Qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike në Kosovë rreth mësimit të fesë në shkollat publike

Apr 17 • Kisha në Kosovë

Kjo është deklarata e plotë zyrtare për media e Kishës Katolike në Kosovë, që është lëshuar dje, përmes gazetarëve të RTK, por e cila është marr e copëzuar dhe e interpretuar keq nga mediat tona në Kosovë. Kisha Katolike në Kosovë nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj, të bërë publik tash disa vite. Për më shumë lexojeni deklaratën e plotë.

DEKLARATË PËR MEDIA

Debati që është ngritur përsëri rreth mësimit fetar apo mësimit mbi fenë, që ka ardhur nga diskutimet në Shqipëri, Kisha Katolike i ka përcjell më vëmendje.

Ne, para disa viteve, kemi dal me një deklaratë publike dhe e kemi treguar qëndrimin zyrtar në lidhje me këtë çështje, në kohën kur po diskutohej mundësia e ndryshimit të ligjit parauniversitar, përmes së cilit synohej futja e lëndës fetare në arsimin publik. Ky qëndrim i yni nuk ka ndryshuar, pra mbetet i njëjtë. Prandaj, po e ripohojmë të njëjtën si më poshtë:  

Avancimi i shoqërisë tonë, që të ketë edhe këtë mundësi ngjashmërie me vendet e Bashkimit Europian dhe ushtrimi i kësaj të drejte që na e mundëson liria dhe sistemi demokratik i Shtetit të Kosovës, është më se i mirëpritur.

Kisha Katolike, Ipeshkvia e Kosovës, vlerëson se ndryshimet e tilla në ligj, nuk duhen të kenë  qëllim, ngopjen e ambicieve të disave, për përfitime politike, por realizimin e synimeve të përbashkëta, për edukimin e gjeneratave të reja në frymën e Rilindësve tanë.

Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar, duhet të zhvillohet nëpër kisha dhe xhamia, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik.

Megjithatë, para se të bëhen ndryshimet në ligj, ne mendojmë se, duhet të bëhen disa hapa paraprakë fundamental:

  • Lypet që Shtetësia e Kosovës të “piqet” dhe të  njihet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.
  • Të arrihet, nëpërmjet arsimimit, një qytetërim i mirëfilltë europian dhe Kosova të jetë e aftë për të menaxhuar një çështje kaq madhore.
  • Të krijohet Komisioni i përbashkët me përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe instancave relevante shkencore, akademike dhe politike, të cilat pas shqyrtimit serioz do të mund ta jepnin një propozim rreth përpilimit të teksteve dhe për  përgatitjen e kuadrove.
  • Zgjidhja e kësaj çështjeje, duhet të jetë vendim unik i Kombit.

Duke u mbështetur në argumentet e sipërpërmendura, si dhe tjerat që nuk janë përmendur kësaj radhe, Ipeshkvia e Kosovës, konsideron se në këto rrethana duhet të hiqet nga rendi i ditës ky propozim, deri sa nuk krijohen rrethanat më të favorshme dhe të plotësohen kushtet në fjalë. Në të kundërtën, Kisha Katolike në Kosovë do të konsiderojë këtë vendim të  njëanshëm dhe nuk do të bartë  përgjegjësinë mbi  pasojat e mundshme për Kombin.

Prishtinë, 16 prill 2016

Don Fatmir Koliqi

Zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »