Bariu i mirë, që iu flet zemrave

Apr 16 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela IV e Pashkëve

 

Leximi parë: Vap 13, 14.43-52

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pali e Barnaba u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit. Të shtunën mbas ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit. Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, mbasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria: ‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët, që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës’.” Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndinin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë. Por hebrenjtë ngucën disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre. Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon. Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 100

Ref: Ne jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij

———————————————————————-

Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbeni Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

———————————————————————-

Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.

———————————————————————-

Sepse i mirë është Zoti,

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.

———————————————————————

 

Leximi dytë: Zb 7, 9.14-17

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë.

Dhe engjëlli më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.”

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

Aleluja!

 

Ungjilli   Gjn 10, 27-30

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi tha: “Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. Unë dhe Ati jemi një”.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Pali, pasi u kthye në krishterim, dhjetë vite u përgatitë për misionin e vet që të përhapë Lajmin e gëzueshëm, i cili, bazohet në rend të parë në përvojën që Kishte me Jezusin e Ringjallur që e takoi në rrugë për Damaskë dhe pastaj në inteligjencën dhe përshpirtërinë që arriti ta krijoi si i krishterë. Pali, në rend të parë dëshiron të kthej në fe judenjtë, por, pasi që që kishte vështirësi të bënte një gjë të tillë, ai nuk ndalet- as nuk zmbrapsët- por shkon tek paganet, u predikon  dhe i kthen ata. Kështu misioni i tij nuk ndalet por vazhdon nga vendi në vend. Edhe ne kemi detyrë të veprojmë gjithmonë në saje të fesë për ta dëshmuar Krishtin e ringjallur. Pavarësisht që shpeshherë hasim në kundërshtime, gjendemi në situata të palakueshme për të treguar besimin tonë, njerëzinë tonë, fenë tonë ne nuk duhet të zmbrapsemi por të vazhdojmë dhe të jetojmë në hirin e Zotit.

Leximi i dytë i shën Gjoni, na paraqet dhe na tregon që në mbretërinë e Hyjit nuk ka ndarje, sepse rreth Jezusit, Qengjit të hyjit janë të bashkuar shumë popuj nga shumë anë të botës që i shërbejnë dhe i këndojnë lavde Zotit dhe gëzojnë në praninë e Tij.

Të gjithë jemi të ftuar për amshim dhe të gjithë duhet të mundohemi të jetojmë dhe veprojmë sipas mësimeve të Krishtit. Në jetën sakramentale e forcojmë fenë, besimin në angazhim për t‘ u shëlbuar.

Ungjilli i sotshëm na flet për bariun e mirë. Njeriu modern, sot, nuk mund të imagjinojë një bari dhe një tufë delesh. Sepse, sot nuk ka më barinjtë dhe bagëti. Por, në kohën e Krishtit, bagëtitë kishin shumë vlerë, dhe ata që kishin dele ishin të pasur.

Nga ajo jetë reale që ishte në kohën e Krishtit, merr shembull çfarë duhet të jetë bariu. Ai që përkushtohet dhe ai që flijohet për delet e veta, duke i ruajtur me shumë kujdes e duke u përkujdes për to.

Edhe delet kanë dëgjuar zërin e bariut, kur i thërret ato shkojnë pas tij.

Përveç bariut, ka edhe rrogëtarë, që nuk kanë në kujdes grigjën, por rrogën, fitimin, ata nuk janë shumë të përkushtuar, kur vjen ujk, ai ikën….kështu thotë Ungjilli mbi bariun.

Sot, ka persona që manipulojnë me njerëz duke i mashtruar në forma të ndryshme e duke e prishur jetën dhe familjen e tyre.

Në anën tjetër, vlera shpirtërore gjithnjë e më tepër po zbehet për shkaqe të ndryshme, e nder to është edhe jeta e konsumimit dhe materializmit që po krijon problem në familje. Ky problem është i papunësisë dhe i varfërisë që çon në fenomene negative që po ndodhin sot: droga, tregtia me qenie njerëzore, prostitucioni, ndarjet e kurorave, mosmarrëveshja në mes të rinjve të të vjetërve në familje.

Krejt kjo na bën të mendojmë: çfarë do të jetë e ardhmja e jonë si familje, si Kishë, si shtet si Komb?

Imanuel Kant, duke lexuar Ps 23,1-3: “Zoti është bariu im asgjë nuk më mungon. Në kullota të gjelbra, ai me jep pushim. Më prinë në ujëra të qeta, shpirtin ma përtëritë“ thotë: „të gjitha librat që i kam lexuar nuk me kanë ofruar ngushëllim më shumë se këta rreshta të Shkrimit Shenjt.”

Patjetër, Krishti vetë është ngushëllim për ne, është forcë, është kujdestar dhe udhëheqës i jetës sonë. Prandaj, të besojmë në Krishtin, Bariun tonë të mirë, dhe t‘ i lejojmë të na prijë në ujëra të qeta e ta ripërtëritë shpirtin dhe jetën tonë.

Të ruhemi prej atyre që tentojnë të na mashtrojnë dhe manipulojnë, në uratë dhe jetë sakramentale të jemi gjithnjë e gjithkund të bashkuar me Zotin dhe në mes vete.

Në ditën e sotme, të lutemi për thirrje të shenjta meshtarake e rregulltare, që të ketë sa më shumë të rinj e të reja që e dëgjojnë zërin e Zotit: “eja pas meje“ për të punuar në vreshtin e Zotit, për të qenë argatë të tij, dhe ndërmjetës të qiellit dhe tokës për shëlbimin e botës mbarë.

Ngjarje nga jeta e shën Bernardit

Shën Bernardi, kishte jetuar në shekullin e  XII, ishte shumë i njohur dhe shkrimtar i madh i librave të përshpirtshme. Rridhte nga familja e pasur dhe kishte edhe tre vëllezër.

Një ditë, edhe dy vëllezërit deshën të shkojnë në kuvend dhe të bëhen murgj, sikurse vëllai i tyre Bernardi.

Ata i thanë vëllait të vogël Nisardit: vëlla i dashur, ne po shkojmë në kuvend te Bernardi, krejt token dhe pasurinë po ta lëmë ty në dispozicion, Por, Nisardi iu përgjigj: Shumë mirë nga ju, por nuk mund të pranoj. Ju dëshironi të keni në pronësi qiellin e unë tokën, të mirat materiale, është e padrejtë. Dua edhe unë të vi me ju , t‘ i shërbej Zotit. Edhe mua Hyji më thërret dhe dua t‘ i përgjigjem.

Le të ketë shumë të rinj dhe të reja që ndjekin shembullin e këtyre vëllezërve, duke u shkruar pas zërit të Bariut të mirë dhe duke qenë në shërbim të tij. Amen!

 

Lutjet e besimtarëve

T‘ i drejtohemi me lutje Jezu Krishtit, të ringjallur dhe Bariut të Mirë, i cili e dhuroi jetën e vet për delet e veta. Të themi së bashku:

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!

– Për Kishën tënde të shenjtë, që mbarë botës t‘ ia dëshmojë hirin e shëlbimit tënd, të lutemi:

– Për Papën tonë Françeskun, ipeshkvijtë tanë shqiptarë, meshtarë, rregulltarë, që me shërbimin e vet nëpërmes mistereve të shenjta, besimtarët të ndjejnë afërsinë tënde dhe dashurinë, të lutemi:

– Për të gjithë eproret e shteteve, popujt dhe fiset, që gjithmonë të kërkojnë vendime të mira dhe të reja që do t‘ u paraprijnë të mirave të përbashkëta për një jetë sa të mirë dhe të dinjitetshme, të lutemi:

– Për të gjithë ata që i thirr në përgjegjësi për të shërbyer ty në jetën meshtarake dhe rregulltare, që t‘ iu dhurosh shpirtin e forcës, që sa më të përgatitur, të veprojnë për të mirën e njerëzimit, të lutemi:

– Për të gjithë ata që janë të mashtruar prej mësuesve të rrejshëm dhe janë larguar nga rruga jote, që Ti, o Hyj me hiret tua t‘ u ndihmosh të kthehen dhe t‘ i bashkohen grigjës sate, të lutemi:

– Për familjen tënde këtu të bashkuar që kremton Eukaristinë, që me gëzim duke jetuar krishterimin, të jetë e qëndrueshme në rrugën e shenjtërimit, të lutemi:

– Për thirrje të reja që Ti o Zot të ndihmosh të rinjtë të përcaktohen dhe të vihen në shërbimin tënd për përhapjen e Mbretërisë qiellore, të lutemi:

– Për të dashurit tanë që kanë kaluar nga kjo jetë bëhu i mëshirshëm dhe pranojë në mbretërinë qiellore, të lutemi:

O Zot Jezu Krisht, ti me fjalë dhe vepra na e dëftove mirësinë dhe dashurinë e Atit të amshuar. Na mbush me Shpirtin shenjtë që dashurinë e dhuruar t‘ ua dëshmojmë të gjithë atyre që i takojmë që në saje të veprave tona të mira të jemi të shpërblyer prej Teje, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »