të zgjidhen  me ndërhyrjen e magjisterit”. Prandaj për disa pyetje “në çdo vend apo krahinë mund të kërkohen zgjidhje më të përshtatshme të kulturës, të vëmendshme ndaj traditave dhe të sfidave vendore. Vërtet, “kulturat  janë shumë të ndryshme mes tyre dhe çdo parim i përgjithshëm… ka nevojë të inkulturohet, nëse do të jetë i nderuar dhe zbatuar” (AL 3). Ky parim i inkulturimit duket vërtet i rëndësishëm deri te mënyra e shtruarjes dhe kuptimit të problemeve që, përtej pyetjeve dogmatike të definuara mirë nga ana e Magjisterit të Kishës, nuk mund të jetë  “globalizuar”.

Por mbi të gjitha Papa thotë menjëherë me qartësi që duhet të dilet nga kundërshtimi steril mes shqetësimit për ndërrim dhe zbatimit të thjeshtë të rregullave abstrakte. Shkruan: “diskutimet që gjenden në mjetet e komunikimit apo në botime, deri edhe te ministrat e Kishës, shkojnë prej dëshirës së shfrenuar për ndërrim të gjithave, pa shqyrtim të mjaftueshëm apo themel, te sjellja që kërkon të zgjidhë gjithçka duke zbatuar rregullore të përgjithshme, apo duke nxjerrë përfundime të skajshme nga disa mendime teologjike” (AL 2).

Kreu i parë: “Në dritën e Fjalës” (8-30)

Sipas këtyre parakushteve, Papa e qartëson mendimin e tij duke u nisur nga Shkrimi i Shenjtë me kreun e parë, që zhvillohet si një meditim mbi Psalmin 128, karakteristik për liturgjinë dasmore hebreje si dhe ajo e krishterë. Bibla “është e populluar me familje, me breza, me histori dashurie dhe me kriza familjare” (AL 8), dhe duke u nisur nga ky fakt mund të meditohet si familja nuk është ndonjë ideal abstrakt, por një detyrë “zejtarie” (AL 16), që shprehet me butësi (AL 28), por që është ballafaquar edhe me mëkat qysh nga fillimi, kur marrëdhënia e dashurisë është shndërruar në sundim (khs. AL 19).  Prandaj Fjala e Zotit “nuk paraqitet si shprehje e tezave abstrakte, por si një shoqe e udhëtimit edhe për familje të cilat janë në krizë apo kalojnë  ndonjë dhembje, dhe u tregon atyre cakun e udhëtimit” (AL 22).

Kreu i dytë: “Gjendja dhe sfidat e familjeve” (31-57)

Duke u nisur nga pikëpamja biblike në kreun e dytë Papa e trajton gjendjen aktuale të familjeve duke qenë me “këmbë për toke” (AL 6), duke marrë gjerësisht nga Kumtesat përfundimtare të Sinodit dhe duke ballafaquar sfida të shumta, nga fenomeni i mërgimeve deri te mohimi ideologjik i dallimeve të gjinive” (“ideologjia e gender-it”, AL 46); nga kultura e përkohshmërisë të mentaliteti kundër-lindës dhe ndikimi i biotikës në lëmin e krijimit të jetës; nga mungesa e shtëpisë dhe punës te pornografia dhe keqpërdorimi i fëmijëve; nga kujdesi për njerëz të cunguar, te nderimi ndaj të moshuarve; nga rrënimi juridik i familjes, te dhuna ndaj grave. Papa thekson  gjërat konkrete, që është një veçori e Nxitjes. Janë konkretësia dhe realizmi  që dallojnë rrënjësisht “teoritë” e interpretimeve nga realiteti i “ideologjive”.

Duke cituar “Familiaris consortio”, Françesku thotë se “është gjë e shëndoshë  të shqyrtohet me vëmendje realiteti konkret, sepse “kërkesat dhe ftesat e Shpirtit Shenjt jehojnë edhe në ngjarjet e historisë”, nëpërmjet cilave “Kisha mund të udhëhiqet nga një mençuri më e thellë e misterit të pashqyrtueshëm të martesës dhe familjes” (AL 31). Pra, pa e dëgjuar realitetin nuk mund ta kuptojmë as nevojat e kohës së tashme, as ftesat e Shpirtit. Papa heton që individualizmi i tepruar e vështirëson çdo dhurim ndaj personit tjetër në mënyrë bujare (khs. AL 33). Ja një fotografi interesante e gjendjes: “Ka frikë nga vetmia, kërkohet ndonjë hapësirë për  mbrojte dhe besnikëri, por njëkohësisht rritet frika që të jemi të grabitur  nga ndonjë lidhje që mund të shtyjë kënaqësinë e aspiratave personale” (AL 34).

Përvujtëria e realizmit ndihmon që mos të paraqitet  “ndonjë ideal teologjik i martesës tepër abstrakte, gati të ndërtuar në mënyrë artificiale, larg gjendjes konkrete dhe mundësive efektive të familjeve ashtu siç  janë” (AL 36). Idealizmi largon nga shqyrtimi i martesës si është, domethënë një “ecje dinamike e rritjes dhe realizimit”. Shi për këtë nuk duhet të besohet që familjet përkrahen “vetëm duke theksuar mbi çështje doktrinore, bioetike dhe morale, pa e theksuar hapjen ndaj hirit” (AL 37).  Duke ftuar në një lloj “vetëkritike” të paraqitjes jo të përshtatshme të realitetit martesor dhe familjar, Papa insiston për nevojën e formimit të ndërgjegjes se besimtarëve: “Jemi të ftuar për formimin e ndërgjegjes, jo për të kërkuar zëvendësimin e saj” (AL 37). Jezusi paraqiste ideale kërkuese, por “ nuk e humbte kurrë afërsinë e dhembshur e njerëzve të dobët si samaritanja ose gruaja kurorëthyese” (AL 38).

Kreu i tretë: “Shikimi drejtuar kah Jezusi: thirrja e familjes” (58-88)

Kreu i tretë iu kushtohet disa elementeve qenësore të mësimit të Kishës rreth martesës dhe familjes. Ky kapitull është i rëndësishëm, sepse ndriçon në mënyrë sintetike në 30 paragrafë, thirrjen e familjes sipas Ungjillit, ashtu siç e ka pranuar Kisha e kohës, sidomos për temën e pathyeshmërisë, sakramentalitetit të martesës, bartjes së jetës dhe edukimit të fëmijëve. Citohen shumë Gaudium et spes e Vatikanit II, Humanae vitae e Palit VI, Familiaris consortio e Gjon Palit II.

Shikimi është i gjerë dhe përfshin edhe “gjendje të papërsosura”. Aty lexojmë:  “Gjetja e  pranisë së “semina Verbi” në kultura tjera (khs, Ad genetes, 11) mund të zbatohet edhe në realitetin e martesës dhe familjes. Përpos martesës natyrore ka elemente pozitive të pranishme ne forma martesore të traditave tjera fetare”, edhe pse nuk mungojnë as hijet” (AL 77).

Shqyrtimi i merr para sysh edhe “familjet e lënduara”, para të cilave Papa thotë – duke cituar Relatio finalis të Sinodit 2015 – “duhet kujtuar gjithmonë një parim të përgjithshëm: “Le ta dinë barinjtë që, për hir të dashurisë ndaj të vërtetës, janë të detyruar t’i dallojnë mirë situatat” (Familiaris consortio, 84). Shkalla e përgjegjësisë nuk është e njëjtë në të gjitha rastet, dhe mund të ketë faktorë që kufizojnë mundësin e vendimeve. Për këtë arsye, deri sa me qartësi shprehet doktrina, duhet t’i shmangemi gjykimeve që nuk marrin para sysh për llojllojshmërinë e gjendjeve të ndryshme, dhe duhet të jemi të kujdesshëm për mënyrën e jetës së njerëzve për arsye të gjendjes së tyre” (AL 79).

 Kreu  i katër: “Dashuria në martesë” (89-146)

Kreu i katërt trajton dashurinë në martesë dhe e paraqet duke u nisur nga “himni i dashurisë”  i Shën Palit në 1 Kor 13, 4-7. Kreu është një ekzegjezë e kujdesshme, e saktë, baritore, e frymëzuar dhe poetike nga teksti palian.  Mund të themi se flitet për një përmbledhje për pjesë të  trajtimit të dashurisë që me kujdes dallon dashurinë njerëzore në kuptim absolutisht konkrete. Bën përshtypje aftësia e hyrjes në vetvete në aspektin psikologjik, që karakterizon këtë ekzegjezë. Thellimi psikologjik hyn në botën e emocioneve të të martuarve  – në anën pozitive dhe negative – dhe në anën erotike të dashurisë. Fjala është për një kontribut tejet të pasur dhe të çmuar për jetën e krishterë të çiftit martesor, që deri me tash nuk kishte krahasim në dokumentet papnore.

Në një mënyrë, ky kapitull është një ndërlidhje brenda trajtimit më të gjerë, plotësisht i vetëdijshëm për dashurinë në përditshmëri, që është armike e çdo idealizmi: “nuk duhet të gjuhet mbi dy persona të kufizuar – shkruan Papa – barra e tmerrshme e detyrës së riprodhimit në mënyrë të përsosur bashkimi që është mes Krishtit dhe Kishës së tij, sepse martesa si shenjë nënkupton “një proces dinamik, që përparon në mënyrë shkallore me integrimin e vazhdueshëm e dhuratave të Hyjit” (AL 122). Mirëpo në anën tjetër Papa insiston në mënyrë të fuqishme dhe të vendosur për faktin që, “në vetë natyrën e dashurisë martesore është hapja definitive ndaj saj” (AL 123), mu brenda atij “kombinimi të gëzimeve dhe lodhjeve, shqetësimeve dhe pushimeve, vuajtjeve dhe çlirimeve, kënaqësive dhe kërkimeve, pengesave dhe shpërblimeve” (AL 126), që është pikërisht martesa.

Kapitulli përfundon me një shqyrtimin shumë të rëndësishëm mbi “ndërrimin e dashurisë”, sepse “zgjatja e jetës bënë që të vërtetohet diçka që nuk ishte e rëndomtë në kohë tjera: lidhja intime dhe përkatësia e ndërsjellët duhet të ruhen për katër, pesë o gjashtë dekada, kjo kërkon nevojën për kthimit të zgjedhjes në shumë raste” (AL  163). Ndryshon ana fizike dhe tërheqja e dashurisë nuk mungon, por ndërrohet: dëshira seksuale me kohë ndërrohet në dëshirë të intimitetit dhe “bashkëpunimit”. “Nuk mund të premtojmë që të kemi ndjenja të njëjta gjatë tërë jetës. Mirëpo me siguri mund të jetë një projekt i përbashkët dhe i qëndrueshëm i angazhimit për dashuri dhe të jetohet bashk deri në vdekje pa ndarje, të jetohet në intimitet të pasur” (AL 163).

Kreu i pestë: “Dashuria që bëhet e frytshme” (165-198)

Kreu i pestë është krejtësisht i përqendruar mbi fekondimin dhe lindshmërinë e dashurisë. Flitet në një mënyrë shpirtërore dhe psikologjike të thellë për pranimin e jetës së re, për pritjen e shtatzënisë, për dashurinë e babait dhe të nënës. Mirëpo edhe për zgjatjen e fekondimit, për birësimin, pranimin e kontributit e familjeve për promovim e “kulturës së takimit”, të jetës në familje në kuptim të gjerë, me praninë e gjyshave, kushërinjve, të afërmve dhe farefisit, miqve. Amoris laetitia nuk e merr në shqyrtim familjen “një-bërthamore” , sepse ka vetëdije për familje si rrjetë të lidhjeve më të gjera. E njëjta mistikë e sakramentit të martesës ka një karakter të thellë shoqëror (khs,  AL 186). Papa brenda këtij dimensioni shoqëror nënvizon në mënyrë të veçantë rolin specifik të marrëdhënies mes të rinjve dhe të moshuarve, si dhe mes vëllezërve dhe motrave, si dimensioni i tretë i rritjes së lidhjeve me të tjerët.

Kreu i gjashtë: “Disa perspektiva baritore” (199-258)

Në kreun e gjashtë Papa përballon disa rrugë baritore që orientojnë ndërtimin e familjeve të qëndrueshme dhe të frytshme sipas planit të Hyjit. Në këtë pjesë Nxitja përdor shumë  Kumtesat përfundimtare të dy Sinodave dhe të katekezave të Papa Françeskut dhe Gjon Palit  II. Përsëritet që familjet janë jo vetëm objekt por edhe subjekt i ungjillëzimit. Papa tregon se “ministrave të rëndomtë shpesh u mungon formimi përkatës për trajtimin e çështje të ndërlikuara të familjes aktuale” (AL 202). Nëse në një anë duhet përmirësuar formimin  psikologjik të seminaristeve dhe ndërlidhjen me të madhe të familjes në formimin e shërbimit baritor (khs. AL 203), në anën tjetër “mund të jetë e dobishme … edhe përvoja e gjatë e traditës lindore të meshtarëve të martuar” (AL 202).

Prandaj Papa e merr në shqyrtim temën e udhëheqjes së të fejuarve në ecjen përgatitore për martesë, për përcjelljen e palëve martesore në vitet e para të jetës bashkëshortore (tema delikate e atësisë së përgjegjshme), në disa raste të ndërlikuara dhe në krizë të posaçme, duke ditur që “çdo krizë fsheh një lajm të mirë që duhet ditur të dëgjohet duke aftësuar të dëgjuarit e zemrës” (AL 232). Analizohen disa shkaqe të kizës, ndër të cilat vonesa e pjekurisë afektive (krh. AL 239).

Përpos kësaj flitet edhe për përcjelljen e njerëzve të braktisur, të ndarë apo të shkurorëzuar, dhe nënvizohet rëndësia e reformës së re në procesin e njohjes së rasteve për shpalljen e pavlefshmërisë martesore. Theksohet vuajtja e fëmijëve në rrethana të konflikteve dhe përfundohet: “Shkurorëzimi është një e keqe, dhe është shumë brengosëse rritja e numrit të të shkurorëzuarve. Për këtë arsye, pa dyshim, detyra jonë baritore më e rëndësishme lidhur me familjen është përforcimi i dashurisë dhe ndihma në shërimin e plagëve, kështu që të parandalohet hapja e kësaj drame të kohës sonë” (AL 246). Pastaj trajtohet gjendja e martesave të përziera dhe të atyre me dallim kulti, dhe gjendja e familjeve që kanë në gjirin familjar njerëz me tendenca homoseksuale, duke paraqitur nderimin ndaj tyre, dëbimin e çdo lloj diskriminimi, agresiviteti dhe diskriminimi të padrejtë, si dhe çdo lloj agresioni apo dhune. Është e çmueshme pjesa përfundimtare  e  kreut: “Kur vdekja mbjell thumbin e vet” rreth temës së humbjes së personave të dashura dhe të vejërisë.

Kreu i shtatë: “Përforcimi i edukimit të fëmijëve” (259-290)

I tërë kreu i shtatë i kushtohet edukimit të fëmijëve dhe formimit të tyre etik, vlerës së ndëshkimeve si shtytje, realizmit me duresë, edukimit seksual, bartjes së fesë, dhe në mënyrë më të përgjithshme jetës familjare si kontekst edukativ. Është interesant urtia praktike që hetohet në çdo paragraf, sidomos  kujdesi shkallor i hapave të vegjël “që mund të kuptohen, pranohen dhe vlerësohen” (AL 271).

Është një paragraf posaçërisht domethënës dhe në anën pedagogjike themelor në të cilin Françesku pohon qartas që “ankthi nuk mund të edukohet, dhe s’mund të kontrollohet për gjendjet në të cilat do të mund të gjendet biri gjatë jetës…. Nëse një prind është në ankth për të ditur ku gjendet biri i tij dhe të ketë kontrollim për çdo lëvizje të tij, do të kërkojë sundimin e hapësirës së tij. Kështu nuk do ta edukojë, përforcojë, përgatisë për ballafaqim me sfida. Ajo që  ka  rëndësi themelore  është rritja e proceseve të pjekurisë dhe të lirisë, me shumë dashuri, përgatitja, rritja integrale, kultivimi autentik i autonomisë” (AL 261).

Është e rëndësishme pjesa e kushtuar edukimit seksual, me titull shumë domethënës: “Po edukimit seksual”. Pranohet nevoja dhe shtrohet pyetja “nëse institucionet tona edukative kanë pranuar këtë sfidë… në një kohë në të cilën ka qëllime të banalizimit dhe varfërimit të seksualitetit”. Ajo duhet të realizohet “në tërësinë e edukimin për dashuri, dhurim të  ndërsjellët” (AL 280). Vërehet vëmendja e shprehjes së “seksit të sigurt”, sepse bart  “një qëndrim negativ ndaj qëllimit natyror për pro-kreativitetin e seksit, si ndonjë fëmijë i mundshëm të ishte armik prej të cilit kemi detyrë të mbrohemi. Kështu promovohet agresiviteti narcisoid në vend të pritjes” (AL 283).

Kreu i tetë: “Shoqërimi, shoshitja (përshquajtja) dhe integrimi i brishtësisë”  (291-312)

Kreu i tetë është ftesë për mëshirë dhe dallim baritor para gjendjeve që nuk janë në përkim në tërësi me atë çka propozon Zotëria. Papa këtë shkruan dhe përdor tri folje shumë të rëndësishme: “shoqërim, shoshitj (përshquajtje, dallim) dhe integrim”, që janë themelore në ballafaqimin e gjendjes së brishtësisë komplekse dhe të pa rregullt. Këtu Papa e paraqet nevojën shkallore në pastoral, rëndësinë e dallimeve, normat dhe rrethanat lehtësuese në ballafaqimin baritor, që në fund ai e definon “logjika e mëshirës baritore”.

Kreu i tetë është shumë delikat. Për ta lexuar duhet përkujtuar që “shpesh puna e Kishës i përngjan spitalit fushor” (AL 291). Këtu Papa i përmbledh frytet e shqyrtimeve të Sinodit mbi tematikat e diskutueshme. Përforcohet çka është martesa e krishterë dhe shtohet që “format tjera të bashkimit kundërshtojnë rrënjësisht këtë ideal, ndërsa disa e realizojnë së paku pjesërisht dhe në mënyrë analoge”. Prandaj Kisha “nuk mungon në vlerësimin e “elementeve ndërtues në ato situata që nuk përgjigjen akoma  apo jo më” mësimit të saj mbi martesën” (AL 292).

Sa i përket “shoshitjes” (përshquajtjes)  rreth situatave të “pa rregullta”  Papa vëren: “duhet të shmangen gjykimet rreth mënyrës së jetës së tyre dhe vuajnë për shkak të gjendjes së tyre” (AL 296). Dhe vazhdon: “Duhet integruar të gjithë,  duhet ndihmuar çdo njëri për ta gjetur mënyrën  e vet për të marrë pjesë në bashkësinë kishtare, që të ndihet subjekt i mëshirës “së pamerituar, pa kushtëzuar dhe falas” (AL 197). Ende: “Të shkurorëzuarit që jetojnë një bashkim të ri, për shembull, mund të gjenden në situata shumë të ndryshme, që nuk duhet të katalogohen apo të mbyllen në thënie tepër të rrepta  pa lënë hapësirë për një dallim personal dhe baritor” (AL 298).

Në këtë drejtim, duke pranuar vërejtjet e shumë Etërve të Sinodit, Papa pohon: “të pagëzuarit që janë të shkurorëzuar dhe të prapë të martuar në mënyrë civile duhet të jenë më shumë të integruar në bashkësi të krishtera në mënyra të ndryshme të mundshme, duke evituar çdo formë të shkandullit”. Mënyra e bashkëpunimit të tyre mund të shprehet në shërbime të ndryshme kishtare… Ata nuk duhet të ndihen të përjashtuar, por mund të jetojnë dhe të piqen si anëtarë të gjallë të Kishës… Ky integrim është i domosdoshëm edhe për kujdesin dhe edukimin e krishterë të fëmijëve të tyre” (AL 299).

Në mënyrë më të përgjithshme Papa bënë një pohim shumë të rëndësishëm për ta kuptuar orientimin dhe kuptimin e Nxitje postsinodale: “Nëse merret para sysh situatat të panumërta  konkrete shumë të ndryshme… kuptohet që nuk do të duhej të pritej prej këtij Sinodi apo nga kjo Nxitje një normativë e re e përgjithshme e tipit kanonik, që mund të zbatohet në të gjitha rastet. Është i mundshëm vetëm një inkurajim i ri për një dallim përgjegjës dhe personal dhe baritor i rasteve të veçanta, që do të duhej të njiheshin që, pasi që “shkalla e përgjegjësisë  nuk është e barabartë në çdo rast, pasojat apo efektet e një norme jo detyrimisht duhet të jenë gjithmonë të njëjta” (AL 300). Papa zhvillon në mënyrë të thelluar nevojat dhe kërkesat e ecjes dhe përcjelljes së dallimit në dialog të thelluar  mes besimtarëve dhe barinjve. Për këtë qëllim e fton  persiatjen e Kishën mbi “kushtëzimet dhe rrethanat lehtësuese” për sa i përket përgjegjshmërisë e veprimeve dhe, duke u mbështetur në Shën Tomë Akuinin, ndalet në marrëdhëniet mes “normave dhe dallimit” duke pohuar: “Është e vërtetë që normat e përgjithshme  paraqesin një të mirë që s’duhet kurrë të shkapërderdhet as të mospërfilljet, por në formulimin e tyre nuk mund të përqafojnë absolutisht të gjitha gjendjet e veçanta. Në të njëjtën kohë duhet  thënë që, shi për këtë arsye, ajo që bënë pjesë për një dallim praktik para një gjendje të veçantë, nuk mund të ngrihet në nivelin e një norme” (AL 304).

Në pjesën e fundit të kapitullit: “Logjika e mëshirës baritore”, Papa Françesku, për t’iu ikur dykuptimshmërisë , pohon me fuqi: “Kuptimi i gjendjeve të jashtëzakonshme nuk domethënë kurrë fshehja e dritës së idealit më të plotë as propozimi më pak se ajo çka ka ofruar Jezusi qenies njerëzore. Sot, më shumë se pastorali i dështimeve është përpjekja baritore për përforcimin e martesave dhe kështu të evitohen thyerjet” (AL 307). Mirëpo kuptimi kompleks i kreut dhe të shpirtit që Papa Françesku do t’ia jep pastoralit të Kishës është përmbledh  mirë në fjalët e fundit: “Ftoj besimtarët që janë duke jetuar gjendje komplekse që të afrohen me mirëbesim  për një bisedë me barinjtë e tyre ose me laikë që jetojnë të kushtuar Zotërisë. Jo gjithmonë do të gjejnë në ata vërtetimin e ideve dhe dëshirave  të  tyre, por me siguri do të marrin një dritë që do t’ua mundësojë  atyre që të kuptojnë më mirë ajo çka u ndodhë  dhe me këtë të zbulojnë një ecje të pjekurisë personale. Ftoj barinjtë që të dëgjojnë me dashuri dhe qetësi, me dëshirë të sinqertë për të hyrë në zemër të dramës së personave dhe të kuptojnë pikëpamjen e tyre, për t’i ndihmuar që të jetojnë më mirë dhe për të njohur vendin e tyre në Kishë” (AL 312). Mbi “logjikën e mëshirës baritore” Papa Françesku pohon me fuqi: “Disa herë na kushton shumë të jepet hapësirë në baritorin  e  dashurisë  së pakusht  të Zotit. Vejmë shumë kushte para mëshirës që e zbrazim prej kuptimit konkret dhe domethënies reale, dhe kjo është mënyra më e keqe të shpërlajmë Ungjillin” (AL 311).

Kreu i nëntë: Përshpirtëria martesore dhe familjare” (313-325)

Kreu i nëntë i kushtohet përshpirtërisë martesore dhe familjare, “që përbëhet prej mijëra gjesteve reale dhe konkrete” (AL 315). Qartas thuhet së “ata që kanë dëshira të thella shpirtërore nuk duhet  të ndihen që familja i largon nga rritja në jetën e Shpirtit, por në një ecje që e përdor Zotëria për t’i sjellë  në maje të bashkimit mistik” (AL 316). Të gjitha, çastet e gëzimit, pushimit o të festës, edhe seksualiteti, provohen si një pjesëmarrje në jetën e plotë të Ngjalljes së Tij” (AL 317). Flitet për uratë në dritën e Pashkëve, për përshpirtërinë  dashurisë ekskluzive  dhe të lirë  në sfidë dhe në frymëmarrje që të plaken dhe harxhohen së bashku, duke pasqyruar besnikërinë e Zotit” (khs. AL 319). Dhe së fundi përshpirtëria e “kujdesit, ngushëllimit dhe nxitjes”. “E tërë jeta e familjes është një “kullosë” e mëshirshme. Secili, me kujdes, vizaton dhe shkruan në jetën e tjetrit” (AL 322), shkruan Papa. Është e thellë “përvoja shpirtërore e kundrimit të çdo personi të dashur me sytë e Zotit dhe njohja e Jezusit në ata” (AL 323).

Në paragrafin përfundimtar Papa pohon: “Asnjë familje nuk është realitet i përsosur dhe e trajtuar një herë përgjithmonë, por kërkon një zhvillim shkallor të aftësive për të dashur… Të gjithë jemi të ftuar për ta mbajtur të gjallë synimin ndaj diçka që na tejkalon neve dhe kufizimet tona, dhe çdo familje duhet jetuar në këtë nxitje të vazhdueshme. Ecim, familje, vazhdojmë të ecim!… Mos ta humbim shpresën për shkak të kufizimeve tona, as mos të heqim dorë në kërkim të durueshëm të dashurisë dhe të bashkimit që na është premtuar” (AL 325).

Nxitja apostolike mbyllet me një uratë të Familjes së Shenjtë (AL 325).

Nxitja apostolike Amoris laetitia, si mund të kuptohet tashmë nga shqyrtimi i shkurtë i përmbajtjes, dëshiron ta pohojë me forcë jo “idealen” e familjes, por realitetin e saj të ndërlikuar. Në faqet e saja ka shikim të hapur, thellësisht pozitiv, që ushqehet jo nga gjërat abstrakte apo projektimet ideale, por nga kujdesi baritor i realitetit. Dokumenti është një lexim i dendur me pikëvështrime shpirtërore dhe të urtisë praktike të dobishme për çdo bashkëshort njerëzor ose për njerëz që duan të krijojnë një familje. Hetohet mbi të gjitha që është fryt i përvojës konkrete me persona që nga përvoja dinë çka është familja dhe jeta e përbashkët për shumë vite. Nxitja apostolike vërtet flet gjuhën e përvojës dhe të shpresës.

Përktheu nga italishtja: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »