Dashuria ndaj Hyjit dhe njeriut, tipar dallues i të Krishterëve

Apr 24 • Meditimi i ditës

24 prill 2016 – E diela 5-të e Pashkëve – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Vap 14,21b-27; Ps 144; Zb 21,1-5a; Gjn 13,31-33a.34-35)

 

Prania e Hyjit

 

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua. Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës, të çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është: Hyji është në çdo të rrahur të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë që t`i harroj brengat vetjake, që të jem i/e hapur kundruall asaj çka kërkon Hyji prej meje, që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në veten time? A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua, a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë dhe vërej fjalinë apo shprehjen që më flet diçka.

 

Gjn 13, 31-35

 

31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:

“Tani u lavdërua Biri i njeriut!

Edhe Hyji u lavdërua në të!

32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]

edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.

Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!

33 Fëmijëzit e mi!

Edhe pak kohë jam me ju!

Do të më kërkoni,

por, siç u thashë judenjve,

tani po ju them edhe juve:

‘ku unë po shkoj,

ju nuk mund të vini.’

34 Po ju jap një urdhër të ri:

Duajeni njëri‑tjetrin!

Sikurse unë ju desha ju,

duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!

35 Nëse e doni njëri‑tjetrin,

të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjatë Darkës së fundit, Jezusi gradualisht e dëftonte forcën dhe thellësinë e dashurisë që kishte ndaj nxënësve. Megjithatë, zemra e Judës ishte e robëruar nga lakmia: e lë dritën dhe hyn në errësirën e natës. Urrejtja ia zuri vendin miqësisë, tradhtia dashurisë.
– 
O Zot, edhe unë si Juda di të largohem nga ti i trullosur nga rrugët e mia egoiste. Në këtë vend të lutjes bëj që të pushoj në zemrën tënde si dishepulli i dashur. Bëj që të mund t`i dëgjoj rrahjet e zemrës sate dhe të rritem i/e fortë në besim duke jetuar një jetë dashurie.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua. Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »