Dritëhijet tona përballë të vërtetës

Apr 19 • Meditimi i ditës

19 prill 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 11,19-26; Ps 86; Gjn 10,22-30)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat vetjake,

që të hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojë në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

 

E lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, ndoshta disa herë,

dhe dëgjoj çfarë më flet Zoti.

 

Gjn 10, 22-30

 

22 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër. 23 Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull. 24 Judenjtë e rrethuan dhe i thanë:

“Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!”

25 Jezusi iu përgjigj:

“Ju thashë e ju nuk më besoni.

Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim,

ato bëjnë dëshmi për mua.

26 Por ju nuk besoni,

sepse nuk jeni prej deleve të mia.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

28 Unë u jap jetën e pasosur,

kurrë nuk do të sharrojnë:

askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.

29 Ati im që m’i dha,

është më i madh se të gjithë

dhe askush s’mund t’i rrëmbejë

nga dora e Atit.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Festa e Kushtimit ishte gjithashtu një festë e dritës. Por Judenjtë qëndruan në errësirë, të verbër për misterin e Jezu Edhe unë si ata, kam mjaft pika të verbëta. Me siguri më duhet të përballem me të vërtetën në lidhje me disa çështje, por unë këmbënguli duke i mbyllur sytë dhe e kthej kokën anash.

– Jezus, në qoftë se dua të jem nxënësi yt, duhet ta dëgjoj fjalën tënde. Më tërhiq në bashkim me ty.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurova gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »