Miqësi e falur

Apr 10 • Meditimi i ditës

10 prill 2016 – E diela 3-të e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 5,27b-32.40b41; Ps 29; Zb 5,11-14; Gjn 21,1-19)

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës ndërsa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 21, 1-19

 

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri:

“Po shkoj të gjuaj peshk.”

“Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata.

U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha:

“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”

“Jo!” ‑ u përgjigjën ata.

6 Ai u tha:

“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”

Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ reth dyqind kutë.

9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha:

“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon‑Pjetrin:

“Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?”

“Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!”

“Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.

16 Prapë e pyeti të dytën herë:

“Simon Gjoni, a më do ti mua?”

“Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

“Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi.

17 I tha për të tretën herë:

“Simon Gjoni, a më do?”

Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë:

‘A më do?’ dhe iu përgjigj:

“Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”

I tha Jezusi:

“Kulloti delet e mia!”

18 Përnjëmend, përnjëmend po të them:

kur ti ishe më i ri

e ngjeshje vetveten

dhe shkoje kah doje;

porse kur të plakesh,

do t’i hapësh duart

e një tjetër do të të ngjeshë

e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.”

19 I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Nxënësit janë munduar tërë natën dhe nuk zunë asnjë peshk. Nganjëherë edhe lutja mund të na duket e tillë.

Jezusi u jep zemër që mos t`i çojnë duart, që të vazhdojnë së zëni.

Jezusi e di që edhe unë nëse qëndroj do të përfitoj.

– Zjarri me prush ia ka sjellë në kujtesë Pjetrit oborrin e kryepriftit dhe mohimin e trefishtë. Jezusi tani i jep rastin që ta përjetojë faljen e plotë. Pranimi i tij i trefishtë e kthen në miqësi të plotë.

– Jezusi gjithmonë më ofron faljen, gjithmonë kërkon që të pajtohem me të, që të bëhem pjesëtar i një miqësie edhe më të thellë, duke më mundësuar që këtë ta ndaj me të tjerët.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso që ta identifikoj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »