“Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40)

Apr 21 • Këndvështrime

 

Nga Veneranda Qerimi

“Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” (Mt 25, 31-46)

Atë Fabio Ciardi na ofron këto mendim e lidhur me Fjalën për ta jetuar:

“Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40)

Si ka mundësi që këto fjalë të Jezusit janë kaq të dashura për ne dhe rikthehen shpesh në Fjalën për ta jetuar që zgjedhim për çdo muaj? Ndoshta, sepse janë zemra e Ungjillit. Janë fjalët që Zoti do të na i drejtojë kur, në mbarim, do të gjendemi përballë Tij. Rreth tyre do të sillet provimi më i rëndësishëm i jetës, për të cilin mund të përgatitemi ditë pas dite.

Jezusi do të na pyesë nëse u kemi dhënë për të ngrënë dhe për të pirë atyre që ishin të uritur dhe të etur, nëse e kemi strehuar shtegtarin, nëse e kemi veshur të zhveshurin, vizituar të sëmurin dhe të burgosurin… Bëhet fjalë për gjeste të vogla, e megjithatë vlejnë për të fituar amshimin. Nuk është asnjëherë e vogël çka bëhet prej dashurisë, çka bëhet për Jezusin.

Në fakt Jezusi jo vetëm u qëndroi afër të varfërve dhe të mënjanuarve, i shëroi të sëmurët dhe i ngushëlloi të vuajturit, por i deshi me një dashuri shumë të veçantë, sa që i quajti vëllezër, duke u njëjtësuar me ta në një solidaritet të pashpjegueshëm.

Edhe sot Jezusi vazhdon të jetë i pranishëm tek ai që vuan prej padrejtësive dhe dhunës, tek ai që është në kërkim të një pune ose jeton në gjendje të pasigurtë, tek ai që është i shtrënguar ta braktisë vendin e vet për shkak të luftërave. Sa njerëz ka që vuajnë përreth nesh për shumë arsye të tjera dhe kërkojnë, edhe pa folur, ndihmën tonë. Është Jezusi që na kërkon një ndihmë konkrete, të aftë për të shpikur “vepra mëshire” të reja, të cilat u përgjigjen nevojave të reja.

Asnjë nuk është i përjashtuar. Nëse një plak apo i sëmurë është Jezusi, si të mos ia japim lehtësimin e nevojshëm? Nëse i mësoj gjuhën një fëmije emigrant, ia mësoj Jezusit. Nëse e ndihmoj nënën në punët e shtëpisë, ndihmoj Jezusin. Nëse i jap shpresë një të burgosuri ose ngushëlloj atë që gjendet në vuajtje ose fal atë që më ka fyer, ia kam bërë Jezusit. Dhe çdo herë fryti nuk do të jetë vetëm gëzimi që i japim tjetrit, por ne vetë do të ndiejmë një gëzim edhe më të madh. Duke dhuruar marrim përsëri, ndiejmë një plotësi në zemër, ndihemi të lumtur sepse, edhe pse nuk e dimë, kemi takuar Jezusin: tjetri, sikurse ka shkruar Kjara Lubik është harku nën të cilin kalojmë për të arritur tek Zoti.

Në këtë mënyrë ajo e përkujtonte ndikimin e kësaj Fjale për ta jetuar qysh në fillimin e përvojës së saj: “E gjithë mënyra jonë e vjetër për ta kuptuar të afërmin dhe për ta dashur është shembur. Nëse Krishti ishte në një mënyrë tek të gjithë, nuk mund të bëheshin dallime, nuk mund të kishte parapëlqime. U fshinë konceptet njerëzore që i klasifikojnë njerëzit: bashkëkombas apo i huaj, plak apo i ri, i bukur apo i shëmtuar, antipatik apo simpatik, i pasur apo i varfër, Krishti ishte pas secilit, Krishti ishte tek secili. Dhe një “Krisht tjetër” ishte me të vërtetë çdo vëlla (…).

“Duke jetuar në këtë mënyrë vumë re se i afërmi ishte për ne rruga për të arritur tek Hyji. Madje vëllai na u duk si një hark poshtë të cilit ishte e nevojshme të kaloje për të takuar Hyjin.

“Kjo u jetua qysh në ditët e para. Çfarë bashkimi me Hyjin në mbrëmje, në lutje, ose në meditim, mbasi e kishim dashur atë gjithë ditën tek vëllezërit! Kush na e jepte këtë ngushëllim, atë bashkim të brendshëm aq të ri, aq qiellor, në mos Krishti që i jetonte fjalët “jepni dhe do t’u jepet”[1] të Ungjillit të tij? E kishim dashur gjithë ditën tek vëllezërit dhe, ja, tani, Ai na donte neve”[2]

[1] Lk 6,38

[2] Shkrime shpirtërore, Qyteti i Ri, Romë 1995[2], fq.204-205. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »