Jezusi: Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin

Apr 23 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela V e Pashkëve

Leximi parë: Vap 14,21-27

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, Pali dhe Barnaba pasi e kumtuan Lajmin e gëzueshëm në atë qytet, dhe, pasi bënë një numër të bukur nxënësish, kthyen në Listër, në Ikon e në Antikoki. I përforconin zemrat e nxënësve në qëndresë të fesë, sepse – i thoshin – na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. Pasi luteshin e agjëronin, secilës kishe i emëronin udhëheqësin dhe ia porositnin Zotit, në të cilin kishin besuar.  Atëherë kaluan nëpër Pisidi e erdhën në Pamfili. Pasi e predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Aty hipën në barkë e udhëtuan për Antioki, prej kah patën qenë dërguar të porositur hirit të Hyjit për veprën që kryen. 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 145

Ref: Do ta bekoj emrin tënd përgjithmonë, o Zot.

——————————————————————–

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

——————————————————————–

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

——————————————————————-

Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetë-sinë tënde

dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme,

pushteti yt prej breznie në brezni.

—————————————————————–

 

Leximi dytë: Zb 21,1-5

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni: “Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta Hyji i tyre.” Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekja më s’do të ketë, as vaj, as ofshame, as dhimbja më s’do të ketë, sepse bota e mëparshme mori fund. Atëherë Ai që rri mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!” Dhe shtoi: “Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!”

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju.

Aleluja!

 

Ungjilli: Gjn 13, 31-35

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Pasi Juda doli përjashta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të! Nëse Hyji u lavdërua në të, edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!. Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, sikurse u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini.

Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin! Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë na paraqet udhëtimin e parë të Palit dhe Barnabës, ishte ky dërgimi dhe veprimi konkret i predikimit, dhe themelimit të bashkësive të krishtera.

Këto veprime të apostujve, lidhen me lutje dhe pendesë, që janë karakteristikë e fesë, besimit.  Pastaj vendosnin njerëzit që ishin me më ndikim si udhëheqës të bashkësisë dhe vazhdonin rrugën në vende tjera.

Kështu përhapej feja, jo me fuqi të njerëzve, sepse ata ishin instrument në duar të Zotit, por me fuqi të Shpirtit Shenjt, i cili vepronte në ta.

Psalmisti e paraqet Zotin si të dhimbshëm dhe plot dashuri, i ngadalshëm në zemërim, ai që fal dhe na do. Për këtë, pra, i jep lavdi Hyjit për veprat e mrekullueshme që bënë për njerëzit që i besojnë dhe lëshohen në dorën e tij.

Sa herë kemi provuar dashurinë, dhembshurin dhe faljen prej Zotit?

Kjo ka qenë një kujdes i veçantë që Hyji ka pasur dhe ka gjithnjë për ne, dhe ne, duhet që ta madhërojmë dhe lavdërojmë emrin e Tij të shenjtë në saje të veprave tona të mira.

Kështu do të gjendemi në botën e re, ku s‘do të ketë më vaj as kërcëllim dhëmbësh, ku do të jenë të terur lotët tanë, ku nuk do të ketë as ofshamë as dhembje, duke jetuar në botën e re sikurse na flet leximi i dytë i Zbulesës së Shën Gjoni apostull.

Ungjilli i sotshëm, me pak rreshta, tregon një gjë të domosdoshme: nëse dëshiron të quhesh dhe të jesh nxënës i Krishtit: „Po ju jap një urdhër të ri thotë Krishti duani njëri tjetrin sikurse unë ju desha ju“. Ky urdhër është i ri për një botë të re, për botën e Hyjit, urdhër i ri për njerëzit e rinj, të rinj në Hyjin që na ka shpërblyer në Jezusin, i cili u mundua dhe vdiq për ne.

Dashuria e Hyjit për ne është ripërtëritje e shpirtit tonë nëse e pranojmë dhe jetojmë sikurse kërkon Zoti në dashuri ndaj Tij dhe të afërmit.

Sepse Krishti –thotë- sikurse unë ju desha ju. Me atë dashuri që na ka dashur Hyji neve, edhe ne duhet ta duam Hyjin dhe të afërmin.

Po të kishte më tepër dashuri, me siguri se do të kishte më tepër paqe, më tepër solidaritet, më tepër bashkim në mes vete. Pa dashuri çdo gjë rrënohet dhe asgjë nuk ecën përpara. Aty ku nuk ka dashuri nuk ka mirëkuptim, nuk ka interes të përbashkëta, ka egoizëm dhe ka mëkat që na robëron në të keqe.

Ne, nga një herë arsyetohemi që nuk e urrejmë askënd, shikojmë punët tona, familjet tona dhe mendojmë që gjithçka është mirë. Por, jo ne nuk guxojmë t‘i mbyllim sytë për atë që ka nevojë për ne: ka nevojë për pak dashuri, për pak ndihmë, për një shtrëngim dore, për një buzëqeshje, për një fjalë ngushëllimi.

Prandaj, Jezusi na jep shembull dhe na fton që të bëjmë një hap më shumë në rrugën e dashurisë. Hyjit mundesh t‘ i afrohesh  duke treguar dashurinë ndaj të afërmit.

Krejt këtë që thamë më lartë po e ilustroj me një legjendë. Thuhet që Shën Pjetri nga qielli dërgoi në botë dy shenjtër Shën Kasianin dhe Shën Nikollen. Qëllimi i dërgimit ishte për të parë çka po ndodhte me njerëz, dhe si jetonin. Ata, pas sa kohe që qëndruan në tokë u nisen drejt parrizit.  Por, rrugës takuan një njeri që ishte i zhytur në baltë vet dhe karroca e tij.

Shën Kasiani nuk u ndal për t‘ i ndihmuar sepse mendonte që do ta zhyente petkun e pastër. Ndërsa Shën  Nikolla u ndal dhe e ndihmoi. Natyrisht u vonua dhe në parajsë u deshtë t‘ i tregoi Shën Pjetrit arsyen e vonesës.

Legjenda përfundon: Shën Nikolla u shpërblye me dy festa që festohen për nder të tij në dimër dhe në pranverë, ndërsa Shën Kasiani çdo katër vite sepse festohet me 29 shkurt.

Shembull i mirë për të parë se si shpërblen Zoti dashurinë dhe kujdesin që duhet pasur për atë që ka nevojë.

Prandaj, të mundohemi të jetojmë në dashurinë e Hyjit dhe të jemi me të njerëzishëm e më tepër besimtar të mirë. Të jemi në marrëdhënie të mira njëri ndaj tjetrit dhe në dashuri të krijojmë paqe, e cila na mungon shumë në zemra tona, në familje tona dhe në botën mbarë. Amen

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, Jezusi Biri i Hyjit për dashuri ndaj neve pësoi mundimet në kryq, të frymëzuar nga kjo dashuri, të lutemi së bashku:

Ki mëshirë për ne, o Jezus dhe dëgjoje lutjen tonë!

–       Dhuroja Kishës sate forcën e fesë dhe të qëndresës, që të mund të gjithë njerëzve t‘ u dëshmoj dashurinë tënde, të lutemi:

–       Bëj që të gjithë të krishterët të qëndrojnë besnik në mirësi dhe dashuri, nëpërmes tyre të jesh i pranishëm në botë, të lutemi:

–       Ndriço mendjen dhe zemrën e të gjithë atyre që kanë përgjegjësi për të përparuar në vepra mirësie, dashurie, flijimi dhe dhurimi, të lutemi:

–       Hapi sytë tanë dhe të botës mbarë që të shohin nevojat e njerëzve për t‘ u dalur në ndihmë dhe kështu të dëshmojnë dashurinë tënde, të lutemi:

–       Forcoje fenë në familje tona, që gjithnjë e më tepër të punojmë për të mirën e shpirtit tonë, të lutemi: 

–       Të vdekurit tanë sipas mëshirës sate, pranojë në Mbretërinë tënde, të lutemi:

Zot, Jezu Krisht ti dëshiron që njerëzit të na njohin në saje të dashurisë. Na ndihmo që të jetojmë prej kësaj dashurie dhe duke përparuar shpirtërisht një ditë të jetojmë në bashkim me Ty në Amshim, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »