“Mos t`ju shqetësohet zemra!”

Apr 22 • Meditimi i ditës

22 prill 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 13,26-33; Ps 2; Gjn 14,1-6)

 

Prania e Hyjit

 

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
E marr me mend praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë afër meje në dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikojë në të ekzistuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje po të isha fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdor mençur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 14, 1-6

 

1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!

Besoni në Hyjin

edhe në mua besoni!

2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.

Po të mos kishte, a do t’ju thoja:

‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?

3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,

do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,

që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”

5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”

6 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi e di që ne i kemi provuar dhimbjet mendore, psikike. Ndjen dhembshuri për ne dhe thotë: “Mos t`ju shqetësohet zemra!” Është plot inkurajim. Ai nuk na ka lënë edhe pse shumë gjëra të këqija na ndodhin. Jemi të caktuar për një të ardhme të lume, sepse ai do të vijë përsëri dhe do të na marrë te vetja e Vet.

– O Zot, shpesh e pyes veten se cilës rrugë të shkoj gjatë jetës? Bëj që gjithmonë të kthehem tek ti për udhëzim dhe çfarëdo rruge të zgjedh bëj që ta jetoj urdhërimin tënd të dashurisë.

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për këto momente që munda t`i kaloj vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »