Fjalimi i Samuel Žbogar-it, në ceremoninë e inaugurimit të rinovimit të Shkollës Katolike në Prizren  (6 prill 2016)

Apr 11 • Kisha në Kosovë

Është kënaqësi të jem me ju, sot, për të kremtuar inaugurimin e Shkollës Katolike.

E falënderoj Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergjin dhe stafin e shkollës për mikpritjen e ngrohtë.

Vërtet, është një arsye e mirë që të kremtojmë, sepse kemi të bëjmë me një vend të një rëndësie të veçantë, për disa arsye:

– Ka qenë vend historik për shekuj me radhë, i ngritur nga konsulli i Austrisë në Perandorinë Osmane.

– Ka të bëjë me një pikë referimi, që bënë pjesë në karakterin e qendrës historike të Prizrenit, e cila, është e pasur me diversitet kulturor.

– Si qendër e edukimit, për vite me radhe, ky vend, ka simbolizuar traditën që ka pasuruar gjenerata të tëra të qytetarëve të Prizrenit.

– Kemi të bëjmë me një shprehje të çmueshme të zemërgjerësisë së Bashkësisë Katolike për qytetarët e Prizrenit; në mënyrë të veçantë për të rinjtë.

Llojllojshmëria e traditës religjioze dhe kulturore, dhe një hapësirë e madhe e trashëgimisë kulturore, është ajo që e bën Prizrenin të veçantë dhe i japin karakter special.

Restaurimi i shkollës katolike, është pjesë e projektit të BE për infrastrukturë sociale dhe ekonomike të komunave, i cili, mbështet një zhvillim të barabartë rajonal në Kosovë.

I përshtatet gjithashtu edhe objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, e cila, hyri në fuqi të premten e kaluar, për të ngritur nivelin e arsimit, si mjet, për të nxitur aftësitë e zhvillimit, punësimit, përfshirjes sociale dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Për realizimin e këtij projekti janë investuar në tërësi rreth 650,000 euro, që nga korriku i vitit 2014 deri në mars 2016.

Projekti i përgjithshëm, i cili, mbështet ndërtimin e infrastrukturës sociale dhe ekonomike të komunave (faza VII), përfshinë, gjithashtu, edhe restaurimin e shkollës ortodokse në Prizren (pritet të finalizohet këtë pranverë), si dhe ndërtimi i 14 shkollave dhe kopshteve në pjesë tjera të Kosovës. Ne kemi shpenzuar rreth 13.5 milionë euro për këtë projekt nga fondet IPA (2011, 2012 dhe 2013).

Projekti i realizuar në këtë shkollë, nuk ka të bëjë vetëm me restaurim, për ta kthyer gjendjen fillestare, por edhe për ta përmirësuar atë. Është shtuar një strukturë e tërë metalike dhe është përforcuar konstruksioni i vjetër i mureve.

Ky investim nuk është vetëm një restaurim i ndërtesës në vete, por një investim në gjeneratat e reja, të cilat do të përfitojnë në edukim dhe mësim, që kjo shkollë do t’u ofrojë atyre për jetë. Edukimi është pasuria më e çmueshme që mund ta marrin gjeneratat e reja për një Kosovë më të mirë.

Faleminderit që na jeni bashkuar në këtë projekt.

 

Samuel Žbogar, është përfaqësuesi special i Bashkimit Europian në Kosovë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »