Të jesh ushqim për të tjerët

Apr 12 • Meditimi i ditës

12 prill 2016 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 7,51-8,1a; Ps 30; Gjn 6,30-35)

 

Prania e Hyjit

 

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.
Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.
Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,
shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të
një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 6, 30-35

 

30 “Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’
32 Jezusi iu përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, 
por Ati im jua jep bukën prej qiellit, 
atë të vërtetën:
33 sepse buka e Hyjit është Ajo, 
që zbret prej qiellit
dhe që i jep botës jetën.”
34 Atëherë i thanë:
“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”
35 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam buka e jetës.
Kush vjen tek unë
nuk do të ketë më kurrë uri, 
kush beson në mua, 
nuk do të ketë më etje.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Shumë njerëz sot janë duke kërkuar Zotin. Kërkojnë shenja të dinë se ku është Zoti. Mos jam unë në ndonjë mënyrë një shenjë e tillë?

– Kur Jezusi e shpjegon Shkrimin Shenjt na hap horizonte të reja. Ne nuk duhet të shikojmë në qiell dhe të kërkojmë shenja: vetë Jezusi është një shenjë që kemi nevojë, dhe ai është afër.Ai më ushqen me jetën e vet. A i ushqej unë të tjerët?

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua
kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje
dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »