Fjalë shpirti dhe jete

Apr 16 • Meditimi i ditës

16 prill 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 9,31-42; Ps 115; Gjn 6,60-69)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 6, 60-69

 

60 Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë:

“I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”

61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha:

“A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë… ?

63 Shpirti është ai që jep jetën,

trupi nuk vlen asgjë.

Fjalët që unë ju thashë,

janë shpirt dhe janë jetë.

64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë”

Sepse Jezusi e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte.

65 Dhe shtoi:

“Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”

66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.

67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët:

“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”

68 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– “Fjalë shpirti dhe jete.” Kam nevojë për fjalë të tilla. Koha që e kaloj çdo ditë në “Momentin e Shenjtë” m`i hap Ungjijtë – mësoj të jetoj me anë të tyre. Frytet njihen nga mendimet, fjalët dhe veprimet e mia të cilat rrezatojnë shpirtin e mirë, jo të keqin.

– Pjetri zbulon se fjalët e Jezusit janë “fjalë të jetës së pasosur”. Çfarë do të thotë kjo? Atij i hapet një botë e re dhe më e mirë, një botë e Hyjit. Mëson t`i dojë njerëzit, siç i do Jezusi. Jeta e tij monotone dhe e parashikueshme për shkak të Jezusit bëhet një jetë e  re, befasish dhe plot shpresë. E unë – çfarë po ndodh me mua?

  

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »