Mëshira dhe pushteti

Apr 14 • Këndvështrime

 

Nga Papa Françesku

 

Vazhdojmë me katekezën mbi mëshirën në Shkrimin e shenjtë. Në pjesë të ndryshe të Shkrimit të shenjtë flitet për të fuqishmit, mbretërit, njerëzve që janë “lartë”, dhe po ashtu për arrogancën dhe abuzimet e tyre.  Pasuria e pushteti duhen parë si realitete, që mund të jenë të dobishme për të mirën e përbashkët, nëse vihen në shërbim të të varfërve e të të gjithëve, me drejtësi e dashuri. Por kur, siç ndodh tepër shpesh, ato jetohen si privilegje, me egoizëm e prepotencë, shndërrohen në mjete korrupsioni e vdekjeje. E kjo kishte ndodhur me episodin e vreshtit të Nabotit, i përshkruar në Librin e Parë të Mbretërve, kapitulli 21, për të cilin do të flas sot.

Në këtë tekst flitet për mbretin e Izraelit, Akabin, i cili donte të blinte vreshtin e një njeriu që quhej Nabot, pasi ky vresht ishte afër pallatit mbretëror. Propozimi dukej legjitim, madje zemërgjerë, por në Izrael trashëgimia e tokës konsiderohej gati se e paprekshme. Vërtet, libri i Levetikut parashihte: “Toka nuk mund të shitet përgjithmonë, sepse është imja, kurse ju jeni tek unë vetëm të ardhur e pendarë” (Lev 25, 23). Toka është e shenjtë, sepse është dhuratë e Zotit, dhe si e tillë duhet të ruhet dhe të kultivohet, pasi shihet si shenjë e bekimit hyjnor, e cila bartet brez pas brezi dhe është garanci e dinjitetit për të gjithë. Ja pse kuptohet përgjigja negative e Nabotit që ja jep mbretit: “Zoti mos e thëntë që unë të ta jap trashëgimin e të parëve të mi!” (1 Mbr 21, 3).

Mbreti Akab reagon ndaj kësaj përgjigje me hidhërim dhe indinjatë. Ndjehet i ofenduar – ai është mbret, i pushtetshëm – , i ç’vlerësuar në autoritetin e tij prej sovrani, i frustruar në pamundësinë për të kënaqur dëshirën e tij të posedimit. Duke e parë ashtu të thyer, guraja e tij Jezabela, një mbretëreshë pagane, e cila kishte promovuar kultet e idhujve dhe i vriste profetët e Zotërisë (khs. 1 Mbr 18, 4) – nuk ishte e keqe, por e ligë! – vendos të ndërhyjë në këtë çështje. Fjalët me të cilat ajo i drejtohet mbretit janë shumë domethënëse. Dëgjoni ligësinë që bartë kjo grua brenda saj: “Hajt, o njeri! Po a s’je ti mbret i Izraelit? Çohu dhe ha e mos e vra mendjen, sepse unë do ta jap vreshtin e Nabotit jezrahelas!”. (rr. 7). Ajo e vë theksin tek prestigji dhe pushteti i mbretit, që, sipas pikëshikimit të saj, vihet në pikëpyetje nga refuzimi i Nabotit. Ajo e konsideronte pushtetin mbi gjithçka, për të cilin çdo dëshirë e mbretit bëhet urdhër. Shën Ambozi e ka shkruar një libër të vogël mbi këtë episod biblik. Libri quhet Nabot.

Jezusi duke na kujtuar këto gjëra ka thënë: “Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj.” (Mt 20, 25-27). Nëse humbet përmasa e shërbimit, pushteti shndërrohet në arrogancë dhe bëhet dominim dhe nënshkrim. Është pikërisht kjo që ka ndodhur në episodin e vreshtit të Nabotit. Jezabela, mbretëresha, pa fije fytyre, vendos ta heq qafe Nabotin dhe ta realizon planin e saj. Përdorë paraqitje të rreme të një ligji të çoroditur: në emër të mbretit iu dërgon letra pleqve dhe fisnikëve të qytetit duke ju urdhëruar të gjejnë dëshmitarë të rrejshëm për ta akuzuar publikisht Nabotin kinse e ka mallkuar Zotin dhe mbretin, që ishte një krim i dënuar me vdekje. Kështu, pasi të vdes Naboti, mbreti do të mund të marr në posedim vreshtin e tij. E kjo nuk është histori vetëm e  kohëve të lashta, por është histori edhe e kohëve tona; histori e njerëzve të pushtetshëm, që për të fituar sa më shumë para, i shfrytëzojnë të varfëritë, i shfrytëzojnë të tjerët. Është historia e trafikut të njerëzve, e punës prej skllavi, e të varfërve që punojnë në të zezë e marrin aq sa për të mbajtur frymën gjallë, për t’i pasuruar, kështu, njerëzit e pushtetshëm. Është edhe historia e politikanëve të korruptuar, që duan gjithnjë shumë e më shumë.

Ja deri ku mund të na sjell ushtrimi i autoritetit pa respekt për jetën, pa drejtësi, pa mëshirë. Dhe, ja ku na shpie etja për pushtet: shndërrohet në lakmi që do me i posedue të gjitha. Një tekst nga Isaia profet na jep shkëlqim për këtë gjë. Aty, Zoti e rrethon me mbrojtës kundër lakmisë së të pasurve latifondistë që donin të posedonin më shumë shtëpi e toka. Ja çka thotë Isaia profet:

“ Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi,

kush arës i shton arë deri në skaj të vendit!

A thua ju të vetmit do të jetoni këtu mbi tokë” (Is 5, 8)

Dhe Isaia profet nuk ka qenë komunist! Porse Zoti është më i madh se të gjitha të bamat e këqija dhe lojërat e mbrapshta të njerëzve. Në mëshirën e vet e thërret Elinë profet për ta ndihmuar Akabin që të kthehet. E tani kalojmë në faqen tjetër, të shohim si vazhdon historia? Zoti e sheh këtë krim e troket edhe në zemrën e Akabit. Mbreti i përballur me mëkatin e vet, e kupton, përulet dhe kërkon falje. Sa gjë e bukur do të ishte sikur pushtetarët shfrytëzues të ditëve tona të bënin të njëjtën gjë. Zoti e pranoi pendimin e tij. Megjithatë, kishte ndodhur një vrasje e të pafajshmit dhe faji i bërë nuk mund të mos kishte pasojat e veta. E keqja e bërë, lë gjurmë të dhimbshme në historinë e njerëzve, duke i hapur plagë, që nuk mbyllen lehtë.

E vetëm mëshira tregon, edhe në këtë rast, rrugën që duhet ndjekur. Mëshira mund t’i shërojë plagët, ta ndryshojë rrjedhën e historisë. Hape zemrën tënde ndaj mëshirës! Mëshira hyjnore është me e fortë se mëkati i njerëzve. Këtë e ka treguar shembulli i Akabit? Ne e njohim fuqin e saj, sepse e kujtojmë ardhjen e të Pafajshmit Birit të Hyjit që është bërë njeri për ta shkatërruar të keqen me faljen e tij. Jezu Krishti është mbret i vërtetë, porse pushteti i tija është krejtësisht tjetër. Froni i tij është kryqi. Ai nuk është një mbret që vret, por është mbreti që jep jetën. Ai që shkon për t’i takuar të gjithë, posaçërisht më të dobëtit, e mund vetminë dhe fatin e vdekjes që na e sjell mëkati. Jezu Krishti, me afërsinë dhe butësinë e vet, i bart mëkatarët në hapësirën e hirit dhe të faljes. Kjo është mëshira e Zotit.

(Teksti i plotë i katekezës nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 24 shkurt 2016. Përkthimi: Rev. Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »