Vullneti i Zotit, e mira jonë

Apr 13 • Meditimi i ditës

13 prill 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 8,1b-8; Ps 65; Gjn 6,44-51)

 

Prania e Hyjit

 

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.
Në kohën si tani, bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde
si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, me stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 6, 35-40

 

35 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam buka e jetës.

Kush vjen tek unë

nuk do të ketë më kurrë uri,

kush beson në mua,

nuk do të ketë më etje.

36 Por ju thashë:

më patë e prapë s’më besoni.

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati

do të vijnë tek unë

dhe atë që vjen tek unë,

s’do ta qes jashtë,

38 sepse zbrita prej qiellit,

jo për të bërë vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është

të mos humbë asnjë

prej atyre që më dha,

por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është vullneti i Atit tim,

që, kushdo sheh Birin

dhe beson në Të,

ta ketë jetën e pasosur

e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – E tërë jeta e Jezusit ishte përgjigje nxitjes dhe tërheqjes së fuqishme të vullnesës së Atit. Këndelljen dhe qëndrimin e nxirrte pikërisht nga besnikëria e plotë ndaj vullnesës së Atit.

Kur lusim përpiqemi të kërkojmë dhe ta kryejmë vullnesën e Atit e jo Zoti ta kryejë vullnesën tonë.

– Në jetën e Jezusit, në dëgjesën e tij të plotë ndaj vullnesës së Atit e njohim thirrjen tonë personale dhe identitetin tonë të mirëfilltë si qenie njerëzore. Jezusi ka ardhur që çdonjërin prej nesh ta tërheq kah Ati. Me këtë qëllim çdoherë flet dhe vepron dhe kurrë s`na çon në ndonjë drejtim tjetër.

 

 Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me anë të tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »