Ta njohësh dhe të identifikohesh me bariun e mirë

Apr 17 • Meditimi i ditës

17 prill 2016 – E diela 4-të e Pashkëve – Bariu i mirë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 13,14.43-52; Ps 99; Zb 7,9.14b-17; Gjn 10,27-30)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, më ndihmo që të hyj e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që u ndalohet ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha gjërat që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 10, 27-30

 

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

28 Unë u jap jetën e pasosur,

kurrë nuk do të sharrojnë:

askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.

29 Ati im që m’i dha,

është më i madh se të gjithë

dhe askush s’mund t’i rrëmbejë

nga dora e Atit.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ata të cilët e identifikojnë veten me Jezusin e dëgjojnë zërin e tij dhe vijnë për ta njohur atë dhe besojnë në të. E ndjekin atë në dashuri dhe duan të qëndrojnë të lidhur me të.

– O Zot, të falënderoj që më njeh. Jam në lidhje të ngushtë me ty, dhe gjithmonë më merr në krahët e tu. Lutem për të sëmurët që më s`i njohin të dashurit e tyre dhe për ata që kujdesen për ta. Qofsh ti bariu i mirë i tyre në luginën e vdekjes.

 

 Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

(Piktura: Maria Laughlin)

Comments are closed.

« »