Derëbardhë

Apr 18 • Meditimi i ditës

18 prill 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 11,1-18; Ps 41-42; Gjn 10,1-10)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, më ndihmo që t`ia hap tërë qenien time pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhuruar prej teje, me hirin tënd, ta përdor në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

 

E lexoj pasazhin e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalën apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Gjn 10, 1-10

 

1 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. 2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. 4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. 5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”

6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.

 7 Prandaj Jezusi u tha përsëri:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

unë jam dera e deleve.

8 Të gjithë ata që erdhën (para meje)

janë vjedhës dhe cuba;

porse delet nuk i dëgjuan.

9 Unë jam dera:

kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet:

do të hyjë e do të dalë

dhe do të gjejë kullosë.

10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur,

për të prerë e për të bërë dëm.

Unë erdha

që delet ta kenë jetën

e ta kenë me plotësi.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  -Jezusi përdor imazhe të pasura nga jeta e përditshme për të ilustruar thellësinë e dëshiruar të marrëdhënieve të tija me ne. Nga njëra anë, ai flet për bariun dhe delet, rojën e portës dhe dyert, kullotat dhe jetën, njohjen dhe shpëtimin. Në të kundërtën e tyre janë: i panjohuri, hajdutë dhe banditë, vrasja dhe vjedhjet, ikja nga frika në vend se të shkohet pas tij, ngjitja tjetërkah në vend se të ecet nëpër derën e hapur.

– O Zot, bëj që ta dëgjoj zërin tënd, në mënyrë që të mund ta hap derën e zemrës sime. Më tërheq rrugës së jetës që të mund të më shohin atëherë edhe të tjerët si një kalim i sigurt që çon në një jetë me plotësi.

 

Bashkëbisedimi

 

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përmbyllje

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »