Në kërkim të Jezusit

Apr 11 • Meditimi i ditës

11 prill 2016 – E hënë, Shën Stanislavi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 6,8-15; Ps 118; Gjn 6,22-29)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem e pushoj një moment

dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Hyji e ndikon mbi mua:

jam i/e krijuar në imazhin dhe përngjasimin e Hyjit; jam vend-banimi i Hyjit…

 

Liria

 

Lus për hirin e fesë, të besoj

në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Ku, në ç`gjë në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?

Nëse i kam vërejtur këto lëmi,

do të vendosi që në të ardhmen do të sigurojë për to hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

E lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, ndoshta edhe disa herë,

dhe dëgjoj çfarë më flet Zoti.

 

Gjn 6, 22-29

 

22 Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm. 23Ndërkaq, prej Tiberiadit erdhën disa lundra afër vendit ku hëngrën bukë (pasi Zotëria falënderoi). 24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë:

“Rabbi, kur erdhe këtu?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,

por pse hëngrët nga ato bukë

dhe u ngitë.

27 Veproni,

por jo për ushqim që prishet,

por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme:

atë do t’jua japë Biri i njeriut,

sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.

28 Atëherë ata i thanë:

“Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Vepra që Hyji kërkon është kjo:

besoni në Atë që Ai e dërgoi.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Turma e kërkon Jezusin në mënyrë energjike. Huazuan lundra dhe u nisën në kërkim të tij matanë liqenit. Janë të lumtur, sepse më në fund e gjetën atë.

– Jezus, ndize zemrën time me një dëshirë të fortë për të qëndruar i/e lidhur me ty. Lumturinë time e gjej duke të kërkuar ty.

– Turma parashtron një pyetje të thjeshtë dhe të thellë: “Çka na duhet të bëjmë?” Kjo është edhe pyetja ime. Jezusi iu thotë se duhet vetëm të besojnë në të. “Të besosh” do të thotë t`i dorëzohesh Jezusit dhe mesazhit të tij të së vërtetës dhe dashurisë.

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin sesi qëndron apo rri ulur pranë meje

dhe ia shpalos gjithçka ndiej.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »